Faktet e reja: E vërteta e lidhjes së gjakut ndërmjet Gjergj Kastriotit dhe Bushatllinjëve

Faktet e reja: E vërteta e lidhjes së gjakut ndërmjet Gjergj Kastriotit dhe Bushatllinjëve

Gjergj Kastriot Skënderbeu

Lidhjet e para mes një mundësie të trashëgimisë së Skënderbeut me Bushatllinjtë përmenden në një relacion diplomatik të Konsullit rus të Dalmacisë, Antonio Palladhokli drejtuar Këshillit të Punëve të Jashtme të Rusisë në 14 prill të vitit 1787. Konsulli Palladhokli shkruan në relacionin e tij se në këtë kohë dëgjohet se Pashai i Shkodrës pret para me emrin e tij, vetëquhet si pasardhës i të famshmit Gjergj Kastriot , Skënderbeut, përqendron të gjitha forcat e tij me komandand Hasan Oda. Po cili ishte konteksti historik i kohës dhe përse në këtë kohë Mahmud Bushatlliu një përfaqësues i shquar i pushtetit otoman në Shqipëri risjell në vëmendje figurën e Skënderbeut?

Relacioni i detajuar vjen një vit pas zhvillimeve politike dhe ushtarake të ethshme në Pashallëkun e Shkodrës. Mahmud Pashë Bushatlliu në shkurt të vitit 1785 kishte shkëputur me forcë nga elajeti i Bosnjës, kështjellat e Podgoricës dhe Shpuzës që kishin ngritur krye në rastin e ekspeditave 1775-1776 dhe kish nënshtruar katër muaj më vonë Malin e Zi që kish ngritur krye qysh nga lufta e viteve 1768-1774. Pasi mori tributin e prapambetur dhe pengjet e bindjes dhe të nënshtrimit , në rrugën e kthimit në Shkodër ndëshkoi rëndë krahinën e Pastroviçit për punë provokimi të armatosur me nxitjen e autoriteteve të Venedikut.

Qëllimi i këtij provokimi kishte qenë shpresa se Porta e Lartë, për të mos krijuar një skandal politik me Republikën e Shën Markut, do ta hiqte qafe këtë pasha të pabindur dhe të rrezikshëm si për autoritetin e sulltanit në Shqipëri, ashtu dhe për sigurinë e zotërimeve venedikase në kufi të Pashallëkut të Shkodrës dhe për interesat ekonomikë të republikës në këtë trevë. Mirëpo nëse në politikën e jashtme Mahmud Pashë Bushatlliu kishte arritur disa fitore të rëndësishme, në planin e brendshëm situata politike nuk ishte fort e mirë në Pashallëkun e Shkodrës, në thellësi të territoreve shqiptare. Mahmud Pashë Bushatlliu ishte në konflikt të hapur me pushtetin qendror otoman për shkak se kishte sulmuar pashallëqet e Elbasanit dhe Beratit.

Konflikti i lindur me Ahmet Kurt Pashën për zotërimin e administrimin e maliqenesë( të ardhurave) të tokave të Durrësit që i përkisnin Valide Sulltanës dhe që zotërimi i të cilave nënkuptonte një pushtet më të fortë në terren por edhe simpati nga Stambolli, kishte filluar për shkak të mbylljes së portit të Durrësit për tregtarët shkodranë dhe ulqinakë, çka në fakt kishte sjellë dhe rënien e të ardhura si pronë të maliqenesë së Durrësit.

Nënshtrimi i Malit të Zi dhe i sanxhakut të Elbasanit tërhoqën vëmendjen dhe shkaktuan zemërime në Fuqitë e Mëdha përkatëse që operonin në rajon. Porta e Lartë dhe Venediku, tregtarët e të cilit humbnin pozitat favorizuese të akorduara nga Kurt Pasha në maliqenenë e Durrësit u ndjenë të pakënaqura nga këto zhvillime, kurse Austria dhe Rusia që kishin interesa të kundërta me Perandorinë Osmane kërkuan të gjenin një aleat të besueshëm te veprimet ushtarake të Mahmud Pashë Bushatlliut.

Porta e Lartë i konsideroi fushatat kundër Beratit dhe Elbasanit si veprim rebel dhe sulltani i shpalli dy Bushatllinjtë dhe Ali Pasha Tepelenën si kryengritës dhe në vjeshtë të vitit 1785 dha urdhër për përgatitjen e një ekspedite ndërshkimore kundër Shkodrës.[5] Ishin këto masa që e nxitën Bushatlliun që mosbindjen ta kthente në kryengritje. Ndërkohë në planin ndërkombëtar po afrohej lufta austro-ruse-osmane dhe elita shqiptare e kësaj kohe e përfaqësuar nga Bushatlliu po kërkonte të rikonfigurohej në teatrin e ri diplomatik që po hapej në Çështjen Lindore. Kontakte të ndryshme diplomatike ishin vendosur në terren nga këto dy fuqi të mëdha ku Pouqeuville, konsulli francez pranë Ali pashë Tepelenës përmend tentativat e Mahmud Pashë Bushatlliut për të organizuar një Konfederatë Ilirike në Kuvendin e Podgoricës që do përfshinte Pashallëkun e Shkodrës, Malin e Zi dhe pjesë nga Bosnja. Në dokumentin e botuar nga studiuesi Stavri Naçi në librin e vet “Pashallëku i Shkodrës nën sundimin e Bushatllinjve( 1757-1796)” në raportin e konsullit Jak Suma të Venedikut i datës 2.4.1786 komfirmohet mbledhja e Podgoricës , ku shprehimisht shkruhet se ...ky i shkëlqyeshmi Mahmut Pasha ka një javë që ka shkuar në qytetin e Podgoricës dhe ka mbledhur njerëz, rreth pesëqind vetë, shkaku nuk dihet se nuk është lehtë të kuptohen qëllimet e tij. Këtu thuhet se vajtja e  TenitPashë në Podgoricë ka qenë të thërrasë krerët e Malit të Zi dhe të këshillohet, po përse?[6]

Për këtë tentativë të Bushatlliut nuk gjejmë të dhëna në dokumentacion por ka mundësi që Pouqeuville mund ta ketë marrë nga raportet e konsullit frëng në Dalmaci. Të bie në sy si në raportin e Palladhoklit apo dhe ngjarje që referon Pouqeuville përmendja e emrit Skënderbeut dhe organizimi si konfederatë ilirike ka një referencë të së shkuarës së lavdishme të shqiptarëve.

Vetëshpallja si pasardhës i Skënderbeut nga ana e Bushatlliut tregon se ai e njihte mirë traditën e fortë lokale ku emri i Skënderbeut kishte rrënjë të forta pasi Pashallëku që ai zotëronte përfshinte një pjesë të madhe të zotërimeve të dikurshme të Skënderbeut por ka të ngjarë të ketë qenë edhe e influencuar nga kontakti me diplomatët rusë dhe austriakë me të cilët ai po bashkëpunonte ngushtë në këtë periudhë të rebelimit të tij.

Në dokumentacionin rus e publikuar nga historiani i njohur rus Gregori ARSH , gjendet një letër e një personi të quajtur Feliks Kastrioti që i drejtohej Ekaterinës II për mbështetje të një kryengritje në territoret shqiptare. Nuk mund të diskutohet për vërtetësinë e raportimit apo gabimit në përkthim pasi Konsulli Rus, Antonio Palladhokli që ishte me origjinë nga ishulli grek Mitilini dhe qe vendosur në Rusi në 1762 si pedagog në Manastirin Troice-Sergiu e njihte shumë mirë rusishten.

Raportimet e para të tij që ishin dërguar në 1785, janë të shkruara në rusisht, krahasuar me raportimet e konsujve të tjerë të Rusisë me origjinë ballkanike, raportimet e të cilëve ishin në frëngjisht dhe italisht. Po kështu që më herët në shkurt të vitit 1783 kur Antonio Palladhokli shërbente si përkthyes në Ministrinë e punëve të Jashtme të Rusisë në një raport që i dërgonte Ekaterinës së II, rreth gjendjes të Sllavëve, Epirotasve, Shqiptarëve grekë(lexo ortodoksë) dhe turqve(lexo myslimanë) shqiptarë, nënvizonte faktin se këto popullsi mund të përdoreshin për një kryengritje ndaj otomanëve duke ndjekur shembullin e Skënderbeut.

Në të njëjtën kohë edhe emri i Skënderbeut gjallonte fort në Austri që ishte vazhdimisht në konflikt me Perandorinë Osmane si dhe në fiset shqiptare katolike, aleatë të Bushatlliut që ishin nën proteksionin fetar e kulturor të Austrisë.

Përmendja vetëm për njëherë e trashëgimisë historike prej Skënderbeut, vetëm në rebelimin e parë të Mahmud pashë Bushatlliut tregon se ajo mund të ketë qenë një histori e importuar nga oborri i Austrisë sesa një vetëdije e brendshme e Mahmud Pashë Bushatlliut dhe bashkë me të e klasës feudale shqiptare.

Vite më vonë këtë fakt historik mesa duket të njohur nga kleri katolik shqiptar i transmetuar ndoshta në formën e kujtesës kolektive popullore do ta përdorte dhe Fishta në veprën e tij dramatike të pambaruar kushtuar rebelimit të Bushatlliut. Në të njëjtën frymë është shkruar dhe “Frati i Pashallarëve të Shkodrës” nga At Zef Pllumi shumë vite më vonë duke reflektuar një tendencë sesi do të duhej të kishte qenë historia sesa në të vërtetë i përgjigjej realitetit.

D.GJ/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka