Falen kamatvonesat për të vetëpunësuarit e fshatit

Tiranë- Të vetëpunësuarit në fshat mund t'i shlyejnë pagesat e sigurimeve shoqërore pa kamatë, deri në 31 dhjetor të këtij viti.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, deklaroi sot se qeveria i ka paraqitur Kuvendit të Shqipërisë një projektligj, me anë të të cilit falen kamatvonesat dhe gjobat për 290 mijë të vetëpunësuar në fshat për vitet e papaguara të sigurimeve shoqërore.
"Per të vetëpunësuarit në fshat, të cilët nuk i kanë paguar sigurimet shoqërore për arsye të ndryshme gjatë këtyre viteve, ky është një moment ideal për ta. Afati për të paguar pa kamatë, me kosto shumë të ulta të gjitha vitet e pensionit të pasiguruara, është data 31 dhjetor 2014. Sipas reformës së pensioneve, pagesa e kontributeve është mënyra e vetme për të pasur një pension dinjitoz", u shpreh ministri Veliaj.
Ai tha se që nga viti 1994 deri në vitin 2001, për të siguruar një vit për efekt pensioni, në fshat pagesa është vetëm 15 dollarë. Kjo, sipas tij, do të thotë se për të paguar sigurimet shoqërore të viteve 1994-'01 duhen vetëm 120 dollarë gjithsej për të shtuar 8 vite pension. "Duke qenë se në datën 1 janar 2015 hyn në fuqi reforma e pensioneve, kjo është amnistia e fundit, sepse formula e re do të zbatohet me korrektesë", shtoi Veliaj.
Ai bëri me dije se nga aministia përfitojnë edhe emigrantët shqiptarë. "Falja e kamatvonesave bëhet jo pa qëllim në fund të vitit, duke qenë se është momenti kur emigrantët kthehen në Shqipëri për festat e fundvitit. Pagesat e sigurimeve shoqërore nxiten edhe nga marrëveshjet dypalëshe që ne po lidhim me shtete të ndryshme për njohjen e viteve të pensionit për emigrantët shqiptarë", sqaroi Veliaj.
Sipas propozimit të qeverisë, nëse ata që përfitojnë nga amnistia nuk i paguajnë sigurimet shoqërore deri në 31 dhjetor 2014, nga viti i ardhshëm vitet e prapambetura do t'i paguajnë me çmimin e vitit 2015. "Le ta përdorim këtë dy mujor për të ndërgjegjësuar qytetarët se kjo është mundësia e fundit e shkëlqyer për të paguar vitet e prapambetura, në mënyrë që askush të mos mbetet pa pension dinjitoz", tha ministri Veliaj. /ATSH/
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion