Në Fier janë katër persona të prekur me koronavirus, sipas bashkisë së këtij qyteti një familje është në Dërmenas, ndërkohë që në një postim në Facebook ka ngritur alarmin duke i bërë thirrje përmes rrjeteve sociale shoferit që e transportoi nga Tirana në fshat ku banon që të vetëizolohet dhe të kërkojë ndihmë menjëherë. Bashkia, që çuditërisht ka publikuar emrin e familjes së prekur duke shkelur privatësinë (redaksia e disponon por për arsye etike nuk e boton) thotë se transporti është bërë në datën 3 mars, rreth orës 07:00, pra 10 ditë më parë.
Gjatë kësaj kohe kjo familje ka pasur kontakte të shumta, por bashkia thotë se deri tani është mbyllur dyqani ku familja ka bërë pazaret në 10 ditët e fundit. Gjithashtu po sipas bashkisë po punohet për gjetjen e vajzës së familjes që banon në një tjetër fshat, e cila u ka shërbyer.
"Njoftim. Në vijim të masave të ndërmarra për parandalimin e virusit COVID-19, i bëjmë thirrje shoferit që ka transportuar familjen nga Zogu i zi në Dërmënas që të vetëizolohet dhe të kërkojë menjëherë ndihmën mjekësore, pasi kjo familje është e prekur nga virusi. Transporti i kësaj familjeje është bërë në datën 3 mars, rreth orës 7:00.
Ndërkohë u morën masat menjëherë nga NjA Darzezë, duke njoftuar mbylljen dhe izolimin për arsye sigurie edhe të dyqanit ku kjo familje ka kryer pazaret gjatë kësaj kohe. Policia po punon edhe për gjetjen e vajzës së familjes, banuese në Qenas, e cila u ka ka sherbyer gjatë kësaj kohe prindërve.
Kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve për të kuptuar rëndësinë e kësaj situate dhe respektimin e rregullave bazbazë: qëndrimin në shtëpi dhe higjenë maksimale personale për veten dhe të tjerët' thotë bashkia e Fierit.
Nisur nga kontaktet që ka pasur kjo familje situata është me risk, por sipas ministrisë së Shëndetësisë italiane, që citon OBSH-në, në momentin që e mbart, por nuk ke shfaqur simptoma të koronavirusit në shumicën e raste nuk je ngjitës. Pra, ngjitës je vetëm në momentin që ke simptoma. Edhe doktoreshë Silva Bino thotë për Report Tv se personat që nuk shfaqin simptoma mendohet të kenë një ngarkesë shumë të ulët të virusit ndaj e si rrjedhojë gjasat për ta transmetuar koronavirusin janë shumë pak.