Familjet 'Berisha' e 'Basha' në mafien e plehrave!

Familjet 'Berisha' e 'Basha' në mafien e plehrave!

Lulzim Basha, Erjon Isufi dhe Oliver Shtylla

Në një investigim Top Story publikoi dokumente dhe të dhëna, sesi Abi Malltezi, dhëndër i Sali Berishës ka përfituar me dhjetra projekte mjedisore për menaxhimin e plehrave, kur vjehrri i tij ishte kryeministër i Shqipërisë. Ne vitin 2010, Banka Botërore financoi një projekt për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe pastrimin e zonës bregdetare. Për ndjekjen e këtij projekti, u ngarkua  Jamarbër Malltezin, në konflikt të hapur interesi. Me një fond prej 27.5 milionë dollarësh, duhej të largoheshin mbetje e rrezikshme në Porto Romano, ndërtimi i një vend transferimi mbetjesh në Himarë dhe një landfill në Bajkaj të Sarandës. Top Story vë në dukje se këto kohë Porto Romano u kthye në zonën më të ndotur të Durrësit, vend transferimi i Himarës nuk u vu kurrë në punë, ndërsa landfilli i Bajkaj në Sarandë është jashtë çdo standarti. Asokohe, vetë Banka Botërore nisi hetimet por sot e kësaj dite nuk dihet sesi arriti të shpëtojë nga drejtësia, Malltezi dhe grupi që menaxhoi projektin. Por pavarësisht kësaj, në vitin 2012, Lulzim Basha drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe landfillin e Sharrës e menaxhonte ortaku i kunatit të tij. Atëkohë  Basha i kërkoi dhëndrit të Berishës, që të bënte një vlerësim mjedisor për Sharrën. Për landfillin e Sharrës, që e menaxhonte indirekt kunati i Bashës Malltezi shkroi “Me nje ndihme financiare nga Qeveria Italiane (nje kredi prej 4,6 milione Euro) eshte ndertuar nje landfill i ri sanitar ne Sharre. Pas venies ne funksionim Landfilli i Sharres ka pemiresuar mjaft mjedisin sidomos cilesine e ajrit ne rrethinat e tij. Nga nje studim per parametrat kryesore te ajrit ne Sharre te realizuar para dhe pas funksionimit te tije rezultojne se permbajtjet mesatare.”- thuhej në raport. Pra, Malltezi në vitin 2012 i tha publikut se Sharra kishte parametra normal të mjedisit në një kohë që pamjet dhe era e rëndë depërtonte deri tek 21-dhjetori. Në të njëjtin raport, Malltezi sugjeronte që të krijohej një landfill tjetër, mes Tiranës dhe Durrësit.  “Vleresimi i projektuesve te landfillit eshte se landfilli i ri ne Sharre, do te zgjase vetem deri ne vitin 2015, vit pas te cilit duhet gjetur nje vend tjeter. Bashkepunimi Italian per Zhvillim ka ofruar nje fond per studimin e identifikimit te vendit. Propozimi fillestar eshte qe Tirana dhe Durresi mund te ndajne nje landfill te kombinuar diku ne kodrat midis dy qyteteve. “- vijonte më tej raporti. Pas këtij propozimi fshiheshi interesa të reja, pasi bëhej fjalë për ndërtimin e landfillit në Manëz, që do të ngrihej nga vjherri i Malltezit, Sali Berisha.

 “Berisha” do të ndërtonte landfill në Manëz me vlerë 65 milionë euro

Në vitin 2012, qeveria Berisha kishte miratuar ndërtimin e një Landfilli të posaçëm për Durrësin, në zonën e Manzës. Vlera e investimit ishte 2.8 miliardë lekë, ose 22 milionë euro pa TVSH. Projekti mbeti pezull pasi e djathta humbi zgjedhjet e vitit 2013 dhe doli në opozitës. Me dërgimin e mbetjeve në Sharrë, 22 milionë eurot e projektit janë para të kursyera, pasi vetë Banka Gjermane KFV, nëpërmjet një studimi të kryer, rekomandoi që Durrësi dhe Tirana të kenë vetëm një vend për trajtimin e mbetjeve, Sharrën. Projekti i Manzës, që parashikonte thjesht depozitim, kishte të parashikuar një tarifë prej 3.747 lekësh, ose 30 euro.  Nëse e llogarisim për 200 ton mbetje në ditë që prodhon Durrësi, kostoja do të shkonte plot 6 mijë euro. Për një vit, rreth 2.2 milionë euro dhe në 30 vite të kontratës plot 65 milionë euro. Shtuar paratë e investimit që do të paguheshin nga shteti, shuma shkonte në rreth 100 milionë euro.  Për më tepër, landfilli do të kishte vetëm 20 vite jetë. Mbetjet nuk do të trajtoheshin por do të krijonin një kodrinë të izoluar me plehra, zbuloi Top Storu

Kunati i Lulzim Bashës në skandalin e plehrave

Top Story trajtoi edhe interesat që kanë demokratët, nga Lulzim Basha, familjarët e tij e deri tek dhëndërri i ish kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi. Në kohën kur ishte në krye të bashkisë, Basha kontraktoi një kompani monopol për diferencimin e mbetjeve për riciklim, në landfillin e Sharrës. Subjekti në fjalë, i quajtur “Grin”, kishte lidhje të afërta me kunatin e tij Erjon Isufin. Kompania kishte drejtues ligjor shtetasin Oliver Shtyllën. Ndërkohë kompania tjetër “Albanian Company of General Services” , ishte ajo që kryente riciklimin e mbetjeve të diferencuara nga “Grin”.  Në këshillin mbikqyrës të kompanisë ishte anëtar edhe kunati i Bashës, Erjon Isufi.  Biznesi i plehrave në kohën e Bashës ishte tepër agresiv. Për herë të parë u panë nga mediat sesi dhunoheshin romët që mblidhni skrap në koshat e mbeturinave. Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Bashës kishte nxjerr në rrugë policinë bashkiake për të dhunuar dhe arrestuar çdo pjesëtar të komunitetit rom që prekte kazanët e plehrave.Kjo ishte një goditje për këtë komunitet që përbehej nga 22 mijë persona  dhe kishin plehrat, të vetmin ushqim për mbijetesë.

“Kjo këtu është arsye që shpjegon dhunimin e romëve në rrugët e Tiranës, ditë e natë nga policia bashkiake, qytetarët e Vaqarrit e Tiranës ndoten nga kjo fabrikë pa leje ndërtimi e mejdisore, këtu në zemër të banorëve të Vaqarrit. Kjo këtu prapa, është prova që qytetarët nuk janë të parët, por kunati është i pari.- deklaronte në vitin 2012, deputeti socialist Artan Gaçi.

Në atë kohë, romët u ngritën në protesta sepse nuk po lejoheshin të grumbullonin materialet e riciklueshme. Biznes i shndërruar në monopol në duart e Lulzim Bashës, po kthehej në shqetësim. Plani i Bashës për të futur familjarët e tij në biznesin e plehrave, në atë kohë ishte edhe më i madh se kaq. Në vitin 2011, janë zhvilluar debate të ashpra në parlament, pasi në ndryshimet ligjore për menaxhimin e mbetjeve, i hapej rrugë edhe importit. Kjo, duket se lidhej me bizneset e riciklimit që kontrolloheshin nga vetë Lulzim Basha.

Investigimi/ Zbulohen abuzimet me kontratën konçesionare

Emisioni Top Story investigoi biznesin e plehrave në Bashkinë e Kamzës, ku zbuloi një sërë shkeljesh dhe abuzimesh. Kjo bashki i menaxhon plehrat përmes një kontrate konçesionare me kohëzgjatje 12 vite, me vlerë 1.3 miliardë lekë, ose rreth 13 milionë dollarë. Kompania koncesionare fituese është “Alko-Impex general Construction”, me administrator nipin e deputeti socialist.  Ai ka arritur të sigurojë një kontratë të majme nga ish-kryebashkiaku demokrat Xhelal Mziu. Moralisht kjo tregon shtrëmbërimin politik për shkak të interesave financiare, ndërsa ligjërisht nuk përbën asnjë problem.  Referuar kontratës së siguruar nga Top Story, kompania do të duhej që brenda 6 muajsh, të realizonte një stacion transferimi dhe diferencimi për mbetjet e riciklueshme. Kanë kaluar 2 vite dhe ky detyrim nuk është përmbushur. Në nenin 12 të kontratës, qartësisht sqarohet se kompanisë mund t'i ndërpritet konçesioni në rastin kur nuk përmbush detyrimin për të vënë në punë stacionin e transferimit.  Po shkeljet nuk mbarojnë me kaq. Kjo kompani me mbështetje nga pushtetarët, po i shkakton Bashkisë së Tiranës dhe tagsapaguesve një dëm prej qindra mijëra eurosh në vit, duke ia faturuar mbetjet e Kamzës bashkisë së kryeqytetit. Por, si mund të ndodhë kjo? Mjetet e Alko Impex, pasi ngarkohen me mbetje në Kamëz, i depozitojnë në landfillin e Sharrës, duke i deklaruar si mbetje të Tiranës. Top Story u interesua, nëse mes Sharrës dhe Bashkisë Kamëz, kishte një kontratë për depozitimin e mbetjeve. Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli deklaroi për Top Story se nuk kishin asnjë marrëveshje me landfillin e Sharrës. Kompania e nipit deputetit socialist menaxhon mbetjet e Tiranës, në zonën 3, që përfshin Kombinatin dhe rrethinat e saj. Makineritë e tij të pastrimit kalojnë edhe në zonën e Kamzës për të mbledhur mbetjet, dhe i depozitojnë në Sharrë duke i deklaruar sikur janë të Kombinatit. Top Story, ka ndjekur për disa ditë mjetet e kompanisë që ngarkohen në Kamëz, i ka filmuar deri në transportimin drejt Sharrës. Në territorin bashkisë Kamzës, mesatarisht janë 70-80 ton në ditë, të cilat transportohen drejt Sharrës në shkelje me ligjin. Pra, çdo 24 orë Alko Impex i shkakton bashkisë së Tiranës plot 2300 euro dëm, duke i deklaruar mbetjet e Kamzës si mbetje të Tiranës.  Kompania e nipit të deputetit socialist, ka marrë plot 30 milionë euro tendera pastrimi në 4 vitet e fundit. Në pjesën e parë të dokumentarit, tregohet se si mbetjet e Kavajës, hidheshin në një fushë në mënyrë antiligjore për të shmangur kostot e trajtimit. Tenderi i pastrimit aty është fituar pikërisht nga kompania Alko-Impex. Ky investigim tregoi se interesat financiare për plehrat prekin edhe familjarë të politikës.

Bashkitë rritën artificialisht sasinë e plehërave për të tenderuar më tepër para

Emisioni Top Story në Top Channel ditën e djeshme tregoi se si  bashkitë kanë abuzuar me plehrat e qytetit, duke rritur artificialisht sasinë për të tenderuar më tepër para. Në Bashkinë Belsh, pjesë e qarkut të Elbasanit, në vitin 2016 kjo bëhet një tender për pastrimin e qytetit për 4 vite, me vlerë 82 milionë lekë të vjetra.

Vijmë në vitin 2020, kur duhet të tenderohet sërish pastrimi i Belshit. Kësaj here tenderi bëhet 410 milionë lekë dhe është pothuajse 5 fishi i tenderit të mëparshëm. Për të justifikuar këtë fryrje të plehrave, zyrtarët e Bashkisë së Belshit kanë bërë një studim sikur qyteti i tyre gjeneron mbi 2700 ton plehra në vit. Sot Belshi i depoziton mbetjet në impiantin e Elbasanit, ku çdo mbetje matet përpara se të shkojë në djegie. Top Story i dërgoi një kërkesë zyrtare impiantit të Elbasanit, i cili vuri në dijeni se Bashkia e Belshit depoziton aty rreth 150 ton plehra në muaj, ose rreth 1800 ton plehra në vit. Pra, Bashkia e Belshit ka rritur artificialisht shifrën prej 900 ton plehrash në vit, për të 5 fishuar shumën e tenderit. Natyrisht ky është një dëm financiar, por më tepër se kaq, është një marrëdhënie interesash mes bashkisë dhe kompanive private, të ngritura mbi plehrat e qytetit. Vijojmë me një tjetër bashki, atë të Librazhdit. Në vitin 2016, kjo bashki realizon një tender për pastrimin, me vlerë 480 milionë lekë të vjetra, për 4 vite. Fitues është kompania e Arbër Abazit,  nipit të deputetit socialist, “Alko Impeks”.

Pasi mbaron kjo kontratë, në korrik të vitit 2020, Bashkia e Librazhdit shpall sërish fitues kompaninë e Arbri Abazit për pastrimin e qytetit, por kësaj herë me një vlerë pothuajse 3 herë më të lartë, rreth 1.2 miliardë lekë. Librazhdi për të justifikuar këtë rritje, ka përpiluar një studim ku thotë se në muaj gjenerohen 330 ton mbetje.

Sërish Top Story u interesua pranë landfillit të Elbasanit, aty ku depozitohen të gjitha mbetjet e Librazhdit. “Sipas të dhënave të siguruara nga impianti, kompania depoziton rreth 200 ton çdo muaj. Kjo do të thotë se 130 ton mbetje nuk ekzistojnë në këtë bashki, por ajo e ka rritur artificialisht sasinë e plehrave për të shtuar buxhetin prej 1.2 miliard eurosh për kompaninë e nipit të deputetit socialist Ndërkohë ka edhe bashki si ajo e Gramshit e cila ka vendosur të zhvillojë tender për mbetjet urbane, duke u bazuar tek sasia që dërgohet në impiantin e Elbasanit.

Këto shembuj japin shpjegimin se mafia e plehrave nuk ka interes të kontrollohet në asnjë cep të Shqipërisë. Tre impiantet, ai i Elbasanit, i Fierit dhe i Sharrës bëjnë matjen faktike të plehrave, dhe kjo sjell një kontroll zinxhir deri tek tenderimi i bashkive. /Top Story

K.T./xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

AMF mbledh sektorin financiar për festat dhe cakton prioritetet! Kaçi: Zbatim me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut dhe besueshmëri në treg

AMF mbledh sektorin financiar për festat dhe cakton prioritetet! Kaçi: Zbatim me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut dhe besueshmëri në treg