Familjet në çadra në Thumanë, në kushte të mjerueshme/ Banorët: Vitin e ri nuk e festuam, të vijnë të na shohin jemi gjallë a vdekur (VIDEO)

TIRANE- Teksa ka kaluar më shumë se një muaj nga tragjedia e 26 nëntorit që mori 51 jetë dhe la pas me mijëra banesa të dëmtuara, gjendja në të cilën jetojnë qytetarët nëpër çadra është e mjerueshme. Report TV ka udhëtuar drejt Thumanës, ku ka parë nga afër gjendjen e familjeve të prekura nga tërmeti.  Familja Koleci me 4 anëtarë, vijon të qëndrojë në çadër, pavarësisht temperaturave tepër të ulta. Kryefamiljari Ramadan Koleci tregon kushtet e vështira me të cilat po përballen.

"Shteti na ka ardh në ndihmë na kanë premtuar për shpiat e reja, na ka ardhur në ndihmë. Njëherë kemi qenë tek fusha e sportit. Këto të pallatit shkuan në Shëngjin, ndërsa ne të shpive private na lanë këtu në çadra. Na kanë thënë se do ua bëjmë shpiat. Viti i ri nuk ishte njëlloj. Me ka ardhur më ka marrë dhëndri e kemi festuar. Ku ta festoja”shprehet ai.  

Ndërsa bashkëshortja e tij, tregon se ende nuk ka shlyer borxhin që kishte marrë për riparimet e shtëpisë, që tashmë është e pabanueshme.

“Era na ka shkul mbrëmë. Duke u dridh si qen, 50 batanije brenda. Si në det të ftohtë. A e keni borxhin që kishit marrë? Jo s’ka dy muaj që e kisha ndreq shtëpinë, me 26 nëntor i rrafshoj, pa i larë borxhet. Ishalla rregullohet shtëpia dhe do i lajmë ato 7 milionë lekë që kemi”, shprehet bashkëshortja e Ramadan Kolecit.

Ata e kanë përfituar bonusin e qirasë, ndërkohë që pak metra më tej ndodhet familja Koxha me 6 anëtarë. Kryefamiljari Mersin Koxha tregon se askush nuk është interesuar për ta, dhe se të ardhurat që marrin janë të pamjaftueshme për të përballuar jetesën.

“Dhe shteti e dimë që nuk mundet ti përballoje as bashkia jo. Por të paktën me na pa ndonjëherë, me ardh me na pa a jemi gjallë apo jo. Nuk kam parë 31 dhjetor me sy. Këtu e kam kalu. Nuk ka patur me hëngër.Kam punuar, jam në pension 86 mijë lek por as kafe nuk më dalin. Nuk kam ansjë të punësuar vetëm gruaja që merr 160 mij lek. Djali naj herë ik në Greqi, por s’ka c’te beje” u shpreh kryefamiljari Koxha.  

Ndërkohë e zonja e shtëpisë e kujton me shumë frikë tërmetin e rëndë duke thënë se nëse nuk do ta ndihmonte bashkëshorti mund të kishte humbur mendjen. Ajo vuan prej 30 vitesh nga epilepsia, dhe tregon se ndihmat e vetme që kanë marrë janë nga Kisha.

"Atë natë e kam kaluar shumë keq. Na u fikën dritat mos të kishte qen ky, do kisha ik nga mendja. Më mori më nxori jashtë më pas nuk e di si kam vepruar. Ja këtu po i kalojmë ditët e ftohta. Ilaçet e marr, vjen doktoresha kur jam sëmur por kështu. Kisha na ka sjellë ndihma ushqimore. Gjithë natën nuk na ze gjumi. Ngrihem naj herë natën e them më duket se ra tërmeti. Apeli im është se të vijnë të na shohin të na qajnë hallin. Të vijnë të na shohin." tha e zonja e shtëpisë.

E njëjta gjendje është e pranishme edhe në familjen Lamaj. Kryefamiljari Kadri Lamaj thotë se është përballur me dy raporte të ndryshme për shtëpinë, por që jeton në kushte të vështira me fëmijë në çadër.

“Kena mardhim vet i 5 jam. I pan shpiat tona na than mos hyni brenda se ju zë brenda. Tani mbrapa na thonë hyni. Ndihma na ka sjell Kisha. Mbrëmë kemi mardhim shumë, kemi marrë shumë batanija por prap ftohtë është” thotë Kadri Lamaj.

Banorët e pyetur nga Report TV, të vetmet ndihma i kanë marrë nga Kisha. Madje ka edhe nga ata që shprehen se jo të gjithë familjet e prekura po trajtohen në mënyrë të barabartë.  E zonja e familjes Gjonaj, thotë se gjithë kursimet e jetës janë në banesën që tashmë është e dëmtuar.

“Kisha na ka ndihmuar. Na ka sjell makarona, vaj, ushqime të gatuara. Shumë shtrenjtë i kam blerë të dyja hyrjet po kam investu dhe jam lodh me jetën. Gjithë jetën time nuk kam bërë një ditë plazh. Vetë jam operuar për zemrën, vetëm një ilaç kushton 30 mijë lekë, ndërsa gjithsej marr 130 mijë lekë që as për ilaçe nuk më del” shprehet zonja e familjes Gjonaj.

Natën e ndërrimit të viteve plot 10 mijë shqiptar e kaluan  nëpër çadra, banesa me qira apo nëpër palestrat e shkollave. Tashmë jemi në fazën e një bilanci përfundimtar, për dëmet e shkaktuara dhe për të nisur procesi i rindërtimit. Qeveria shqiptare ka premtuar se brenda vitit 2020 do të rindërtohen të gjitha shtëpitë e prishura nëpër fshatra nga tërmeti i 26 nëntorit

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës