Fate Velaj, kali elegant i Trojës

Fate Velaj, kali elegant i Trojës
Fiksojeni mirë këtë emër, është një erudit bashkëkohor shqiptar, dinjitoz, artist, virtuoz i penelit, syrit, dhe penës, mbi të gjitha një patriot elitar, është vlonjat nga Kali Trojës, rritur e harlisur shpirtërisht në ato anë…në ato anë që tashmë nuk shtrihen veç Kaninës dhe Këlcyrës së genit dhe Austrisë së “arratisë” por tashmë ato kaplojnë male, dete, oqeane, janë aq pa fre sa shkojnë përtej imagjinatës, ato janë kujtime nga e ardhmja.

Fate Velaj këtë bohem endacak, që çdo objekti që i kapin shqisat i hyn në palcë, mund ta hasësh rrugëve të dynjasë të pa kufij, ai është mesia e përçimit të kulturës evropiane si vlerë bashkimi, i bashkimit të kulturave, të shpirtrave shumë shekullore të çdo toke dhe kulture që prek. Mjafton të ndjesh fotot e tij dhe do kuptosh se ai nuk është rendës i diellit që lind e perëndon, i zogjve dhe luleve që bëjnë ciklin, jo, ai kap çastin, çastin e ekzistencës, në orën, ditën, shekullin e caktuar të normales, të asaj që shohim po nuk kuptojmë, ai shkon përtej, ai ta shndërron të panjohurën në familjare dhe pikërisht këtu ai ka shkelmuar kufijtë e kulturës dhe injorancës.

Fate Velaj një ndër artistët më të dashur të Austrisë shekullore të vlerave por për fat të trishtë pak i njohur në tokën e tij të shpirtit, është rasti më kobzi se në çfarë stadi ndodhet Shqipëria aktualisht, Shqipëria toka ku një bashibozuk mafioz me kostum deputeti, ministri, kryebashkiaku është më i njohur se Fate Velaj, Sali Shijaku, Çesk Zadeja, Onufri, Konica, Migjeni, Noli etj ka nevojë që t’i ngrejë piedestalet e vlerave të heshtura në granit flamujsh që t’ia tundë dynjasë në qiellin e përbashkët të vlerave.

Kontributi i Fate Velaj në hapësirën evropiane për evropianët, ish befasues për mua, jo vetëm në aspektin e tematikave dhe mesazheve që përçonte si askush tjetër në simpoziume me tematikë artin dhe kulturën, por eleganca organizative, pjesëmarrja tej mbushëse e sallave, oratoria dhe qëllimi parësor i çdo takimi: bashkimi i popujve të Evropës ndërmjet mënyrës më mënçurake të mundshme dhe afatgjatë nëpërmjet shpirtit të tyre, kulturës.

Por nuk janë veç idetë dhe shpirti novator e organizativ i Fates që njeh Vjena dhe Evropa zyrtare, peneli i tij i ngjyer në Jonin e parë nga Kanina e lartë dhe Rradhima e thellë, bëjnë që piktura të tij si “the souths blue rhapsody”, “the green between you and me”, “Vlora mon amour” ose të tjera tematika si “the silence and one surprise”, “memories from the future”, ose “the small village cemetery”, “the green tree near big mountain” të të magjepsin për të mos i harruar kurrë, e kaltra e paarrirë gurë kali, e gjelbra epa arrirë ullirin e pjekur, e kuqja e dhomës së gjumit të fiksohen në kujtesë bashkë me emrin e Fate Velajt, fiks si e kuqja e Onufrit.

Mbi pikturat e Fate Velajt gjithëkush mund të ngrejë, historine e tij të jetës, vdekjen, lindjen, dashurinë, në ngjyrat dhe trajtat e shpirtit personal, pa i marrë hiç leje autorit, pa ç’koduar kodet e tij, ashtu siç po bëj unë sot me këto rreshta.

Kur lexova pa fund për këtë personazh shumë’ngjyrësh nuk më intriguan titujt dhe medaljet elitare që i ishin akorduar si “Nder i Republikës së Austrisë”, ose “Europian Citizen”, jo, tek eruditi Fate Velaj, si piktor, fotograf, eseist, kurator, menaxher arti si dhe krijues i iniciativave dhe strategjive politiko-kulturore evropiane më intrigoi më shumë shqiptarizma e tij superiore, korrespondenca me krerët më të lartë të Parlamentit Evropian për lobimin e heqjeve të vizave ndaj shqiptarëve, si dhe debati i tij me Oliver Schmitt në simpoziumin me tematikë “100 vjet Shqipëri”, preku vëmëndjen dhe shpirtin tim ndaj këtij personazhi kaq gjigand, por dhe aq të heshtur në kontributin e tij ndaj vlerave të tokës sonë të plagosur.

Veprat e tij madhështore të vendosura në qytete të lënguar, si Pogradeci dhe Fieri do i mbeten Shqipërisë sonë si dëshmi e një europiani që i hodhi sytë e shpirtit dhe nga vend’lindja.

Kam shkruar në jetën time, për ngjarje, ndodhi, sidomos kur kanë mbartur ndër vete tematika traumatike për tokën time, këtë shkrim, ja detyroj jo Fate Velajt, por shqiptarëve si unë që duan shpresë dhe vlerë përtej krimit dhe politikës. Po e mbyll me disa fjale, po të poetit dhe eseistit Fate Velaj.. mbërritëm më në fund….kaq të pafjalë….kaq modestë….

Eshtë Fate Velaj, nga Kali i Trojës së Vlorës së lënguar, Fate Velaj, Kali elegant i Trojës shqiptare në zemër të Evropës.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)