Nuk e di pse Partia Demokratike vendos të bëjë qëllimisht beteja të humbura qysh në fillim me kryebashkiakun e Tiranës, sa herë që ai ndërton ndonjë park për fëmijë, kënd lojrash apo shkollë. Është e disata herë që opozita në kulmin e një krize të skajshme politike, shikon si problem faktin se Bashkia e Tiranës do të ndërtojë një kompleks shkollor, d.m.th një shkollë publike në Kodër Kamëz, ku emergjenca për shkollë është ulëritëse, dhe angazhohet në një betejë politike .
Bëhet fjalë për tokë publike, që Bashkia ja ka shpronësuar një ndërtuesi privat. Bëhet fjalë për shkollë publike, jo private. Dhe çfarë është më e rëndësishme, bëhet fjalë se i janë prishur disa plane biznesi një rektori, që këtë territor e ka llogaritur për tendera të vetat.
Kur u bë beteja e parë kundër një vepre publike, që ishte një kënd lojërash në Parkun e Liqenit, dramaciteti i betejës kaloi në komizëm, kur në të mori pjesë dhe ish- presidenti i Republikës, Bujar Nishani, që theu dhe postobllokun e Parkut të Liqenit për t’iu bashkuar një grupi protestuesish, që janë grup i gatshëm për çdo protestë, boll të dëgjojnë emrin e Erion Veliajt. Dhe protestojnë me të njëjtën dëshirë dhe zell, dhe kur Veliaj ndërton parqe, lulishte, çerdhe, kopshte, e shkolla, dhe kur hap korsi biçikletash, dhe kur disiplinon parkingjet.
Protestat mungojnë vetëm kur ndonjë oligark ndërton ndonjë gradaçelë, pasi nuk kanë fuqi t’i rezistojnë honorareve.
Beteja kundër këndit të lojërave në park, u bë në sytë e të gjithëve, zgjati gati gjashtë muaj dhe u shoqërua me protesta të dhunshme të PD-së, biles detyroi dhe Gent Strazimirin të nxirrte koburen. Më në fund parku u bë, këndi i lojërave është një mrekulli dhe protestuesit, ata që kanë fëmijë, çojnë dhe fëmijët aty.
Tani e njëjta gjë po ndodh dhe me Kodër Kamzën. Partia që ka zbuar studentët nga tetë konvikte dhe i ka mbushur me të ardhur nga Veriu, që ka ndërtuar dhe Universitet privat brenda atij shtetëror, dhe që ka lënë mijëra nxënës pa shkollë të mesme e 9- vjeçare, tani ka vendosur të bëjë protesta që kjo shkollë të mos behet.
Një parti dhe rektor që kanë lejuar rreth 200 ndërtime pa leje brenda kampusit, që e kanë mbushur kampusin me bingo, lojëra fati, kalçeto dhe kafe, tani protestojnë pse bëhet shkollë publike në një tokë që Bashkia ja ka shpronësuar një privati, të cilit ja ka falur po kjo parti, duke ja hequr Universitetit.
Ndryshe nga Parku i Liqenit, ku protestuesit tani çojnë fëmijët, unë nuk shpresoj se dhëndri i Saliut do çojë fëmijët atje, se ka miliona euro për t’i shpërndarë nëpër Europë, dhe pse si marrin dot një diplomë.
Por nuk e di si do të ndihen këta njerëz kur shkolla të bëhet dhe aty të shkojnë dhe fëmijët e atyre ditëzinjëve që i përdorin për protestues.
Dhe nuk do ta kuptoj dot kurrë, pse ja bëjnë këtë nder Erion Veliajt në prag të zgjedhjeve, për ta fokusuar atë si luftëtar shkollash, parqesh, kënde lojërash dhe punësh publike.
Jo se nuk i ka këto merita, por opozita s’ka pse bëhet kaq e zellshme t’ia nxjerrë në pah.