TIRANË- Me tensione dhe përplasje mes policisë është shoqëruar protesta e banorëve të ‘5 Majit’ ditën e sotme, ku u shembën 12 shtëpi, duke e çuar në afro 120 objekte të rrëzuara deri tani për rindërtimin dhe rikualifikimit urban.

Të bashkuar, banorët e njësive 4 dhe 8, tentuan që të pengojnë efektivët e policisë dhe Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit (IMT), të mos ndërhyjnë. Përtej mureve të shtëpive të tyre që pritej të shembeshin nga fadromat, ato sulmuan efektivët me gurë dhe me shashka, ku mbetën të plagosur 8 policë. Policia u kundërpërgjigj duke hedhur gazlotsjellës që t’i shpërndajë, ndërsa shoqëroi me forcë banorët protestues Bekim Cerrin, Loreta Nikollin dhe Mirash Markun.

I tronditur nga gjithçka çka po shikonte dhe që më pas do finalizohej me prishjen e banesës së tij, Genc Gjini u shfaq u pakontrolluar në rezistencën e tij.  E bija duke qarë dhe të afërmit e tjerë të tij u përpoqën ta qetësonin, dhe e tërhoqën. Edhe shtëpia e Ajlës, e cila natën ‘festoi’ ditëlindjen e 5 të saj u shemb sot!

Kyrepolici Gledis Nano foli nga Vlora për gjendjen e efektivëve dhe tha se ato janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Lista e pronarëve të pronave që u është shembur shtëpia sot nga njësia nr.4 dhe njësia nr.8

Arben Deda shtëpi+ tokë të legalizuar

Geg Nikolli shtëpi + tokë të legalizuar

Simon Nikolli shtëpi+ tokë të legalizuar

Eduart Nikolli shtëpi + tokë të legalizuar

Fehmi Suti vetem shtëpinë e legalizuar

Preng Kodra vetëm shtepinë e legalizuar

Gjin Nikolli shtepinë e legalizuar, tokën jo

Vlash Marku në proces legalizimi

Bekim Cerri proces legalizimi

Laureta Nikolli ndërtim pa leje

Genc Gjini në proces legalizimi

Në zgjidhjen që ka ofruar bashkia, banorët e njësisë administrative numër 4 dhe numër 8 që preken nga ky plan, do të strehohen më tej në një bllok pallatesh që ndërtohet po te “5 maji” e ku do të bashkëjetojnë edhe banorë, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe ata që i kap plani zhvillimor. Nga ana tjetër, shumica e banorëve që janë prekur nga projekti i lagjes së re te “5 Maji” janë dakordësuar dhe kanë filluar nënshkrimin e marrëveshjeve me Bashkinë e Tiranës për t'u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit. Sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:14
Mes rrënojave të mundit të tij disavjeçar, pronari i vilës 3-katëshe në ‘5 maji’ fshin lotët dhe lë përgjithmonë shtëpinë

Mes rrënojave të mundit të tij disavjeçar, pronari i vilës 3-katëshe e cila tashmë është shembur, po derdh pikat e fundit të lotit, duke i dhënë në këtë mënyrë lamtumirën shtëpisë.

Banori hedh një shikim përreth asaj që ka mbetur dhe largohet...

Ora 11:03
Protesta e banorëve të ‘5 majit’, reagon policia: Janë plagosur 8 efektivë, disa të shoqëruar

1645526855_1645524301c3a6f86ca15844e8bb328bff28c52261.jpg

8 efektivë u lënduan gjatë  përplasjeve me banorët e 5 Majit mëngjesin e kësaj të marte, njoftoi Policia e Shtetit.

Bëhet e ditur se ata janë 5 punonjëse të Policisë së Shtetit dhe 3 punonjës të Policisë Bashkiake

Ata kanë marrë lëndime nga sende të forta dhe lëndë djegëse dhe ndodhen në Spitalin e Traumës, duke marrë ndihmën mjekësore.

“Strukturat e DVP Tiranë, të angazhuara në planin e punës, në mbështetje të strukturave të IMT-së dhe Policisë Bashkiake, janë mbështetur më pas nga FNSH që kanë normalizuar situatën dhe kanë krijuar mundësinë për vijimin e shembjeve.

Policia e Tiranës njoftoi se ka shoqëruar disa persona në Komisariat dhe cilido që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë.

Policia e Shtetit bëri thirrje të shmangen aktet e dhunës mbi forcat e rendit, në të kundërtën ata do të përballen me ligjin

Ora 10:50
Shemben 12 shtëpi tek ‘5 Maji’ (FOTO)
Ora 09:19
Ditëlindja që askush s'do e donte! Vogëlushja ‘feston’ 5-vjetorin natën jashtë dhe me rrënojat e banesës së shembur te ‘5 maji’

Tek prisnin që t’u shembej shtëpia, vajza e banorit Bekim Cerri, festoi datëlindjen e saj të 5-të. Në pamjet e siguruara nga Report Tv, shihet teksa nëna e saj shpërndan ëmbëlsirat tek banorët e tjerë të cilët nuk i pret një ditë po kaq e hareshme.

Nën ethet e pritjes së shembjes së shtëpisë dhe të ftohtit, e vogla “festoi” ditëlindjen e saj më të tirshtë.

Ora 08:56
‘Foto sa një mijë emocione’, banorët e ‘5 majit’ i japin ‘lamtumirën’ e fundit shtëpive dhe momenteve që jetuan brenda tyre! Disa të mpirë e disa shpërthyes, lotët nuk i mban asnjë

Të mpirë, një burrë edhe një grua kanë ngulur sytë mbi shtëpinë e tyre e cila po shembet bashkë me momentet që kanë jetuar brenda saj dhe ëndrrat që kanë ndërtuar.

Një tjetër zgjedh të derdhë disa lot në fshehtësi, duke përjetuar dhimbjen e shkatërrimit të mundeve të saj shumëvjeçare, e vetme. Banore të tjera shpërthejnë me ngashërime, teksa pranë tyre ndodhen familjarët për t’i dhënë zemër. Sot lotët nuk i mbajnë as burrat, të gjithë po qajnë.

Foto që flasim sa një mijë fjalë.

 

Ora 08:33
Fëmijë, gra dhe burra ‘kokë më kokë’ me policinë, momente tensioni shoqërojnë shembjen e banesave në ‘5 maji’ (FOTO)

IKMT ka nisur mëngjesin e sotëm aksionin për shembjen e banesave në lagjen “5 Maji”, në Tiranë.

Aksioni është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes banorëve dhe policisë. Banorët po protestjnë kundër aksionit të IKMT, pasi sipas tyre, nuk ju është ofruar dëmshpërblim për banesat e tyre.

 

Ora 08:29
Tensionet dhe përplasjet vazhdojnë, nis shembja e banesës së parë në ‘5 maji’

Pavarësisht tensioneve mes banorëve dhe policisë, shembja e shtëpisë së parë sapo ka nisur.

Kjo është 1 nga 12 shtëpitë që pritet të shemben gjatë paradites së sotme.

Ora 08:27
Gurë dhe dërrasa, banorët e acaruar të '5 majit' i vënë flakët shisheve me benzinë dhe qëllojnë në drejtim të efektivëve

Përveç gurëve dhe dërrasave, banorët e acaruar të "5 majit" kanë qëlluar në drejtim të efektivëve edhe me shishe benzine që i kanë zjarrin.

Siç shihet në një video të publikuar një “top flake” ka rënë mbi një grup policësh të cilët sapo e vunë re menjëherë kanë lëvizur, ndërsa siç shihet shpëtojnë në sekondat e fundit.

Ora 08:23
Deputeti i PD-së, Alfred Rushaj i bashkohet protestës së banorëve të ‘5 majit’: I kemi kërkuar Veliajt që të ulej dhe të bisedonte me ju

Deputeti i Partisë Demokratike Alfred Rushaj ka mbërritur që të takojë banorët e ‘5 Majit’, i cili tha se i ka kërkuar kryebahskiakut të Tiranës që të bisedojë me banorët.

‘Jemi munduar të bëjmë çdo gjë procedurialisht. Që para një viti janë bërë kallëzime penale. Kemi bërë kërkesë kryetarit të bashkisë, që të ulet dhe të plotësojë kërkesat e tyre. Çfarë janë këto njerëz që veprojnë kështu, pse nuk pritet përgjigja e institucioneve.’- tha Rushaj.

Ora 08:16
Protestonte për të mbrojtur shtëpinë, policia shoqëron me forcë banoren

Ky është momenti kur policia shoqëron Loreta Nikollin, e cila po protestonte tek ‘5 maji’, duke mbrojtur shtëpinë e saj. Ajo është marrë me forcë nga policia, pas rezistencës ndaj efektivëve. Po ashtu policia ka shoqëruar Bekim Cerrin, Loreta Nikollin si dhe Mirash Nikollin.

Ora 07:54
Po përplasej me policinë, vajza mundohet të qetësoje babain

Genc Gjini, një nga banorët që pritet t’i shembet shtëpia tek 5 Maji, në momente tensioni është përplasur me efektivët. Ndërsa vajza e tij është përpjekur që ta qetësojë dhe ta largoje nga përplasja me efetkivët.

Ora 07:54
Tensionohet situata tek ‘5 maji’, banorët qëllojnë me gurë policinë

Banorët e ‘Majit’ kanë qëlluar me gurë në drejtim të efektivëve dhe punonjësve të IMT-së të cilët kanë ndërhyrë për të shembur shtëpinë. Ndërsa i kanë vendosur flakën një peme.

Ora 07:46
Momenti kur banorët  e ‘5 Majit’ hedhin shashka në drejtim të policisë

Me tensione mes policisë dhe banorëve po shoqërohet protesta e banorëve të 5 Majit ditën e sotme teksa pritet që të shemben 12 shtëpi. Banorët të bashkuar po rezistojnë, ndërsa po shtyjnë efektivët. Njeri prej tyre ka hedhur edhe një shashkë, duke krijuar panik.

Ora 07:21
Përplasje tek ‘5 Maji’, banorët sulmojnë policinë me shkopinj (VIDEO)

Banorët e zonës së 5 Majit janë përplasur me policinë, ndërsa i kanë sulmuar këto të fundit me shkopinj. Kjo ka bërë që efektivët të largohen për disa metra.

Ora 06:40
'Rezistenca' e '5 majit', mbërrijnë forcat policore, banorët përpiqen të moblizohen me njëri-tjetrin

Protestës së '5 majit' i janë bashkuar forcat blu. Banorët përpiqen të moblizohen me njëri-tjetrin për të ndaluar depërtimin e policisë. 

1645508795_rezistenca.jfif

Pamje nga Protesta
Ora 06:36
Protesta e ‘5 majit’/ Mbërrin OSHEE për ndërprerjen e energjisë elektrike, nuk lejohen nga banorët

 

 

Protesta e ‘5 majit’ e cila ka nisur rreth orëve të para të mëngjesit ka vijuar me prezencën e OSHEE me qëllim ndërprerjen e energjisë eletrike. Banorët përpiqen të bllokojnë ndërhyrjen.