Fati misterioz i pikturave që bëri për
gardianët e burgut, Edison Gjergo

Fati misterioz i pikturave që bëri për<br />gardianët e burgut, Edison Gjergo
Abaz Hado dhe Artan Shabani zbulojnë në mbrëmjen e dytë të Festivalit të Artit të Ndaluar të fshehta nga arti i Edison Gjergos, shkaqet e dënimit të tij, mbi interpretimet e tablosë “Epika e yjeve të mëngjesit” etj...
  
Në mbrëmjen e dytë të Festivalit të Artit të Ndaluar, mbajtur në Bunk’Art, në dhjetor 2015, u kujtua jeta dhe karriera e piktorit Edison Gjergo dhe kryesisht rasti i tablosë së famshme “Epika e yjeve të mëngjesit”, e cila u bë edhe shkak për dënimin e artistit.

Shumë anë kurioze, e të panjohura nga krijimtaria e Gjergos u zbuluan nga të ftuarit e kësaj mbrëmjeje: drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Artan Shabani dhe studiuesi i artit Abaz Hado i cili po përgatit këto kohë një monografi të piktorit Gjergo. Shqiptarja.com, sjell për lexuesit pjesët më interesante të kësaj bisede zhvilluar në sallën e Bunkar’Art.   
 
BLEDI STRAKOSHA: Piktura dhe arti në përgjithësi është shumë subjektiv. Si ndodh që të ndalohet arti i lirë në një sistem politik absurd siç ka qenë ai në kohën e regjimti komunist?
ABAZ HADO: Në fillim duhet të sqarojmë një moment shumë interesant dhe një paradoks njëherësh që ka ndodhur në Shqipëri sepse më parë arti shqiptar ka filluar nga Perëndimi, ka ardhur nga era e Perëndimit, dhe kjo fillon me Kol Idromenon në vitin 1883 kur shkëputi artin pamor shqiptar nga ikonografia kishtare për ta kaluar në artin e ri, në artin e realizmit sepse ai kishte studiuar në Itali. Pra, nga kjo pikëpamje dhe shumë artistë të tjerë që erdhën pas tij, përgjithësisht kishin studiuar në Itali e deri në Francë. Pra, ne kishim një rrymë Perëndimore. Ndërkohë që perandoria ruse po kristalizonte dhe po formonte artin e realizmit socialist, ku reformoi sistemin e vet të pikturës, sigurisht kryesisht në të gjitha degët e artit, por kjo e përqendruar më shumë në pikturë sepse muzika dhe letërsia kishin një traditë shumë të fortë, ashtu siç e kishte edhe piktura, por Stalinit i interesonte më shumë imazhi dhe e ndryshoi sistemin duke futur metodikat e realizmit socialist, diku në vitet 1930-1932, ku bëri edhe ai gijotinën e vet duke bërë të parin viktimë komisarin e popullit Lunaçaskin, i cili luftonte që në artin pamor të mos kishim rryma sepse e përmend këtë vetëm për faktin që ai luftoi që një shtet nuk mund të përkrahte vetëm një rrymë, por duhet t’i lërë konkurrim të lirë rrymave, aq më shumë në atë kohë kur në botën e artit kishin shpërthyer rryma të ndryshme, më të mëdha që kishin bërë epokë botërore. Ndërkohë, realizmi socialist lindi si rezultat i konvertimit të një rryme të re dhe jo pa qëllim në perandorinë ruse kjo u quajt me entuziazëm që “ne po shpikim rrymën e re të kohës”, pra duke sfiduar në këtë mënyrë rrymat perëndimore të arteve në Shtetet e Bashkuara, në Francë kryesisht dhe në vende të tjera. Pra, ky ishte një paradoks që vinte nga Lindja dhe kjo pastaj u implementua te vendet ku Rusia pas Luftës II Botërore kishte influencat e veta, ku ndër to bën pjesë edhe Shqipëria. Por duhet të themi që deri në vitet 50-të Shqipëria ruajti formën dhe strukturën pikturale dhe konceptin e pikturës perëndimore, të realizmit perëndimor, ndërkohë që me ardhjen e shumë studentëve nga Bashkimi Sovjetik këtu filloi të futet fryma e militantizmit, fryma e entuziazmit, fryma e asaj që ndërkohë do të kemi edhe një gjë tjetër, që komunizmi edhe në Shqipëri filloi të bëhej shumë aktiv, filloi të dalë, të eksplorojë dhe të zaptojë të gjithë jetën politike të vendit, ndryshe nga vitet 1945-1950, filloi të shtrijë të gjitha tentakulat e veta duke përfshirë të gjitha fushat e jetës. Në këtë kohë futet edhe metodika e realizmit socialist, me forcë, jo se kjo nuk ishte përcaktuar sepse ne kemi në vitin 1945 që në një ekspozitë të parë arti u përcaktua si një rrugë, të cilën artistët shqiptarë po gjenin rrugën e tyre, pra ishte rruga e socializmit. Pra, herë pas here, gjithmonë kjo në artin pamor partia në pushtet ka influencuar që të ketë kontrollin sepse, thashë, jo vetëm Stalini interesohej për imazhin sepse imazhi ka forcë të ndikojë më direkt se sa letërsia sepse letërsia, poezia do lexuar, muzika do dëgjuar, filmi do shikuar, ndërsa arti pamor godet më shumë, është më afër publikut dhe si i tillë ka shërbyer më shumë dhe jo pa qëllim, u bë një ndasi: piktorët që i shërbenin komunistëve dhe ata që ishin kundër. Dhe në këtë rast, mbrëmja sonte i kushtohet një artisti me përmasa vërtet të jashtëzakonshme, Edison Gjergos.
 
Zoti Shabani, unë jam shumë kurioz për gjendjen aktuale të Galerisë Kombëtare të Arteve me këto vepra të para viteve 90-të. Ç’është bërë me këto? Domethënë, në momentin që dënohej dikush dhe veprat konsideroheshin të zhdukura, kështu thuhej në popull, zyrtarisht shteti i digjte, i shkatërronte apo ato ruheshin diku dhe sot i gëzojmë, mund t’i shohim.
ARTAN SHABANI: Në atë periudhë veprat e ndaluara ose veprat e censuruara janë mbyllur në një magazinë të Ministrisë së Kulturës ose ndoshta të Galerisë Kombëtare të Arteve. Kanë qenë ato dhomat e errëta, janë të bllokuara dhe fati për t’u ekspozuar ka qenë pas viteve 90-të, me rënien e murit të Berlinit. Edison Gjergo dhe të gjithë kolegët e tij, në fundin e viteve 60-të, kishin entuziazmin, pasionin, që me gjestin artistik të sillnin një frymë të re, një frymë më të freskët që të dilnin nga korniza e bolshevizmit, e stalinizmit. Pra, të sillnin diçka evropiane në kontekstin e realizmit socialist në përmbajtje, por me penelatë ndryshe, me një liri interpretimi, me një gjest artistik më origjinal, më autentik. Dhe kjo gjë iu kthye pastaj në dënim, në vitet ’73, nga mbledhja e 26 qershorit, në Plenumin e 4-t të KQ të PPSH dhe më vonë bëhet një plenum tjetër që është Plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ku filluan shkarkimet në masë, dënimet me burg. Edisoni është dënuar 7 vjet, Maks Velo, Edi Hila që u çua në ndërmarrje pularie, Ali Oseku e disa artistë të tjerë, Vilson Kilica në Fier e të tjerë. Pra aty është revolucioni kulturor që Plenumi i 4-t e dënoi. Pastaj kjo kalon edhe në ushtri, në ekonomi, në sektorin e naftës si një reaksion zinxhir.
 
ABAZ HADO: Për ta plotësuar Artanin po them edhe një gjë, që për veprat e këtyre artistëve kanë qenë dy vlerësime: artistë të cilët dënoheshin, ku bënin pjesë Edison Gjergo, Maks Velo, Ali Oseku dhe disa të tjerë që u dënuan direkt. Sigurisht veprat e tyre jo vetëm që janë futur në magazinat e Galerisë diku te “21 Dhjetori”, ku ruheshin veprat që nuk ekspozoheshin. Por ajo që ishte më fatale ishte sepse po nga institucioni i Galerisë, pra nga institucioni artistik, për këto vepra nuk kishin kujdes që t’i ruanin, përkundrazi janë gjetur vepra të cilat janë mbajtur në mëshirë të fatit, ashtu siç kishte edhe vepra të tjera më vonë, të cilat ishin me shfaqje të huaja ose vepra të cilat artisti për arsye të ndryshme dënohej nuk ekspozoheshin dhe kishin të njëjtin fat. Pra, që ta kuptojnë edhe këta të rinjtë sot si edhe publiku i televizionit tuaj, që ka qenë një gjë absurde, që në mentalitetin e sotëm nuk ke se si i argumenton dhe se si i justifikon veprime të tilla, të cilat jo vetëm që e ndalonin artistin por i hiqnin atij edhe çdo lloj të drejte, ia mohonin çdo lloj të drejte krijimtarie që ai të dilte para publikut. Pra ky është një absurditet.
 
Natyrisht që ne sonte do të përqendrohemi shumë te piktori i mirënjohur Edison Gjergo, por ka pasur edhe shumë emra sikundër e përmendët edhe ju, siç u tha edhe në insert, që kanë pasur të njëjtën fatkeqësi. Karriera e tyre është ndërprerë pikërisht në momentin më kulmor, siç ka ndodhur edhe në rastin e z. Gjergo, apo jo...
ABAZ HADO: “Epika e yjeve të mëngjesit”. Në fakt janë disa vepra të cilat dalin nga vitet 1969-1971. Janë vepra të cilat krijojnë një impakt tjetër. Vjen një brez i cili interesohej më shumë për një pikturë më moderne, për një pikturë e cila ishte më në frymë të kohës sepse ajo që ne thamë që fryma e komunizmit që erdhi nga studentët sigurisht solli një dinamikë në pikturën shqiptare, por solli edhe frymën e komunizmit. Pra disa vepra ishin vërtet që vetëm ilustronin ngjarjet politike të kohës, deri edhe kongreset e partisë, deri edhe fjalimet e udhëheqësit komunist, aksionet e rinisë, entuziazmin për ndërtimin e komunizmit. Pra të gjitha këto gjenin vend në tablo dhe këta artistë të cilët kishin një koshiencë më të madhe artistike, një talent, këta tentuan që të bëjnë diçka tjetër. Pra ishin një brez, që në këto vepra, për fatin tonë, pati një lloj shkëndije, një lloj lidhje me rrymat perëndimore në vitet 1969-1972, ku përkon me disa aktivitete si Festivali i 11-të i Këngës në RT, me disa botime, edhe në kinematografi e në teatër me dramën “Njollat e murrme”, me disa filma që patën një impakt shumë të rëndësishëm dhe ndikuan shumë në jetën perëndimore të Shqipërisë, të ndryshimit të konceptit lindor, por papritmas mbi këto filloi një plenum ogurzi, një plenum që nga pikëpamja e të gjitha strukturave të veta ishte censura më e egër. Aty u dënuan, u shanë, u persekutuan, u etiketuan, u tallën edhe njerëzit që kishin bërë ndonjë koment për këto vepra. Pra aq shumë e fortë ishte goditja saqë edhe mbledhja e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ishte e tmerrshme. Unë kam gjetur një letër që i dërgonte sekretari i përgjithshëm i Lidhjes, para fillimit të mbledhjes, se çfarë duhej të bëhej në atë mbledhje. Ky është një dokument që vërtet është shembull i një censure, i një lufte pa princip për të ndaluar gjithçka perëndimore, gjithçka të mirë që po ndodhte me artin në Shqipëri.
 
Në rastin konkret të z. Gjergo, si ndodh që një vepër që duartrokitet nga pushteti, nga regjimi, të dënohet bashkë me autorin, pikërisht në kulmin e suksesit. Unë dua ta shoh pak ndryshe këtë gjë. Mos ka qenë ndonjë moment për t’u shfrytëzuar nga njerëz që kanë ndjerë konkurrencë të fortë nga ky piktor?
ABAZ HADO: Unë kam qenë në Lice në atë kohë. Ka qenë kjo që për shfaqje të huaja, për ndikime të huaja në krijimtari. Te Maks Velo ka një tjetër gjë. Kundër tij kanë vepruar edhe kolegë të tij. Por në këtë rast duheshin të bëheshin shembuj. Dhe shembulli më i mirë në artin pamor ishte Edison Gjergo sepse kishte bërë një vepër e cila kishte pasur impakt në publik. Ashtu si Sherif Merdani e Justina Aliaj në këngë etj., “Njollat e murrme” e Minush Jeros, pra vepra të cilat ishin spikatur, madje ishin cilësuar edhe përçmime dhe papritmas ndaj këtyre veprave që u pëlqyen nga publiku, nga kritika (këtu qëndron dhe paradoksi), nga profesionistë, u quajtën si vepra që vërtet kishin një ndryshim nga ajo çka ishte sjellë deri atëherë në artin e kohës, pra pikërisht pas kësaj, këta artistë dënohen pikërisht nga ai vend prej nga ku nuk duheshin dënuar, nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, e cila duhej të ishte mbrojtja kryesore.
 
Të flasim pak për tablonë “Epika e yjeve të mëngjesit”. Mund të na thoni se çfarë mesazhi nuk shkonte sipas gjykimit tuaj për kohën?
ARTAN SHABANI: Ideja e komunizmit ishte ndërtimi dhe konsolidimi i njeriut të ri, në një format totalisht të censuruar dhe në një lloj skenografie jashtë kontekstit perëndimor. Pra këta artistë çfarë risku kishin? Pse vajtën në burg? Sepse influenca në veprën e tyre, me gjuhën që ata komunikonin, gjestin artistik apo me shkrimet e tyre, me tingujt e tyre, sollën një Evropë, pra një ajër të hapur evropian në Shqipërinë tonë të vogël dhe të izoluar. Dhe kjo çfarë provokoi? Provokoi një entuziazëm te të rinjtë e te të rejat, sepse ata e perceptojnë menjëherë entuziazmin dhe vitalitetin e një shoqërie. Pra, dashuria dhe dëshira për të jetuar bukur me gjithë instrumentet që ne na rrethojnë dhe çfarë ne mund të krijojmë. Dhe kjo krijoi një gjendjen shoku te rinia revolucionare. Rinia revolucionare ishte ai mendimi opozitar ose kritik që shikonte se çfarë ndodhte me kulturën, me shoqërinë, me piktorët dhe këta i shkruanin Komitetit Qendror të Partisë. Edison Gjergo, Edi Hila dhe të gjithë emrat e tjerë që ne përmendëm, ishin emra që shteti vetë i financonte, pra ua blinte veprat për fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ose për ekspozitat e nëntorit. Pra ishte një entuziazëm nga këta artistë kur një ditë “të bukur”, më saktë të errët, po për këto vepra, po për këtë entuziazëm, po për këto duartrokitje, këta bënë burg politik.  
 
Abaz Hado: Gjergo ishte një artist shumë i ndjeshëm, me potenciale shumë të mëdha krijuese, të cilat vërtet i tregon, i pasqyron dhe i transmeton shumë fort edhe në veprën e tij “Epika e yjeve të mëngjesit”, ashtu sikundër edhe te portreti i fonditorit, ashtu sikundër edhe në vepra të tjera si “Lapidari” për 5 Majin, “Shote Galica”, “Endëset”, e cila është ekspozuar në një ekspozitë fill pas daljes nga burgu. Janë vërtet vepra që tregojnë se ai është një nga artistët më të talentuar te ne dhe me jetën më tragjike. ABAZ HADO: Nëse do ta shohim veprën “Epika e yjeve të mëngjesit”, kjo vepër nuk ka atë skandalozen që kërkohet. Ku është paradoksi? Ku është faji, gabimi? Ajo vetëm se kishte pak forma të kubizmit, një traktim piktoresk ndryshe dhe ajo ku u kapën më shumë ishte se nuk kishte figurën e komisarit, komandantit, të heroit, por ishte deheroizmi, pra, ti mund të mos e pëlqesh si vepër arti por me artistin çfarë ke që e plas në burg. Burgu ishte dhe u krijua sepse nuk u kapën vetëm piktorë, pra nuk u futën në burg vetëm piktorë, u futën edhe aktorë, regjisorë, dramaturgë, këngëtarë e artistë të tjerë. Disa i burgos, disa të tjerë i çon për të punuar në bujqësi, miniera. Puna nuk është turp por nder, por një artist që ka një destinacion tjetër, ti ia prish këtë destinacion. Pra ky është paradoksi sepse nuk kuptohet që realizmi socialist në vitet 70-të kishte filluar të lëngonte nga dekadenca dhe këta artistë që kishin intuitë dhe talent kuptuan që duhej të ndryshonte diçka. Dhe tentuan ta bënin këtë gjë.
 
Çfarë ndodhi me krijimtarinë e tij pasi Gjergo u burgos?
ABAZ HADO: Unë kam marrë të dhëna shumë të sakta dhe mund të them një gjë shumë tragjike, që një shoku i tij i burgut (shok i ngushtë i Edisonit edhe para burgimit) ka treguar se Edison Gjergo e parandjeu që po i vinte rrotull arrestimi pasi e kishin thirrur në hetuesi dhe kishte çuar te ky shoku rreth 15 vepra pikture të cilat ai i mbajti në shtëpi dhe në momentin kur u arrestua Edisoni, ky shoku e kishte të qartë që do shkonin edhe në shtëpinë e tij sigurimi i shtetit për kontroll. Ndërkohë gruaja e tij, pa e vënë fare në dijeni, i ka marrë këto piktura, i ka mbledhur me plastmas dhe i ka futur në pus, me qëllim që t’i merrte përsëri pas kontrollit. Sigurimi mori me vete edhe burrin e saj dhe kështu u bënë të dy edhe shokë burgu. Edhe diçka tjetër nga jeta e piktorit që bëhet publike për herë të parë, është që në burg Edison Gjergo ka pasur një rast kur ka rrëshqitur gati 150 metra në borë, duke punuar në kushte shumë të vështira, dhe ka rënë në humnerë, por ka shpëtuar me vështirësi. Pastaj ajo që është tragjike, është se shumë policë të cilët ishin gardianë burgu në Spaç kanë nga një vepër të Edisonit  vetëm e vetëm për t’i dhënë një cigare apo një ushqim. Kjo është një gjë shumë tragjike. Unë akoma nuk kam rënë në gjurmët e këtyre policëve dhe do ta ndjek këtë çështje, sigurisht për të parë se çfarë krijimtarie është kjo krijimtari e viteve të burgut të Edison Gjergos sepse ka një terr nga kjo pikëpamje, i cili e shoqëron të gjithë jetën e tij edhe për faktin që bashkëshortja e tij u largua për në Itali duke lënë pas edhe ajo një enigmë të madhe për jetën e këtij njeriu sepse mungojnë shumë të dhëna interesante për jetën e tij. Por, unë u them edhe këtyre të rinjve që, nëse artisti Edison Gjergo, Edi Hila, Maks Velo, nuk do të ishin talente, ose do të kishin një liri të madhe, të jenë të sigurt se do të ishin artistë të kalibrit botëror.
 
Sa vepra të tij ruhen në Galerinë e Arteve?
ARTAN SHABANI: Galeria ka 4-5 vepra të Edison Gjergos. Tani po rikonceptohet kjo pjesë e linjës muzeale. Për disa ditë është e përfunduar. Do të jenë vepra të Edi Hilës, të Edison Gjergos, të Maks Velos e të artistëve të tjerë.  
 
Në pikturat e periudhës së komunizmit, mungon së pari feminiliteti, e po ashtu ndihet fryma politike...
ABAZ HADO: Sepse piktura filloi të bëhej ilustrim i politikës, pra, ngjarjet politike filluan të gjejnë pasqyrimin në pikturë. Pra piktura filloi të pasqyronte atë që thoshte politika. P.sh. ka qenë mbajtur një plenum në Mat në vitin 1967 dhe menjëherë pas kësaj ngjarjeje u dha porosia që të fillonte krijimi i veprave për këtë ngjarje. Vepra për prishjen e zakoneve prapanike. Filluan të bëhen skulptura.
 
ARTAN SHABANI: Nuk ka gjë më të trishtuar kur një femër e trajton si burrë. Ky është kulmi i idiotësisë sepse i heq femrës feminilitetin, pra nuk e trajton si femër. Në artin shqiptar femrës i jepet një mision ushtarak, në kantier ndërtimi, në metalurgjik.

ABAZ HADO: Te vepra e Edison Gjergos ka një partizane që ka një lule. Nuk është ndonjë portret i bukur, por ky detaj është i bukur. Qëndrimi i saj është kaq femëror dhe veprimi që ajo bën me lulen. Zor se mund ta gjesh në ndonjë vepër tjetër.
 
ARTAN SHABANI: Pra ia ka hequr femrës atë pjesën ushtarake dhe i ka dhënë feminilitetin me atë lule.
 
ABAZ HADO: Për hir të së vërtetës, që këta artistë edhe pse bënin artin zyrtar, ishte krejt ndryshe ai që bënin në studio sepse ne sot na rezulton që kemi art të dyfishtë, pra ndryshe arti zyrtar që realizonin dhe krejt ndryshe ai i studios që kishte atë frymën që kërkohej realisht pa shfaqjet e heroit pozitiv, të njeriut të ri, të njeriut skematik sepse doli një pikturë e tematikës dhe e skematikës për njeriun e socializmit.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore