Vitet 2013–2025 përfaqësojnë një periudhë me reforma të rëndësishme, investime publike dhe zhvillime institucionale që kanë ndikuar në jetën e qytetarëve tanë. Edhe pse është bërë shumë, zhgënjimi nga jeta e vështirë dhe me sakrifica në emigracion, nga administrata jonë publike jo rrallë herë jo-profesionale dhe fodulle, si dhe nga arroganca e një pushteti 14 vjeçar, kanë sfumuar, zeruar ose shtrembëruar shumë nga gjërat e mira që janë bërë deri tani.
Njësoj si nxehemi me bahçevanin që na ka rregulluar kopshtin para shtëpisë, por ka lënë pa hequr nga përpara portës së shtëpisë tufën e barërave të këqija të shkulura prej tij, apo me marangozin që na ka rregulluar dhomën e gjumit, por na ka bërë shumë pluhur dhe tym, shumë prej nesh harrojnë të mirat e këtyre 14 viteve.
E mira e të mirave është Reforma në Drejtësi. Ajo konsiderohet ndryshimi më i rëndësishëm institucional i shtetit tonë në 36 vitet e fundit, me krijimin e SPAK dhe BKH. Këto institucionet të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë rritur ndjeshëm hetimet dhe procedimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe grupeve kriminale.
E mira e dytë e madhe është hapja e negociatave me Bashkimin Evropian dhe mbyllja e tre kapitujve të parë të marrëveshjes me të. Shqipëria arriti të hapë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me BE-në dhe të hapë të 33 kapitujt e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, një objektiv strategjik kombëtar. Vendi ynë po bën mirë edhe me mbylljen e disa prej tyre që këtë vit. Qeveria e sotme dhe drejtuesi i saj shihen me sy të mirë nga Brukseli.
E mira e tretë e madhe është digjitalizimi i shërbimeve publike. Platforma e-Albania ka reduktuar ndjeshëm burokracitë, duke mundësuar marrjen online të qindra shërbimeve administrative dhe kursimin e 385 milionë eurove për qytetarët dhe mijëra vite jetë në sorollatje dhe humbje kohe mes sporteleve dhe sekserëve.
E mira e katërt e madhe përbëhet nga investimet në infrastrukturën rrugore dhe lejimi e inkurajimi i një privati që të rrisë trafikun ajror civil në Shqipëri katër herë nga viti 2018, me investimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Janë ndërtuar ose rehabilituar segmente të rëndësishme rrugore që kanë përmirësuar lidhjet ndërmjet rajoneve të vendit. Riviera e vendit arrihe t për 45 minuta më shpejt dhe rrugët e reja dhe qendrat urbane ju kanë shtuar vlerën 402 mijë apartamenteve të shqiptarëve me 3.8 miliardë euro më shumë, për shkak të këtyre rrugëve të reja.
E mira e pestë e madhe është zhvillimi i turizmit, nga kanë përfituar me dhjetra mijëra familje tonat që kanë dhënë me qira apartamentet ose dhomat e tyre me AirBnB. Shqipëria është shndërruar në një destinacion gjithnjë e më të njohur ndërkombëtarisht, duke regjistruar rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, fondet e sjella në Shqipëri nga turizmi ishin 5.5 miliardë euro për vitin 2025.
E mira e gjashtë e madhe janë investimet në energji. Janë zhvilluar projekte të rëndësishme energjetike dhe janë shtuar investimet në energjinë diellore dhe atë fotovoltaike. Sot Shqipëria prodhon energji elektrike nga fotovoltaikët pesë herë më shumë, nga sa prodhonte në vitin 2022. Një në nëndë kilovatorë e prodhon nga energjia diellore, duke ulur varësinë nga nafta e shtrenjtë.
E mira e shtatë e madhe është shtimi i pagës minimale 2.5 herë, nga 22 mijë lekë në fund të vitit 2012, duke ndikuar pozitivisht tek punonjësit me të ardhura më të ulëta.
E mira e tetë e madhe është shtimi e pensioneve. Pavarësisht se nga pak, pse pensionistët janë partia më e madhe e vendit, pensionet po rriten shpesh në dy vitet e fundit. Vitin e ardhshëm nga 1 janari 2027, shtesat mujore do dyfishohen për 565 mijë pensionistë.
Kush na i ka bërë dhe po na i garanton këto të mira dhe disa të tjera më pak thelbësore se këto? Kemi një ekip që e ka një kryepunëtor. Ky kryepunëtor po na kërkon sërisht besën, pas shkundjes së mrekullueshme që i bënë arrogancës 14 vjeçare të pushtetit 10 ditët e para të pasra e të sinqerta të protestës më paqësore dhe më rinore që ka njohur vendi.
A duhet t’ia japim sërisht besën?
Komente











