Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX), e cila nisi aktivitetin e saj tregtar në fund të vitit 2023, po konsolidohet me shpejtësi, si një mekanizëm transparent dhe efiçient për tregtimin e energjisë elektrike në Shqipëri dhe në rajon.

Volumet e tregtuara të energjisë në ALPEX për vitin e kaluar arritën në 1,670,734 megavat-orë (MWh) gjatë vitit 2025, duke regjistruar një rritje prej 42 përqind, krahasuar me vitin 2024. Sipas raportit vjetor të ALPEX, vlera totale e transaksioneve të blerje-shitjes së energjisë arriti në 369.46 milionë euro, rreth 370 milionë euro, ndërsa çmimi mesatar u regjistrua në 118.38 euro/MWh.

Rritja e volumit dhe e aktivitetit në bursë tregon zgjerimin e tregut të energjisë dhe rritjen e rolit të ALPEX në tregtimin transparent dhe konkurrues të energjisë në Shqipëri.

ALPEX-treg i përbashkët Kosovë-Shqipëri

Bursa shqiptare është konceptuar si bursë e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke shërbyer si një hap i parë drejt integrimit të plotë të tregjeve energjetike të Ballkanit. Funksionimi i saj përputhet me standardet e Entso-E dhe direktivat e Bashkimit Evropian, duke e afruar Shqipërinë me tregun e përbashkët energjetik evropian.

Operatorët kryesorë të ALPEX janë KESH, OSHEE Group, si dhe një numër i konsiderueshëm kompanish private prodhuese nga burime hidrike dhe fotovoltaike. Bursa shqiptare ka filluar të tërheqë edhe aktorë rajonalë, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke rritur integrimin e tregjeve të energjisë në Ballkan.

Operatorët kryesorë të ALPEX janë KESH, OSHEE Group, si dhe një numër i konsiderueshëm kompanish private prodhuese nga burime hidrike dhe fotovoltaike. Bursa shqiptare ka filluar të tërheqë edhe aktorë rajonalë, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke rritur integrimin e tregjeve të energjisë në Ballkan.

Përfitimet nga ALPEX
Tërheq kompani rajonale
Ofron një platformë të hapur dhe transparente
Ul varësinë nga marrëveshjet bilaterale jo-transparente
Ul gradualisht kostot e energjisë për bizneset dhe familjet
Balancon më mirë prodhimin me konsumin 
Pakëson rreziqet e mungesës së furnizimit me energji

 Rritja e transaksioneve në ALPEX po ul gradualisht varësinë nga marrëveshjet bilaterale jo-transparente, duke e bërë tregun tonë më të hapur dhe konkurrues. Bursa po ofron gjithashtu sinjale reale të tregut për çmimin e energjisë, të cilat ndihmojnë në planifikimin më të mirë të investimeve të reja në sektor. 

ALPEX ofron një platformë të hapur dhe transparente ku çmimi i energjisë formohet nga oferta dhe kërkesa, duke reduktuar hapësirën për marrëveshje jo-transparente. Kjo i jep mundësi operatorëve privatë të hyjnë në treg në kushte të barabarta, duke nxitur konkurrencën dhe duke ulur kostot për konsumatorin final. 

Përmes bursës, Shqipëria siguron të dhëna të qarta mbi çmimet dhe volumin e energjisë, të cilat janë thelbësore për planifikimin e politikave publike dhe investimeve private. Investitorët në energji të rinovueshme, sidomos në fotovoltaikë dhe erë, mund të bazojnë vendimet e tyre në një treg që reflekton realisht çmimin e energjisë. 

Një treg i organizuar si ALPEX lejon po ashtu edhe balancimin më efikas të prodhimit dhe konsumit, duke reduktuar rreziqet e mungesës së furnizimit. ALPEX po lidhet gjithnjë e më shumë me operatorët e rajonit, çka do të thotë se Shqipëria mund të importojë apo eksportojë energji në mënyrë më fleksibël, në raste krize. 

Pse tregtohet lirë në ALPEX?

Tregu ditor ( “day-ahead market”) ka qenë segmenti më i rëndësishëm, ku janë realizuar mbi 85 përqind e shitberjeve të energjisë. Tregu brenda ditës (në gjuhën teknike “intraday market”), i cili lejon balancimin në kohë reale të energjisë, ka nisur të gjenerojë interes në rritje, sidomos gjatë muajve me prodhim të lartë nga burimet tona hidrike. 

Çmimi mesatar i energjisë në ALPEX gjatë periudhës janar–korrik 2025 ka qenë 91 euro/MWh, më i ulët se mesatarja evropiane, kryesisht për shkak të kushteve të favorshme hidrike në vend. Krahasuar me vitin 2022, kur tregjet rajonale regjistruan çmime të larta të shkaktuara nga kriza energjetike globale, ky stabilitet paraqet një përmirësim për konsumatorët dhe bizneset tek ne. 

 Çmimet mesatare ALPEX, HUDEX(bursa e Budapestit), MEMO dhe MEPX
122,37 euro/MWh (Hungari)
134,02 euro/MWh (Maqedoni e Veriut)
116,84 euro/MWh (Mal i Zi)
118,38 euro/MWh (Shqipëri)

 Në muajin korrik 2025, vetëm tregu ditor i ALPEX regjistroi mesatarisht mbi 25 GWh energji të tregtuar, duke e vendosur Shqipërinë në një linjë krahasuese me bursat e tjera të reja të rajonit, si MEMO e Maqedonisë së Veriut, MEPX e Malit të Zi, etj.

Tradicionalisht, energjia tek ne është tregtuar përmes kontratave bilaterale jo gjithmonë transparente. ALPEX e ndryshoi këtë realitet, duke ofruar një mekanizëm publik, ku çdo operator ka mundësi të konkurrojë për të blerë apo shitur energji në kushte të barabarta. Duke siguruar çmime më të qëndrueshme dhe konkurruese, bursa ndihmon në stabilizimin e tregut dhe uljen e kostove për bizneset dhe familjet. 

Rëndësia e ALPEX shkon përtej shifrave të tregtisë së energjisë. Bursa është një instrument strategjik për rritjen e besimit të investitorëve, forcimin e sigurisë energjetike dhe përshpejtimin e integrimit rajonal dhe evropian të Shqipërisë.  Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) përfaqëson sot një prej reformave më të rëndësishme strukturore të dekadës së fundit në sektorin energjetik shqiptar. 

Sfida e saj kryesore mbetet rritja e pjesëmarrjes së aktorëve privatë, zhvillimi i produkteve të reja financiare të tregut dhe integrimi i plotë rajonal, të cilat do të vendosin ALPEX në një rol qendror për sigurinë energjetike të vendit dhe të gjithë Ballkanit.