Sot protestuesit, në ditën e 21-të të protestave dhe në numrin më të madh në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, zgjodhën, sërisht në mënyrë anonime, t’i jepnin ultimatum qevberisë për dorëheqje deri të nesërmen, datë 21 qershor 2026.
Historikisht, ultimatumet kanë qenë efektive, kur mbështeten nga një lëvizje apo forcë e organizuar politike, nga një shumicë e gjerë shoqërore, ose nga mekanizma institucionalë që mundësojnë realizimin e kërkesave të tyre.
Ultimatumi si bombë shoqërore dhe ekonomike
Në të kundërt, një ultimatum pa një plan të qartë për fazën pasuese, por vetëm me bombën shoqërore dhe ekonomikë të mosbindjes civile, rrezikon të krijojë pritshmëri të parealizueshme dhe zhgënjim tek mbështetësit.
Nëse kërkohet dorëheqja e qeverisë, pyetjet që lindin natyrshëm janë: Cila është alternativa qeverisëse? Kush do ta administrojë vendin pas dorëheqjes dhe largimit të qeverisë? Cili është programi politik që propozohet? dhe Përmes cilëve mekanizma demokratikë do të realizohet tranzicioni?
Pa përgjigje të qarta për këto pyetje, protesta mund të perceptohet më shumë si një instrument presioni, sesa si një projekt politik me vizion afatgjatë.
Rreziku i zëvendësimit të alternativës politike me kaosin
Në çdo shoqëri demokratike, ndryshimi politik fitohet përmes institucioneve, zgjedhjeve dhe konkurrencës së programeve. Kur mungon një alternativë e qartë dhe fokusi përqendrohet vetëm tek rrëzimi i qeverisë, krijohet rreziku që energjia e protestës të kanalizohet drejt përshkallëzimit të tensioneve. Kërcënimi me mosbindje civile e tregon qartë këtë
Mirëpo kaosi politik nuk është alternativë zhvillimi. Ai mund të sjellë pasiguri për qytetarët dhe bizneset, dëmtim të fortë të imazhit të Shqipërisë së qetë dhe të sigurtë turistike, dëmtim të klimës së investimeve, polarizim më të madh shoqëror, dobësim të institucioneve publike dhe humbje të besimit tek proceset demokratike.
Për një vend si Shqipëria, që synon integrimin evropian, tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e shtetit ligjor, stabiliteti, qëndrueshmëria institucionale mbetet një vlerë themeloree rëndësishme.
Protesta dhe përgjegjësia e saj politike
Një protestë e suksesshme nuk matet vetëm nga numri i pjesëmarrësve apo nga kohëzgjatja e saj. Ajo matet edhe nga aftësia për të prodhuar ide, zgjidhje dhe alternativa. Qytetarët kanë të drejtë të kundërshtojnë qeverinë, por po aq kanë të drejtë të dinë se çfarë propozohet në vend të saj.
Nëse protesta synon ndryshim politik, atëherë duhet të artikulojë qartë objektivat konkrete, programin alternativ, mekanizmat demokratikë të realizimit të ndryshimit dhe garancitë për ruajtjen e rendit kushtetues.
Vetëm kështu protesta mund të shndërrohet nga një akt pakënaqësie në një projekt të besueshëm politik.
A i shërben Shqipërisë alternativa e kaosit?
Shqipëria jonë ka nevojë për debat, kritikë dhe pjesëmarrje qytetare aktive. Por po aq ka nevojë për institucione funksionale dhe për procese demokratike që garantojnë stabilitetin e vendit. Historia e vendeve të ndryshme ka treguar se kaosi rrallëherë prodhon demokraci më të fortë; në shumë raste ai ka sjellë kriza më të thella politike dhe ekonomike.
Prandaj, sfida kryesore nuk është vetëm të kërkohet ndryshimi, por të ndërtohet një alternativë bindëse për ta realizuar atë. Në fund, qytetarët nuk gjykojnë vetëm atë që kundërshtohet, por edhe atë që ofrohet si zëvendësim. Shqipërisë i shërbejnë më shumë zgjidhjet, programet dhe konkurrenca demokratike e ideve, sesa logjika e ultimatumit dhe e përshkallëzimit të tensioneve.
Komente








