Pas vitit 2025 që konsolidoi rritjen ekonomike, qëndrueshmërinë makroekonomike dhe orientimin europian të Shqipërisë, viti 2026 që sapo hyri pritet të jetë një vit i thellimit të zhvillimit.

Në këtë vit, përfitimet nuk do të maten vetëm me norma rritjeje, por me cilësinë e rritjes. Me ndikimin tek qytetarët dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë.

Rritje ekonomike më e qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse

Për këtë vit,  2026, rritja ekonomike pritet të jetë më pak e varur nga faktorë ciklikë dhe më shumë e mbështetur në investime publike dhe në ato private afatgjata, në zgjerimin e sektorëve prodhues dhe në rritjen e shërbimeve me vlerë të shtuar. Kjo do të thotë një ekonomi që rritet jo vetëm “më shpejt”, por edhe më drejt.

Tabela 1. Rritja ekonomike e Shqipërisë 2021-2026
-              Viti 2022                                               +4.9%
-              Viti 2023                                               +3.8%
-              Viti 2024                                               + 3.96%
-              Viti 2025                                               + 3.91%
-              Viti 2026                                               +4.1%

Viti 2026 pritet të shënojë rritje të investimeve të huaja direkte në energji, infrastrukturë, turizëm elitar dhe teknologji, si dhe interes më të madh për Shqipërinë si destinacion afër Tregut të Përbashkë europian. Ky vit do të sjellë përhapje më të gjerë të teknologjisë digjitale në biznes dhe administratë. Kjo do të rrisë njohuritë, standardet dhe so sjellë paga më të mira.

Punësim më i mirë dhe paga më të larta

Një nga përfitimet kryesore të vitit 2026 pritet të jetë shtimi i kërkesës për fuqi punëtore të kualifikuar, duke shkaktuar presion pozitiv për rritje pagash, veçanërisht në ndërtim, industri, shërbime profesionale dhe teknologji, si dhe ulje graduale të informalitetit, përmes digjitalizimit dhe kontrolleve më të zgjuara të administratës tatimore .

Ekonomia pritet të shpërblejë më shumë aftësinë dhe profesionalizmin.

Tabela 2. Rritja ekonomike 2024-2026 në rajon
2024                       2025                       2026
-              Shqipëria                                             3.96%                    3.92%                    4.1%
-              Mali i Zi                                                 3.0%                      3.25%                    3.5%
-              Maqedonia e Veriut                       3.3%                      3.4%                      3.4%
-              Kosova                                                 4.4%                      4.2%                      4.3%
-              Serbia                                                   3.9%                      4.0%                      3.8%     
-              Bosnje-Hercegovina                       3.4%                      3.2%                      3.3%

Në 2026, projektet infrastrukturore do të jenë motorë zhvillimi. Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës që do të përfundojë do ta lidhë më Shqipërinë me tregjet e rajonit dhe BE-në, duke përmirësuar logjistikën, duke lehtësuar eksportet dhe ulur kostot për biznesin. Kjo e bën ekonominë shqiptare më të hapur dhe më konkurruese.

Me rritjen e punësimit dhe pagave, si dhe me shtesat mujorë për pensionistët, konsumi familjar pritet të forcohet. Bizneset e vogla dhe të mesme do të përfitojnë nga kërkesa më e qëndrueshme dhe besimi i qytetarëve tek e ardhmja ekonomike e vendit pritet të rritet. Ekonomia e 2026-s synon të jetë më pranë jetës reale të njerëzve.

Nëse ruhet kujdesi makroekonomik i Bankës së Shqipërisë dhe kjo është e garantuar, inflacioni pritet të mbetet i moderuar, ndërsa kreditimi për biznesin dhe qytetarët të jetë më i lehtë. Kjo krijon një mjedis më të parashikueshëm për investime dhe plane afatgjata.

Afërsia me Bashkimin Europian si avantazh ekonomik

Viti 2026 pritet të forcojë harmonizimin e standardeve me BE-në, rritjen e eksporteve drejt tregjeve europiane dhe përmirësimin e klimës ligjore dhe institucionale.

Integrimi europian do të shndërrohet në këtë vit gjithnjë e më shumë nga proces politik në përfitim ekonomik konkret.

Në tërësi, viti ekonomik 2026 pritet të jetë një vit i përfitimeve të dukshme, ku rritja ekonomike shndërrohet në më shumë punë, më shumë të ardhura dhe më shumë siguri për të ardhmen.

Tabela 3. Pesë sfidat për vitin ekonomik 2026
1. Varësia e lartë nga turizmi
2. Dobësitë strukturore të ekonomisë
•             Produktivitet i ulët
•             Mungesë fuqie punëtore të kualifikuar
•             Emigracion i vazhdueshëm
•             Sektor industrial i dobët
3. Rreziqet fiskale dhe borxhi publik
4. Pasiguritë e jashtme dhe ekonomia globale
5. Inflacioni dhe presioni mbi fuqinë blerëse.

Sfida kryesore do të mbetet menaxhimi i mirë i kësaj rritjeje, por pritshmëritë janë që 2026 të jetë një vit ku ekonomia shqiptare fillon të shpërblejë më qartë përpjekjet e viteve të fundit.