Protestat e zhvilluara në Tiranë gjatë periudhës 31 maj – 10 qershor 2026 kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar. Shumica dërrmuese e mediave të huaja që kanë raportuar me gazetarë edhe në Tiranë, i kanë interpretuar këto protesta kryesisht si një kundërshtim dhe protestë ndaj investimeve të lidhura me Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri.

Duket sikur gazetarëve të huaj, që kanë ardhur dhe apostafat në Tiranë për të ndjekur protestën ditore, nuk u intereson që mesazhi kryesor i protestës është thellësisht politik, i shpërndarë në qindra pankarta dhe mijëra thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë së tij.

Vetëm disa pankarta si ajo e fotos më sipër(e cila lexon në anglisht:”Ivanka, Ivanka, mbaji duart e tua larg nga Narta!”, e gjuajtur” nga CNN International (https://www.facebook.com/cnninternational/photos/the-luxury-venture-has-sparked-large-street-protests-in-the-capital-tirana-where/1366642331997481/), që numërohen me gishtërinjtë e njërës dorë në qindra pankartat e protestës, “magnetizohen” nga mediat ndërkombëtare.

Po pse ndodh kjo? E vërteta e hidhur ka të bëjë me faktin që shumë mediave ndërkombëtare, me sa duket, nuk iu intereson që thelbi i pakënaqësisë qytetare tek ne, lidhet me qeverisjen e vendit, dhe jo me identitetin e investitorëve të huaj. Për ta ky është një rast fatlum për t’i sulmuar pjestarët e familjes së Presidentit amerikan Trump, duke i etiketuar akaparues të perlave natyrore të një vendi të vogël dhe të varfër.

Në të vërtetë, interesimi i tyre është për të ndërtuar diçka të bukur për vendin, duke përfituar, kuptohet edhe ata vetë, njëlloj si provoi të bënte miliarderi hungarezo-kanadez Peter Munk në Durrës në vitin 2006(dhe pastaj e realizoi në Mal të Zi me Porto Montenegro-n) dhe rrjeti Club Med, i 49 fshatrave turistike luksoze kudo në botë, në vitet 2004-2012 me Gjirin e Kakomesë.

Mediat ndëkombëtare këtyre investuesve miliarderë nuk iu vërsulën me dyshime se po akaparojnë pasuritë e një vendi të vogël dhe të varfër si Shqipëria apo Mali i Zi. Me investitore si dy pjestarë të familjes Trump e bëjnë. Dhe dihet se kë duan të godasin dhe stigmatizojnë.

Rreziku i thjeshtimit të një realiteti kompleks

Protestat qytetare rrallëherë kanë vetëm një shkak të vetëm. Ato janë shpesh rezultat i akumulimit të pakënaqësive mbi çështje të ndryshme: korrupsionin e perceptuar, mungesën e transparencës, përqendrimin e pushtetit, mosfunksionimin e institucioneve, problemet ekonomike apo mosbesimin ndaj procesit të vendimmarrjes shtetërore.

Kur një protestë me një sfond të tillë paraqitet ekskluzivisht si një reagim kundër një investimi të caktuar apo kundër një familjeje të njohur ndërkombëtarisht, ekziston rreziku që debati të zhvendoset nga shkaqet e brendshme që kanë nxitur mobilizimin qytetar.

Në të vërtetë, shumica dërrmuese e mijëra protestuesve nuk kanë shprehur kundërshtim ndaj investimeve të huaja si të tilla. Shqetësimi i tyre lidhet me mungesën e transparencës, me mënyrën se si merren vendimet për projekte të mëdha strategjike, me nivelin e munguar konsultimit publik, me transparencën e procedurave dhe me përgjegjësinë politike të institucioneve shtetërore.

Prandaj dhe natyrshëm, fokusi i protestave nuk janë as as Jared Kushner, as Ivanka Trump, apo investitorë të tjerë të huaj, por qeveria shqiptare dhe mënyra se si ajo ushtron pushtetin. Për shumicën e protestuesve, kërkesa politike qendrore ka qenë largimi i kryeministrit dhe ndryshimi i modelit të qeverisjes. Por kjo nuk ka shumë rëndësi për mediat e huaja, për fat të keq.

Roli dhe përgjegjësia e mediave ndërkombëtare

Mediat ndërkombëtare luajnë një rol të rëndësishëm në formësimin e perceptimit global për ngjarjet që ndodhin në vende të ndryshme. Për shkak të audiencës së gjerë dhe ndikimit të tyre, ato kanë përgjegjësinë të paraqesin një panoramë sa më të plotë dhe të balancuar të realitetit.

(Keq)përdorimi i emrave të njohur ndërkombëtarisht, si Jared Kushner dhe Ivanka Trump, mund të tërheqë më shumë vëmendje mediatike, por njëkohësishtka reduktuar dhe thjeshtuar me pa të drejtë kompleksitetin e një proteste qytetare, në një narrativë më të thjeshtë, më sensacionale. Pra, më “scoop”(skandal, drithërimë) mediatik.

Nga ana tjetër, vetë ekzistenca e kundërshtimeve ndaj projekteve të mëdha zhvillimore është gjithashtu pjesë e lajmit dhe mund të jetë një element i rëndësishëm i raportimit. Sfida për gazetarinë mbetet ruajtja e ekuilibrit ndërmjet këtyre dimensioneve.

Çdo analizë serioze e protestave duhet të marrë në konsideratë kontekstin politik dhe shoqëror në të cilin ato zhvillohen. Nëse pjesëmarrësit deklarojnë se motivimi i tyre kryesor është pakënaqësia ndaj qeverisë dhe kërkesa për ndryshim politik, atëherë ky element meriton të pasqyrohet me të njëjtën rëndësi, si dhe debatet për investimet specifike. Në të kundërt, për shkak të papërgjegjësisë ose rendjes së qëllimshme për të sulmuar Trump dhe familjen e tij, ekziston rreziku që publiku ndërkombëtar të krijojë një perceptim të pjesshëm, i cili nuk reflekton plotësisht arsyet e mobilizimit qytetar në Tiranë.

Dëmi i jo-objektivitetit të mediave ndërkombëtare

Mënyra se si raportohen protestat ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si ato kuptohen brenda dhe jashtë vendit. Për fat të keq, shumica e mediave ndërkombëtare pasqyruese të mobilizimit qytetar në Tiranë, e ka zhvendosur fokusin e protestave të 31 majit – 11 qershorit 2026 nga kritikat ndaj qeverisë shqiptare, drejt investimeve të huaja, me shumë dobi për vendin dhe të lidhura me Jared Kushner dhe Ivanka Trump.

Qasja e balancuar dhe objektive e raportimit mediatik duhet të ketë profesionalizmin dhe integritetin, për të pranuar faktin se protestat në Tiranë kanë motivime të shumëfishta. Nëse do të bësh gazetari të vërtetë, raportimi yt mediatik duhet të përpiqet të pasqyrojë këtë kompleksitet, pa e reduktuar atë në një narrativë të vetme, në atë të sulmeve ndaj planeze investuese të Jared dhe Ivanka Trump.

Sfida për demokracinë shqiptare dhe për median e vendit dhe atë ndëkombëtare që pasqyron protestën paqësore, mbetet e njëjtë: të garantojnë që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe të kuptohet në tërësinë e tij, ndërsa debati publik të mbështetet mbi saktësinë, pluralizmin e pikëpamjeve dhe respektin për faktet e verifikuara.