Fatos Çoçoli: Kontrata që sjell më afër 2 miliardë eurot e Durrësit

Fatos Çoçoli: Kontrata që sjell më afër 2 miliardë eurot e Durrësit

Projekti i portit të Durrësit

Ndërtimi i Portit Turistik të Durrësit, i quajtur si investim “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, nuk ka të bëjë vetëm me një port për jahtet, varkat dhe anijet turistike që do të ankorohen aty, sado i madh të jetë ai. Ndryshimi i pamjes së Portit të Durrësit dhe plazhit të tij, si dhe ndërtimi i portit turistik, do t’i shërbejnë të gjithë industrisë së turizmit në Shqipëri, jo vetëm duke rritur prestigjin dhe emrin e saj në të gjithë botën, por edhe të hyrat nga turizmi.

Parashikohet që turizmi në Shqipëri të rritet me 10-12 përqind më shumë(300-360 milionë euro më shumë) çdo vit, nga prurjet për shkak të vizitave turistike gjatë gjithë vitit, në zonën turistike të Durrësit, të ripërmasuar prej projektit.

Rëndësia e investimit

Edhe në sajë të këtij investimi, Spitalla shndërrohet në një miniqytet modern, me 2 mijë apartamente të reja banimi në një nga zonat me fuqi të larte turistike të vendit. I gjithë Plazhi publik(shtetëror) i Durrësit pastrohet me këtë projekt. Pastrohet po ashtu zona e portit të vjetër, nga skorjet dhe ndotja. Durrësi dhe e gjithë zona përreth qytetit frymëmerr, si dhe fiton formën moderne dhe të duhur të zonës turistike numër një të vendit, lehtësisht të arritshme nga ajri, deti dhe rrugët automobilistike. Madje dhe nga hekurrudha elektrike Tiranë-Durrës, e cila ndërkohë do jetë bërë funksionale në vitin 2025, vit kur parashikohet që të 2 miliardë dollarët(eurot) e investimit të sipërmarrësit arab, mik të shqiptarëve, Mohamed Alabbar, të jenë bërë realitet.

Investimi jo vetëm punëson mbi 35 mijë punëtorë sezonalë gjatë të tre viteve të realizimit të tij, por krijon 10-12 mijë vende pune të përhershme si punonjës në portin turistik, në mirëmbajtjen e mjeteve lundruese, në infrastrukturën urbane të Spitallës dhe Durrësit, në dhjetra, në mos qindra agjenci turistike që do të krijohen, për të thirrur turistë nga e gjithë bota, në restorantet dhe baret e shumtë të zonës së re turistike, etj.

Tabela 1. Shndërrimi i portit të Durrësit në portin më të madh të marinave në Evropë dhe në port tregtar të rëndësishëm të kontenierëve në Mesdhe

Investimi realizohet në tre vjet: 2023-2025

Vlera, financuesi dhe zbatuesi

Përfitimet:

·         Hapen vende pune gjatë ndërtimit (35.000 vende të reja pune)

·         Punësim i përhershëm për 12 mijë vetë

·         2.000 apartamente të reja në Spitallë

·         Plazhi i Durrësit kthehet  i gjithi në plazh publik

·         Pastrohet zona e portit të vjetër nga skorjet dhe ndotja

·         Porti tregtar qendron aty, ndersa nje pjese zhvendoset në Porto Romano

2 miliardë euro

Investues:

Mohammed Alabbar, pronar i grupit ndertues “Emaar Properties”, me nje xhiro vjetore 15.5 miliarde dollare, si dhe këshilltar i lartë i Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe

Zbatues:

Kompania “Eagle Hills Real Estate Development” e drejtuar nga Alabbar

 

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Durrësi

Ne shqiptarët, këtë vend, Emiratet e Bashkuara Arabe, nga vjen miliarderi arab që po investon në Durrës, e njohim pak. Si qytetarë, dimë vetëm që është ndër vendet e vogla të Gjirit Persik, shumë të pasura në naftë.  Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një sipërfaqe pak më shumë se tre herë sipërfaqen e Shqipërisë, me afro 10 milionë banorë, por renditen në vend të shtatë në botë për nga niveli i zhvillimit, me të ardhura për frymë 70 mijë dollarë në vit, ose një prodhim kombëtar 647 miliardë dollarë në vit (https://en.wikipedia.org/wiki/United_Arab_Emirates).

Presidenti i vendit, princi i Kurorës Khalifa bin Zayed bin Sultan Al Nahyan është i biri i themeluesit të Emirateve Zayed bin Sultan Al Nahyan, i cili i donte shqiptarët dhe financoi në vitin 1999 ndërtimin e Aeroportit Zayed të Kukësit. Khalifa i qëndroi amanetit të babait dhe na ndihmoi me 2 mijë apartamente në Spitallë për rindërtimin nga tërmeti, ose 70 milionë dollarë.

Porosinë për t’i ndërtuar këto apartamente, Princi i Kurorës ia la arabit të katërt më të fuqishëm në botë, sipas revistës “Arabian Business Magazine(Revista Arabe e Biznesit)”( https://www.arabianbusiness.com/lists/422978-worlds-most-powerful-arabs-2019-32), Muhamed Alabbar, ndërtuesit të më shumë se gjysmës së Dubait, qytetit të mrekullive.

Muhamed Alabbar në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit, Zvicër, 2014

Alabbar erdhi në Shqipëri në dhjetor të vitit 2020 dhe projektoi investimin në Durrës, përtej ndërtimit të 2 mijë apartamenteve në Spitallë, si kontratë me qeverinë e vet. Duke planifikuar  investime nga xhepi i vet rreth 30 herë më shumë, 2 miliardë euro! Po pse?

Këtë na e shpjegon vetë Alabbar më 1 maj 2021, në një intervistë në rrjetin prestigjoz amerikan CNN(https://www.youtube.com/watch?v=BWo0UbP8Gak), ku e quan Shqipërinë “Evropa e Re”. Alabbar ka dalë rrallë herë në intervistë në këtë rrjet, për të deklaruar investime miliarda dollarëshe, që më pas i ka realizuar.

E tillë ishte intervista në CNN më 14 korrik 2018 (https://www.youtube.com/watch?v=-HjaWWVzyPM), kur krijoi platformën tregtare dixhitale “Noon(Mesdita)”, një projekt 1 miliardë dollarë, në bashkëpunim me Fondin e Investimeve Publike të Arabisë Saudite, për t’iu shërbyer 400 milionë arabëve nëpërmjet tregtisë elektronike. 

Tabela 2. Alabbar dhe investimet në rajon

Eagle Hills është një kompani private e investimeve dhe zhvillimit të pasurive të patundshme me qendër në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, e drejtuar nga Mohamed Alabbar. Eagle Hills Properties nenshkroi në prill 2015 me qeverinë e Serbisë kontraten per zhvillimin e Projektit Ujor (Waterfront Project), me vlerë 3 miliardë dollarë. Projekti synonte:

1.       Modernizimin e një hapësire 1.8 milionë metra katrorë

2.       Ndërtimin e qendrës më të madhe tregtare të Ballkanit në Beograd,

3.       Ndërtimin e 5,700 apartamenteve, tetë hoteleve dhe një grataçiel me 42 kate të lartë 200 metra.

    

Investimi u vonua për shkak të lejeve të autoriteteve serbe, por në shtator 2020, qendra më e madhe tregtare në Ballkan me emrin “Mega Galerija” , investim i Alabbar, u përurua në Beograd.

Rëndësia e kontratës

Ndërsa në gusht 2022, u nënshkrua në Tiranë Memorandumi për këtë investim, dje, më 4 nëndor 2022, qeveria miratoi marrëveshjen kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe kompanisë “Eagle Hills Real Estate Development” të sipërmarrësit Alabbar. Kjo marrëveshje do të votohet edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, për të marrë formën dhe fuqinë e ligjit.

Shteti ynë do të jetë partner në projekt, nëpërmjet shoqërisë së përbashkët të krijuar enkazi “Albanian Seaports Development Company, sh.a.(në shqip, Shoqëria Shqiptare e Zhvillimit të Porteve Detare sha)”, por pa shpenzuar para nga buxheti i Shtetit. Në të kundërt, në rast se Alabbar, investuesi privat, shton para në projekt, përqindja e shtetit tonë në investim nuk ndryshon, pavarësisht se paratë i shton vetëm privati.

Marrëveshja kuadër është e rëndësishme, pasi përmes saj mundësohet livrimi i fondeve për nisjen e punëve në terren. Projekti për Portin e Ri Turistik të Durrësit, është investimi më i madh i huaj në rajon, i cili jo vetëm do të transformojë rrënjësisht qytetin e Durrësit, por do ta çojë turizmin në Shqipëri në një tjetër nivel. Ai e vendos vendin tonë në hartën globale të turizmit.

Kontrata në tërësi detajon detyrimet dhe të drejtat e secilës palë pjesëmarrëse në këtë investim, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi ne Shqiperi. Ajo do të shkojë për miratim në Kuvend pasi të diskutohet në komisionet përkatëse.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • minushe: 11/11/2022 09:49

    ketu te ne po si shave investimet e qeverise, je bere per lek apo je shitur, cfare llogjike :)

    Përgjigju
  • minushe: 11/11/2022 09:46

    bravo shkrim me shifra dhe fakte

    Përgjigju
  • zana: 06/11/2022 20:56

    sikur te behej dhe vlora,,shengjini,,velipoja,,saranda,,divjaka,,,si do behet durresi do jete nje mrekulli,,,,i lutemi edi rames te ftoje alabarin kete investitor serioz ne investime te tjera ne bregdet....///

    Përgjigju
  • Ani: 05/11/2022 16:55

    Ik o fatos se ska nevoj per servilizmin tend. Deri dje ishe me popullin, tani more krah...paske ngel pa lek

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë