Fatos Çoçoli: Kushtetuesja dhe djegja e 100 milionë eurove të shqiptarëve

Fatos Çoçoli: Kushtetuesja dhe djegja e 100 milionë eurove të shqiptarëve

Gjykata Kushtetuese

Nga Gjykata Kushtetuese që doli pas vetingut, kemi pritur të jetë një trupë gjykuese me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim në mbrojtjen e Kushtetutës, në rradhë rradhë të parë të frymës së saj, që përfaqëson edhe ndër interesat më jetike të qytetarit, si pronën dhe pensionin.

Mirëpo, deri tani, kjo gjykatë, që duhet të jetë një shtyllë e rëndësishme në themel të shtetit ligjor që duam të ndërtojmë, po na zhgënjen keqazi, me dy kuturisjet e saj tejet problematike në tetë muajt e fundit dhe djegjen e 99.5 milionë eurove për ish-pronarët dhe pensionistët.   

Kuturisja 1: Si u dogjën 2.3 miliardë lekë fond për ish-pronarët
Diçka më pak se tetë muaj më parë, më 9 nëntor 2023,Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës-ankesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, lidhur me zbatimin e ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

Si qytetarë, menduam se Kushtetuesja jonë kishte një shqetësim dhe rezerva të mëdha dhe serioze ndaj këtij ligji, në raport me Kushtetutën dhe frymën e saj, si dhe se do të vendoste në ndihmë të interesave tona.

Kushtetuesja e kaloi këtë ankesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për gjykim të saj, si dhe pezulloi për një kohë të pacaktuar zbatimin e ndryshimeve në ligjin Nr. 77/2022 për pronat, deri në marrjen e vendimit të saj.

Si qytetarë, pritëm tre muaj e gjysmë për këtë vendim të uruar të Kushtetueses. Ligji nr. 77/2022 është shumë i rëndësishëm për ne. Janë me mijëra prej nesh ata që i kanë dosjet e tyre të pronës në gjykatë të shkallës së parë. Me këtë ligj, ata fituan të drejtën t’i tërhiqnin nga gjykata dhe t’i risillnin  në Agjencinë e Trajtimit të Pronave.

 Përfitimet e qytetarëve nga Ligji N.77/2022
- Ligji lidh vendimet për kthim prone me fondin fizik apo financiar të gatshëm për kompensim
- I shkëput qytetarët nga kalvari i gjatë dhe i kushtueshëm i gjyqeve për kthimin e pronës
- Shtyhet afati i kërkesave për njohje pronësie deri në 31 dhjetor 2024. Deri në atë datë, do të shyrtohen 9 mijë kërkesa për kompensim fizik ose financiar të pronës
· Kthimi pa kufizim i pronës së lirë. Nëse statusi i pronës truall rezulton i lirë, pra pronë shtet, pronarit i kthehet automatikisht toka, nëse është truall
· Për toka të zëna nga ndërtime informale, apo ndërtime publike, pronari kompensohet me fonde nga Kadastra.

Me ligjin nr. 77/2022 dhe me dy Vendime të Këshillit të Ministrave, që i siguronin paratë, Agjencia e Trajtimit të Pronave kishte filluar me kompensimet financiare të qytetarëve-pronarë dhe kishte në dispozicion 60 milionë euro çdo vit për ta!

Nuk ishin shumë, për kasaphanën e pronave tek ne, por as edhe nuk ishin pak, për të nisur kthimi i së drejtës së shenjtë të pronës private tek ne.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pezulloi procesin e trajtimit të 7,000 dosjeve të patrajtuara, duke vënë në pikëpyetje një nga proceset më të rëndësishme të shtetit shqiptar, atë të restaurimit të së drejtës së pronës private, përmes kompensimit të pjesshëm financiar,  të përshëndetur nga Bashkimi Evropian  dhe Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Ligji Nr.77/2022 garantonte rivlerësimin e vendimeve dhe procesit të kompensimit, duke sjellë publikimin e 3,876 vendimeve për njohjen e të drejtës së kompensimit. Pezullimi i ligjit solli vonesa dhe shtyrje të zgjidhjes përfundimtare të procesit të kompensimit për qindra dhe mijëra qytetarë, duke djegur fondin e vitit 2023, të caktuar nga qeveria, prej më shumë se 2.3 miliardë lekësh ose 23 milionë eurosh.

Edhe pse shkaktoi gjithë këto dëme, prapë si qytetarë pritëm me durim për tre muaj e gjysëm, që Kushtetuesja të “bënte vezën e kuqe”, duke mbrojtur me përkushtim dhe profesionalizëm Kushtetutën dhe interesat tona si qytetarë. Pritëm që ajo të shprehej mbi shtesat për kompensimin, që qytetarët duhet të përfitonin në formën e kamatë-vonesave, për vendimet e vonuara me dekada, apo për çmimin e kompensimit, që bazohet në çmimin e tokës bujqesore të vitit 1976, kur ky çmim sot është me dhjetëra herë më i lartë! Po çfarë në shkurt 2024? Gjykata jonë Kushtetuese vendosi të mos e konsiderojë si të drejtë kërkesë-ankesën e Komunitetit Mysliman dhe t’i lërë gjërat sikurse ishin përpara saj.

Pra, me fjalë të tjera, Kushtetuesja jonë u mbars, po nuk polli gjë! Kjo aventurë e saj u kushtoi qytetarëve 22 milionë euro dëme në procesin jetik të kompensimit të pronave të tyre të mohuara dhe të uzurpuara me pa të drejtë.

Kuturisja 2: Si u dogjën 75 milionë euro të ardhura në buxhetin e shtetit për vitin 2024, që mund të shkonin shumica tek pensionistët
Më 1 janar 2024, hyri në fuqi ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat. Ky ligj i drejtohej kategorisë së 25 mijë profesionistëve të lirë, të rregjistruar pranë tatimeve si të vetëpunësuar, që në 5 vitet e fundit 2019-2023, kishin qarkulluar 3.3 miliardë euro, me një fitim mesatar 75-90 përqind, duke i paguar Shtetit si detyrim minimal sigurimet shoqërore mbi pagën minimale, ose 1 përqind të të ardhurave të tyre.

Xhiro dhe fitimi i profesionistëve të lirë
a)  Rritja e xhiros së profesionistëve të lirë
-    2018                              360 mln euro
-    2023                               850 mln euro
·    Rritje me 2.4 herë, në krahasim me vitin 2018
b)  Rritja e fitimit të profesionisteve të lirë
-    2018                               159 mln euro
-    2023                               510 mln euro
-    Rritje me 3.2 herë, në krahasim me vitin 2018

Të mësuar në gati tetë vite në një si parajsë fiskale,  pa i paguar gjë Shtetit, kategoria e rreth 25 mijë profesionisteve të lirë të rregjistruar në organet tatimore, u revoltua. 

Pranë Gjykatës Kushtetuese, në muajt shkurt-prill 2024, u depozituan tre ankesa, dy prej të cilave nga shoqata të avokatëve të lirë dhe të kontabilistëve të lirë.

Kushtetuesja jonë i pranoi tre ankesat dhe më 18 qershor 2024 i dëgjoi argumentat e hartuesve të tre ankesave. Dëgjoi edhe argumentat e hartuesve të ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat, sipas të cilëve, ky ligj synonte të vendoste më shumë drejtësi në sistemin tone tatimor, duke taksuar më drejt të ardhurat nga puna, pavarësisht formës së organizimit.

Fryma e Kushtetutës sonë, njëlloj si e shumë kushtetutave të tjera të një shoqërie të civilizuar që synon ndërtimin e shtetit të së drejtës, është që kush fiton më shumë, ka për detyrë të kontribuojë më shumë në arkën e përbashkët, pra në Buxhetin e Shtetit, përmes mekanizmit të taksës mbi fitimin.

Hartuesit e ligjit të ri i shpjeguan Gjykatës sonë Kushtetuese se kategoria e profesionistëve të lirë ndryshonte kryekëput nga ajo e biznesit të vogël tregtar dhe prodhues, pasi , duke patur shpenzime të vogla, ka fitim të lartë, nga 70-95 përqind e të ardhurave(xhiros) të saj.

Profesionistë e lirë ndryshojnë shumë nga bizneset e tjera të vogla, si prodhues të vegjël, tregtarë të vegjël, ambulantë, etj., që fitojnë nga 5-20 përqind të të ardhurave të tyre, pasi këto të fundit kanë shpenzime të larta të blerjes së mallrave që rishesin apo përpunojnë, si dhe kosto të tjera fuqie punëtore, etj.

Ky shpjegim nuk piu ujë të Kushtetuesja jonë. Më 27 qershor 2024, ajo vendosi që të 25 mijë profesionistët e lirë nuk kishin pse t’i paguanin tatim fitimi shtetit për këtë vit dhe deri në vitin 2029. Edhe pse fitimin për vitin 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, e kishin patur 510 milionë euro!

Në mënyrë indirekte, Kushtetuesja u mohoi kështu të 717 mijë pensionistëve tanë një të ardhur vjetore nga ky tatim rreth 76.5 milionë euro (15 përqind e 510 milionë eurove), i cili mund të përdorej kryesisht për të financuar skemën tonë defiçitare të pensioneve.

Tek shumica e të nëntë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, arësyetimet mbi cënimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike, në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe të qartësisë së normës, si dhe parimit të proporcionalitetit, dolën më të forta se morali i pagimit për Shtetin të më shumë se 35-40 euro në muaj sigurime shoqërore mbi pagën minimale që profesionisti i lirë i cakton vetes dhe i paguan tani, nga mesatarisht 1 mijë e katërqind euro fitim që bën.

Hartuesit e ligjit u përpoqën që këtij qytetari-profesionist i lirë që fiton një mijë e katërqind euro në muaj t’i vinin një detyrim-tatim kontribut për Shtetin prej mesatarisht 210 euro. Po ta kishte pranuar Gjykata Kushtetuese këtë moral dhe frymë reale të Kushtetutës, pensionistët tanë do të kishin sot shumë fonde më serioze, për të rritur pensionin e tyre.    

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Xhimi: 29/06/2024 11:40

    Po lo.e po, do shkonin te pensionistet. Kujton se njerëzit jane bagëti dhe ti i do te gjitha. Ato leket qe do ja merrnin profesionisteve do shkonin per rruge me cmime fiktive, rehabilitime qe mbeten vetem ne 3D dhe vjedhje te tjera

    Përgjigju
  • Çoçol po të djeg drejtësia e re: 29/06/2024 11:34

    Krijuesit e drejtësisë së re thonin që në fund kjo drejtësi do hajë dhe të zotin. Artikujt breshëri që po boton së fundmi Çoçol nuk bëjnë gjë tjetër vetëm vërtetojnë këtë. Popullit po i kthehet besimi i cili nuk ka çmim. Ti vazhdo detyrën e lëpirjes ndaj pushtetit, tek e fundit dikush duhet ta bëjë.

    Përgjigju
  • Pena: 29/06/2024 11:31

    Qeveria ta coj perseri kete ligj vet ne gjykaten kushtetuese,ligji eshte shume I drejte, gjykatesit keto 33 vjet kane kulture antipopullore dhe politiken e kane te rrenjosur ne tru per interes te vet Shkrimi eshte real dhe bravo, je I vetmi ekonomist me mend dhe Zemer!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Skandali te Onkologjiku, Rama mbledh nesër shefat e shërbimeve në QSUT

Skandali te Onkologjiku, Rama mbledh nesër shefat e shërbimeve në QSUT