Mbi 7 orë debat në Kushtetuese/ Rrëzohet kërkesa e PD për pezullimin e ligjit për tatimin e profesionistëve të lirë, vendimi final më 25 qershor

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për pezullimin e ligjit për tatimin e profesionistëve të lirë. Seanca në Kushtetuese zgjati për rreth 7 orë. Gjykata Kushtetuese ju la afat palëve të sjellin argumente shtesë deri në 21 qershor, ndërkohë me 25 qershor do të jetë vendimi final nëse do shfuqizohet apo jo ligji 'Për tatimin e profesionistëve të lirë'

Në seancën e hapur gjyqësore u shqyrtuan 4 paditë e bashkuara në një shqyrtim të vetëm që ka të bëjë me shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që nisi zbatimin për profesionet e lira nga 1 janari.

Në seancë janë dëgjuar argumentet e përfaqësuesve të padive, ajo e depozituar nga jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, padia e Shoqatës së “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” (IKM) dhe Shoqatës së “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar” (IEKA), si dhe nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë dhe më pas vijoi me pyetje përgjigje.

Ata kërkojnë shfuqizim të tij me argumentin se është diskriminues, rëndon shtresën e mesme dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën.Sipas tyre tatimi i profesionistëve ka mbyllur qindra biznese, cenon sigurinë e bizneseve dhe do të shtrenjtojë shërbimet që ofrojnë.

Në parashtrimin e argumenteve, palët paditëse kanë sqaruar se nuk mund të krahasohen profesionistët e lirë me bizneset tregtare pasi nuk e kanë të garantuar fitimin. Po ashtu ata kanë sqaruar se kjo formë e diferencuar tatimi nuk bëhet në asnjë vend të BE-së, dhe se normat e tatimit janë më të lartat se kudo.

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u padit fillimisht në Gjykatën Kushtetuese në muajin shkurt nga 38 deputetë të partisë Demokratike.

Tabaku tha se ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, 'taton trurin, godet shtresën e mesme, duke shtuar efekt bumerang, me krijimin e skemave fiktive për shmangien e tatimeve"

“Çdo profesion i lirë është një profesion i shtrirë në kohë, më shumë kosto studimi, investime shtesë dhe nuk mund të krahasohet me biznese të ngjashme. Profesionistët e lirë janë klasifikuar ndryshe nga personat e tjerë tregtarë të këtij ligji”, tha ajo.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Marash Logu tha se përgjatë muajit prill referuar nga të dhënat e QKB-së, për shkak të parapagimit të tatimit kanë pezulluar aktivitetin 10,470 biznese të profesioneve të lira dhe ka shpallur falimentin 1 kompani.

Dhoma e Avokatise
Shfuqizimi i ligjit është kërkuar edhe nga Dhoma e Avokatisë. Përfaqësuesi i  Dhomës së Avokatisë tha se pas hartës së re gjyqësorë, edhe ky ligj është në vazhdën e cenimit të profesionit të avokatit.

Qëllimi i ligjit ka qenë keqdashës' pohoi përfaqësuesi i Dhomës së Avokatisë 

Ai tha se më këtë nivel tatimi një avokat me të ardhura 2 milionë lekë në vit, arrin të sigurojë një pagë prej 90 mijë lekë, një e ardhur e pamjaftueshme për të përballuar jetesën, kur pagat e administratës janë 30 deri 40% më të larta se kjo e ardhur.

Avokati Aigest Milo, përfaqësues i IKM dhe IEKA  flet për mënyrën e padrejtë që propozuesit e ligjit dhe ligjvënësit kanë tentuar ta kanalizojnë diskutimin publik mbi dy çështje.

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” shkel parimet e barazisë së Kushtetutës, të drejtën themelore të veprimtarisë ekonomike, cenon parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike si dhe të rezervës ligjore në fushën tatimore që është absolute, tha Milo.

Brenda 30 qershor bizneset e profesioneve të lira, do të duhet të paguajnë këstet e parapagimit dhe dëmi që mund t’u vijë këtyre tatimpaguesve është i shumëllojtë, që nga pamundësia për të paguar dhe deri te kolapsimi i gjithë sistemit të tatimpaguesve sipas Milos.

Kuvendi
Nga radhët e Kuvendit ishte e pranishme Mimoza Arbri, e cila  kërkon nga Gjykata të mos e pranoje padinë për të shfuqizuar tatimin e profesioneve të lira

 “Neni 69, nuk trajton vetëm të punësuarit, por edhe individët tregtarë dhe brenda ligjit janë caktuar dhe lehtësitë ligjore për grupe të caktuara të sipërmarrjes, dhe pezullimi i ligjit do të sillte si pasojë humbjen e këtyre lehtësive. Afati i zbatimit të ligjit ka nisur, kësti i parë ishte 31 mars dhe ka patur efektet e tij. Pezullimi do të sillte probleme edhe në buxhetin e shtetit pasi në planifikimin vjetor janë përfshirë të ardhurat që mblidhen nga kjo taksë”, tha përfaqësuesja e kuvendit, Mimoza Arbri.

Edhe Keshilli i Ministrave kërkoi që të mos pranohet padia.

Tabaku: Ligji i tatimeve ndryshoi 23 here
Nga ana e saj deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha se qeveria ka diskriminuar të vetëpunësuarit duke i vendosur një barrë ekstra dhe duke rënduar dhe më shumë barrën e tyre

"Po perballemi me cenim te sigurise juridike, ky ligj ka perkeqesuar gjendjen ekonomike, bie ndesh me shtetin e mireqenies" tha Tabaku.

“Ligji i tatimeve është ndryshuar 23 herë duke krijuar trajtim preferencial për një grup pakicë. Para gjykatës provuam se ky ligj cënon veprimtarinë ekonomike dhe efektet mbi bizneset janë pothuajse shkatërruese duke rezultuar në 11 biznese të mbyllura dhe efektet boomerang të rritjes së çmimeve. Argumenti i qeverisë është qesharake” tha Tabaku jashtë Gjykatës

Janë 25 mijë profesionistë sipas tatimeve që preken nga ligji i ri hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti dhe nga tatimi me fasha 15% kush ka fitim deri 14 milionë lekë dhe 23% kush fiton mbi këtë shumë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:25
Ligji 'Për tatimin mbi të ardhurat' Dhoma e Avokatisë në Gjykatë Kushtetuese: Qëllimi ka qenë keqdashës

1718710037_esss.JPG

Shfuqizimi i ligjit Për tatimin mbi të ardhurat” është kërkuar edhe nga Dhoma e Avokatisë.

Përfaqësuesi i  Dhomës së Avokatisë tha se pas hartës së re gjyqësorë, edhe ky ligj është në vazhdën e cenimit të profesionit të avokatit.

“Qëllimi i ligjit ka qenë keqdashës. Në nenin 69, germa dh, përcaktohet një kategori që quhet individ tregtar, e cila nuk ekziston në fjalorin tatimor. Ka vetëm dy forma të ushtrimit të aktivitetit të biznesit, ose i vetëpunësuar, ose subjekt juridik në formën e një shoqërie tregtare të përcaktuar nga ligji për shoqëritë tregtare, ose sipas Kodit civil, shoqëri e thjeshtë. Nuk ka kategori tjetër. Dhe individi tregtar ëhstë futur që të përjashtohen dy subjekte dhe i pari të ngelet.

Së dyti, si funksion individi tregtar, çfarë formë juridike ka. A mund të shpjegohet kjo nga përfaqësuesit e qeverisë?

Së treti, lidhur me konceptin se profesionet e lira, përfshirë edhe avokatinë nuk mund të përjashtohen nga detyrimi për pagesën e tatimit. Keqdashësia është e tillë, sa që iu dashur të aktivizojnë një pjesë të profesionistëve të tyre, ku përveç integritetit profesional, kanë ceduar edhe në atë moral, duke iu mbushur mendjen popullsisë që avokati nuk mund të përjashtohet nga detyrimet. Kush tha që avokati është i përjashtuar nga detyrimet? Avokati paguan tatim mbi të ardhurat personale nga paga, tatim burim qoftë qiramarrës, qoftë qiradhënës. Avokati paguan tatimin vjetor mbi pasurinë për ambiente pune, taksën e infrastrukturës arsimore, taksën e reklamës, taksën e tabelës”, pohoi përfaqësuesi i Dhomës së Avokatisë.

Ai tha se më këtë nivel tatimi një avokat me të ardhura 2 milionë lekë në vit, arrin të sigurojë një pagë prej 90 mijë lekë, një e ardhur e pamjaftueshme për të përballuar jetesën, kur pagat e administratës janë 30 deri 40% më të larta se kjo e ardhur.

Ora 12:20
Ligji 'Për tatimin mbi të ardhurat' në Kushtetuese, Tabaku: PD e bën këtë betejë  për 30 mijë profesionistët e lirë

Gjatë seancës së pushimit 15 minuta në Gjykatë Kushtetuese deputetët e PD, Tabaku dhe Koliqi dhanë një deklaratë për shtyp në shkallët e Gjykatës ku po trajtohet padia e ngritur prej grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe 5 grupeve të Interesit përfshirë Dhomën e Avokatisë, Institutin e Kontabilitetit të Miratuar dhe IEKA së bashku me padinë e avokatit Lulzim Allushaj dhe gjithashtu edhe Autoshkollave.

Në daljen publike deputetja e PD, Jorida Tabaku, që ka udhëhequr këtë betejë u shpreh se Partia Demokratike është e qartë e rreshtuar jo vetëm në krah të profesioneve të Lira por edhe në krah të të punësuarve që mbitaksohen nga një sistem fiskal i pandershëm që i ofron lehtësira fiskale një pakice ndërsa rëndon barrën fiskale të shumicës.

“Gjatë kësaj periudhe kemi qenë duke mbledhur argumenta dhe sot ndodhemi në një moment ku Gjykata Kushtetuese po dëgjon palët. Koncepti kryesor që po diskutojmë është se ne duhet ta mbrojmë punën dhe grupi parlamentar i PD është nisur me premisën për të mbrojtur punën, shtresën e mesme dhe  të mbrojmë këdo që punon.

Ligji i tatimeve në këto 10 vite është ndryshuar 23 herë që do të thotë 2.3 herë në vit për çdo vit duke krijuar një pasiguri juridike nga një anë dhe nga ana tjetër  duke krijuar një trajtim prefercial për një pakicë që  është duke u përjashtuar nga taksat. Favore fiskale po i jepen  grupeve që nuk përbëjnë shumicën ndërkohë që 169 profesione të lira po paguajnë një tatim të padrejtë. 

Ne para gjykatës provuam që ky ligj është antikushtetues që cënon lirinë juridike dhe që ka një trajtim prefercial për disa biznese, që cënon lirinë ekonomike dhe nga ana tjetër  treguam që efektet mbi bizneset janë pothuajse shkatërruese duke rezultuar 11 mijë biznese që janë mbyllur dhe efekt boomerang e rritjes së çmimeve. Ligji është fytyra dhe pamja e asaj që qeveria ka treguar këto vite; favorizimi i pakicës dhe nga ana tjetër taksimi i shumicës. 

Argumentat e qeverisë ishin qesharake, u shpreh Tabaku ndërsa analizoi disa nga çështjet që qeveria ngriti, (qeveria u shpreh) se ka abuzime me taksat do të rrisim taksat, se ka paaftësi të drejtorisë së tatimeve do të rrisim taksat, se nuk e zbatojnë dot  ligjin dhe sistemin tatimor që kanë ngritur vetë me abuzim do të rrisin taksat.

E pyetur nëse PD e ka seriozisht këtë çështje Tabaku u shpreh se ajo ka dëshmuar se gjërat i çon deri në fund dhe i ka pëherë seriozisht luftën kundër padrejtësisë. Më pas u shpreh se sot 30 mijë profesionistë të Lirë kanë në krahun e tyre Partinë Demokratike:

“ Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bëjë këtë betejë  për të 30 mijë profesionistët e lirë.  ” u shpreh Tabaku në fjalën e saj përpara Gjykatës Kushtetuese.

Pyetje: Kjo është një seancë vendimi apo seancë kortezie?

Përgjigje deputetja e PD Jorida Tabaku:  Unë besoj që kam treguar  që betejat që kemi bërë nuk janë kortezi. Ata janë betja që janë kryer për të mbrojtur  të mirën publike. ne nuk e dimë si do vendosë gjykata, por ne bëjmë detyrën tonë duke dëshmuar abuzimin që ka ndodhur me këtë lloj takse. Pas përfundimit të parashtriimeve do të jenë pyetje e përgjigje dhe do të flasin dhe palët  e interesuara si qeveria dhe Këshilli Ministrave. Argumentat janë shumë të varfër dhe politikë pa asnjë argument teknik.

S.G/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq/ Pezullohet lundrimi i trageteve të pasagjerëve Durrës - Bari

Moti i keq/ Pezullohet lundrimi i trageteve të pasagjerëve Durrës - Bari