Fatos Çoçoli: Pse na vlerëson 'Standard&Poor’s'?

Fatos Çoçoli: Pse na vlerëson 'Standard&Poor’s'?

Foto ilustruese

Në raportin e saj më të fundit të publikuar më 21 Mars 2025 (https://disclosure.spglobal.com/ratings/en/regulatory/article/-/view/type/HTML/id/3341632 ), agjencia prestigjioze ndërkombëtare e vlerësimit të aftësisë borxhpaguese të shteteve dhe ekonomive në mbarë botën, “Standard & Poor’s”, ka përmirësuar vlerësimin afatgjatë të Shqipërisë nga “BB-“ në “BB”, ndërsa ka pohuar një të ardhme të qëndrueshme ekonomike dhe financiare të vendit.

Notat e “Standard & Poor’s” për Shqipërinë 2022-2025
29 janar 2022         “B+”
23 mars 2024         “BB-“
21 mars 2025         “BB” 

Forca e sjelljes ekonomike dhe fiskale të vendit

Më 23 mars 2024, një vit më parë, “Standard & Poor’s” kumtoi se financat publike të Shqipërisë janë bërë më të qëndrueshme. Ajo e përmirësoi notën e borxhit publik shqiptar nga “B+” në “BB-“.

Ishte hera e parë që borxhi ynë publik vlerësohej me notën dy B. Rritja në notën e borxhit e bën gjendjen financiare të vendit më të sigurtë në sytë e investitorëve të mëdhenj të huaj, duke mundësuar marrjen e borxheve me interesa më të ulëta.

Agjencia theksoi më 21 mars 2025 se shtimi i vlerësimit pasqyron forcën e sjelljes ekonomike dhe fiskale të Shqipërisë gjatë viteve të fundit. Që nga viti 2019, borxhi i vendit ka rënë me mbi 12 përqind të prodhimit kombëtar(Produktit të Brendshëm Bruto).

Ajo thotë se defiçiti i të hyrave(para që hyjnë nga eksportet, turizmi, remitancat dhe investimet e huaja) me të dalat(para që dalin për importet, vizitat jashtë, pagesat e studentëve tanë jashtë, etj.), pra defiçiti i asaj që quhet llogari korrente, është më shumë se përgjysmuar. Nga ana tjetër, flukset e investimeve të huaja të drejtpërdrejta kanë mbetur të fuqishme.

Pse financat publike po i ecin mirë Shqipërisë?

Ndërkohë, eksportet nga shërbimet(kryesisht nga turizmi), në krahasim me 6 vite më parë në 2019, janë më shumë se dyfishuar. “Standard & Poor’s” “Standard & Poor’s” e përmirësoi vlerësimin për ekonominë e vendit tonë edhe pothuajse një vit më parë, më 22 mars 2024. Në atë kohë, agjencia e rriti notën nga “B+” në “BB-“ për Shqipërinë. “Standard & Poor’s” përfaqëson agjencinë më të njohur të gjykimit profesional ndërkombëtar mbi vlerën e kredisë së huamarrësve shtete dhe kompani të mëdha ndërkombëtare, duke vlerësuar borxhin e tyre ose letrat me vlerë të tjera, duke përdorur një shkallë të standardizuar vlerësimi. Agjencia vlerëson aksionet e zakonshme dhe të preferuara, obligacionet dhe letrat tregtare. Kalimi në një shkallë(notë) më të lartë, zakonisht kërkon nga tre agjencitë botërore: “Standard & Poor’s”, “Moody’s” dhe “Fitch Ratings”,  një kohë rëlativisht të gjatë për të krijuar bindjen që përmirësimet e ekonomisë së një vendi janë të qëndrueshme. Të paktën dy deri tre vjet.

Në dy vitet e fundit, nota e “Standard & Poor’s” për Shqipërinë nga “B+” në “BB” është kërcimi më i madh pozitiv në gjykim, për një vend evropian.

Në aspektin fiskal, agjencia vlerëson se financat publike të Shqipërisë vazhdojnë të ecin mirë. Autoritetet shqiptare kanë miratuar ndryshime legjislative, për të forcuar shtimin e të ardhurave, duke u përqëndruar në taksimin progresiv individual.

Ato kanë bërë rregullimet të taksës së të ardhurave të kompanive të mëdha(korporatave) dhe kanë marrë masa për përputhshmërinë tatimore. Të kombinuara me përpjekjet e qeverisë për qëndrueshmëri fiskale dhe parashikimet pozitive për një rritje ekonomike mbi 3 përqind në katër vitet 2025, 2026, 2027 dhe 2028, “Standard & Poor’s” pret që defiçitet buxhetore të vendit për këto katër vite mbeten në nivel të ulët, me një mesatare prej rreth 2 përqind të prodhimit kombëtar, deri në vitin 2028.

Agjencia thekson se Ligji Organik i Buxhetit të Shqipërisë vendos kufizime fiskale, duke kërkuar që balanca (raporti shpenzime-të ardhura) primare e qeverisë të mbetet të paktën neutrale, si dhe që raporti borxh publik-prodhim kombëtar të ulet.

Një borxh publik i ulur ndjeshëm

Megjithëse këto rregulla ofrojnë një bazë të mirë për qëndrueshmërinë e borxhit publik të vendit, “Standard & Poor’s” thekson se suksesi i tyre varet nga rritja e fuqishme ekonomike dhe reformat efektive të menaxhimit të financave publike.

Agjencia vë po ashtu në dukje përmirësimin e pozicionit të jashtëm të Shqipërisë, të imazhit të saj si një vend i sigurtë nga ana financiare. Gjatë 6 viteve të fundit, defiçiti i llogarisë korrente të Shqipërisë ka pësuar një ndryshim të thellë strukturor. Në vetëm periudhën 2019-2024, asnjë vend tjetër në rajonin tonë dhe në tërësi në Evropë, nuk ka qenë në gjendje ta ngushtojë kaq ndjeshëm, praktikisht ta përgjysmojë këtë defiçit.

Përmirësimi i këtij treguesi themeltar përbën bazën e treguesve të tjerë të përmirësuar makroekonomikë të vendit, si ulja e inflacionit, e defiçitit të Buxhetit të Shtetit dhe e borxhit publik.

“Standard & Poor’s” në raportin e saj nënvizon se Shqipëria ka përballuar shumë sfida këto gjashtë vjet, duke përfshirë tërmetin, pandeminë nga COVID-19 dhe inflacionin tejet të lartë pas 24 shkurtit 2022, kur Putin sulmoi Ukrainën.

Agjencia thotë se, pavarësisht këtyre vështirësive, qeveria vijoi qëndrueshmërinë fiskale, duke siguruar një rritje të fortë të prodhimit kombëtar, kontrollin e shpenzimeve, si dhe duke zbatuar reforma për rritjen e të ardhurave, me qëllim uljen e borxhit publik. Dhe vërtet, borxhi publik i vendit ra me më shumë se 12 përqind në 6 vjet, nga 67.5 përqind në vitin 2019 në 55.4 përqind të prodhimit kombëtar në vitin 2024.

Borxhi publik 2019-2024
2019                        67.5%
2020                       75.6%
2021                        74.5%
2022                        64.6%
2023                        58.2%
2024                        55.4%

 Shtimi pak ditë më parë i vlerësimit nga “Standard & Poor’s” është një tregues i rëndësishëm i progresit të ekonomisë sonë dhe një sinjal pozitiv për investitorët ndërkombëtarë, pasi me notën e rritur të kësaj agjencie, pakësohen rreziqet e perceptuara të investimit në Shqipëri.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 26 Mars, 08:02

    Sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 11 majit për integrimin në BE?



×

Lajmi i fundit

Rama mesazh votuesve për ‘partitë e reja’: Futën në lista 'xhajet' dhe hallat se nuk i mbushnin dot, ‘hënkshin’ kokat!  Kemi mundësinë e artë në 11 Maj të hyjmë në BE

Rama mesazh votuesve për ‘partitë e reja’: Futën në lista 'xhajet' dhe hallat se nuk i mbushnin dot, ‘hënkshin’ kokat!  Kemi mundësinë e artë në 11 Maj të hyjmë në BE