Fatos Lubonja: Shkoj në
Spaç për të kuruar traumën

Fatos Lubonja: Shkoj në<br />Spaç për të kuruar traumën
Sot në ambientet e Qendrës së Informimit të Bashkimit Europian çelet ekspozita “Objekte-Subjekte” e publicistit Fatos Lubonja. Është një ide që atij i ka lindur gjatë vizitës më të fundit në Spaç me fotografen zvicerane Barbara Hausammann. Duke ecur në atë vend tashmë të shkretë, Lubonja vë re copa objektesh që mbanin gjurmët e së kaluarës, gjen aty prekjen e duarve të bashkëvuajtësve dhe mesazhe të tjera nga vuajtjet dhe puna e rëndë e të burgosurve politikë të Spaçit. Prekja e këtyre objekteve i ka shkaktuar Lubonjës një trysni të madhe në kujtesë, edhe pse kujtimet nuk janë më të reja për të. Siç shprehet për Shqiptarja.com, ai e viziton herë pas here Spaçin, për të kuruar traumën, për të cilin thotë se është “qendra e Ferrit”. Në vizitën e kësaj here ai ka shkuar deri tek miniera, për të cilën pohon se ajo ende e ruan misterin e saj. Aty ka mbledhur disa nga copat gati të thërrmuara të litarëve prej telash çeliku, të cilat do t’i shërbejnë si epilogu i kësaj ekspozite sot, por edhe një gjysmë-lopatë të ngrënë nga ndryshku, një tel me gjemba, etj. Me një ekspozitë të tillë arti, Lubonja thotë se “ka stimuluar një muzeum”. Mënyra sesi e ka konceptuar rifutjen në kujtesë të këtyre objekteve në dekompozim e sipër, nëpërmjet gjuhës moderne të arteve figurative, krijon shumë pika takimi me publikun dhe artdashësit. Gjurmët flasin, të shoqëruara me copëza historie, për njerëz të thjeshtë dhe personalitete të njohura e të panjohura sot. E, ndërsa Lubonja vetë me gjuhën e artit ka stimuluar një muzeum, lind pyetja se kur do të ketë vetë Shqipëria një muze për burgjet dhe krimet e komunizmit, siç ka në të gjitha vendet ku ato kanë ndodhur. Këtë pyetje shtron edhe fotografja Barbara Hausammann, e cila theksoi se këto vepra të Lubonjës bashkë me objektet dhe historitë e shënuara poshtë tyre duhet t’i përkasin një muzeu. “Kush do të flas për atë kohë, një ditë kur ai të mos jetë më dhe të tregojë, dhe që dihet se shumë të tjerë kanë shkuar? Është mëkat të rrinë të mbyllura. Pse të mos ketë Shqipëria një muze për krimet e Diktaturës, siç kanë edhe vendet e tjera”, tha ajo për Shqiptarja.com

Zoti Lubonja, pse menduat që objektet e gjetura në Spaç t’i kompozoni në art konceptual siç rasti i kësaj ekspozite?

-
Është një nevojë e brendshme për të shprehur mbresat e një vizite, mbresat e një vizite në Spaç që është një vend i traumës, jo vetëm personale, por edhe i traumës së shumë njerëzve, dhe është një nga format e shprehjes së gjithë atyre emocioneve që përjetova në këtë vizitë në fund fare. Ashtu sikurse një piktor shkon të bëjë një peizazh që i pëlqen dhe e godet, në një farë mënyre, kjo është tjetër gjë. Është një art konceptual që kërkon të sjellë tek spektatori, i cili në artin konceptual bëhet pjesë, hyn brenda, duke stimuluar një muzeum. Pra të duket si muzeum, por ideja është që kur ti hyn brenda këtij muzeumi të përfshihesh.
Për mua ky koncept është stimulimi i një muzeumi me objekte e gjetura, të cilat janë dhe nuk janë muzeale. Janë objekte banale, si vegla pune, dhe në to përfshihen të gjitha historitë që janë të lidhura me këto objekte. Sepse çdo objekt ka evokuar një kujtesë, një histori, ka evokuar një personazh, një figurë.
Ajo miniera që shikohet nga jashtë, por nuk shikohet nga brenda, ka qenë një qytet më vete, i mundimit, i vuajtjes. Ajo është qendra e ferrit në Spaç. Te miniera brenda është tentuar të tërhiqen, madje dhe janë mbledhur disa gjëra dhe janë sjellë në Tiranë. Unë dua t’i them publikut që të hyjë brenda dhe nga kjo ekspozitë kërkohet që t’i ngjallen emocionet, të hyjë në atë atmosferë.

Megjithëse janë copa objektesh, ju keni përfunduar me një ekspozitë artistike. Cilat janë lidhjet tuaja me artet figurative?
-Unë jam një... si të thuash, mik i arteve, mik i hershëm i artit vizual. E kam njohur, e kam studiuara, por nuk jam marrë vetë ndonjëherë shumë me mënyrë figurative. Është një miqësi që herë pas here ka shpërthime dashurie. Kam bërë edhe një ekspozitë tjetër prirur nga arti konceptual, siç ka qenë ekspozita “Fjala”, që e çova edhe në ShBA. Kam bërë instalacion në një libër timin me letrat e duhanit, ky instilacion u quajt “Përpjekja”. I bëj vetë herë pas here, kur kjo miqësi imja me artet figurative ka ndonjë akt krijues, sidomos me nevojën për t’u shprehur edhe me mjete të tjera, sepse letërsia, gazetaria, të gjitha janë në fund fare mjete shprehëse të vetvetes. Ky është në një farë kuptimi medial sepse këtu ka edhe foton, ka dhe objekte ka dhe historinë, sepse ka edhe tekste ky instalacion.


Kontrasti mes kujtesës së papërsëritshme që keni ju si person dhe asaj shkretie që ka mbetur çfarë ju thotë, nëse i referohemi vizitave më të fundit tuajat në Spaç?
-Pikërisht ajo ideja e muzeut që të duket pak muze arkeologjik, edhe provokimi i Muzeut është pjesë e asaj tentativës për ta ringjallur, për t’i dhënë jetë asaj që ishte. Që ishte dhe s’është më, sepse është në kujtesën tonë. E kaluara në një farë kuptimi e zhdukur, rimerret dhe bëhet pjesë e së tashmes. Pra është pak e vështirë të thuash që ekziston ajo që ishte. Edhe ekziston, edhe nuk ekziston, vërtet nuk e gjen më, por është në kujtesën e çdokujt dhe pikërisht kjo lojë midis kujtesës dhe asaj që s’është më, por dhe nevojës për të sjellë këto trauma, shtron edhe pikëpyetje të mëdha si: çfarë është kujtesa, çfarë i përket së tashmes dhe çfarë të kaluarës, çfarë harrohet e çfarë nuk harrohet. Apo nganjëherë nuk ka kuptim të flitet për gjëra të harrura përderisa janë kujtuar... Është një lojë e rëndësishme kjo pra dhe arti ka në njëfarë kuptimi pasi synon të krijojë esencën e asaj që nuk duhet harruar.

Cili ishte mendimi i parë, që ju çoi tek kjo ekspozitë. Përse kishit marrë me vete dhe fotografen zvicerane Barbarën?
Mendimi i parë ishte nostalgjia e hidhërimit. Unë kam shkruar për këtë ekspozitë, për kthimin dhe rikthimin tim në Spaç. Herë pas here në Spaç ekziston një nevojë për t’u kthyer. Është një nevojë jo vetëm si kthimi tek vendi i traumës, por edhe një nevojë e brendshme për të kuruar traumën dhe nevoja për ta dokumentuar gjënë. Ishte një vizitë që në fund fare mua më shërbente në pjesën e ekspozitës, ndërsa Barbarës, fotografes i duhej për të mësuar një pjesë që nuk e kishte jetuar, pra për të hyrë në jetën time, në botën e asaj vuajtjes si një e huaj. Ky takim solli vizita, pastaj solli dokumentimin, pastaj ajo bëri vizita ndërsa unë mora këto objekte që më evokonin në kujtesën time histori të veçanta të bashkëvuajtësve.

Për cilin nga bashkëvuajtësit të merr më tepër malli...që kërkoni me patjetër gjurmët tyre?
Më shumë më merr malli për ata që kanë vdekur, që s’mundën të shikojnë përmbysjen e regjimit në Shqipëri, atë periudhën e pasburgut. Janë ata që më mungojnë, veçanërisht Fadil Kokomani, me të cilin jam ridënuar, për të cilin kam shkruar dhe librin “Ridënimi”. Ata janë pjesa më dhimbshme e kësaj drame, e kujtimeve të mia.

Ju keni në ekspozitë tre kuti qelqi me mbtejet e një litari, me pluhurin dhe dherat përreth?

Ai është epilogu i kësaj ekspozite. Është metafora që qëndron mbrapa asaj historie. Është metafora e shenjtërimit të atij vendi vuajtjesh dhe atyre figurave dhe atyre të tjerëve, është një metaforë që i kundërvihet harresës... që edhe një pikë pluhuri ka kujtesë. Mban kujtesë.

U shprehët se objektet e gjetura në Spaç kanë mbetur si gjurmë arkeologjike. Por, në të vërtetë, gjurmët e asaj kohe, a janë aq të largëta, apo janë të pranishme. A përsëritet ajo kohë tani. A jemi ne të prekur ende nga sindroma e Diktaturës?
-E para gjë që duhet thënë është se në qoftë se do ti bëjmë një përkufizim asaj diktature dhe asaj vuajtjeje, po të përcaktohej me një fjalë e thjeshtë do ishte dehumanizim i njeriut. Njeriu ka potenciale të mëdha për të krijuar dhe regjimi i atillë e dehumanizon njeriun. Në këtë mënyrë edhe kujtesa e njeriut për ata që u dehumanizua i shërben humanizmit. Për fat të keq edhe për shumëçka që po ndodh sot në shoqërinë shqiptare, që unë e kam konsideruar si vazhdimësi e asaj kohe është një lloj dehumanizimi. Pra dehumanizimi ku nuk është njeriu në qendër të vëmendjes, nuk është dashuria për njerëzit, nuk është kujdesi por është në shoqëri të dhunës, të krimit të abuzimit me pushtetin si atëherë dhe të gjitha këto lënë gjurmë dhe krijojnë trauma të reja. Moskurimi i traumave të vjetra është pasojë e kësaj.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza