Federica Mogherini ka dhënë dorëheqjen nga posti i Rektores së Kolegjit të Europës. Këtë e ka komunikuar vetë Mogherini në një e-mail të dërguar stafit dhe studentëve të shkollës prestigjioze të Bryzhit.
“Në përputhje me rregullin dhe korrektësinë maksimale me të cilat kam ushtruar gjithmonë detyrat e mia, sot kam vendosur të jap dorëheqjen nga posti i Rektorit të Kolegjit të Europës dhe Drejtoreshës së Akademisë Diplomatike të Bashkimit Europian”, ka shkruar Mogherini.
Dorëheqjes së saj , i parapriu një ditë më parë, një nga dy të akuzuarit e tjerë të së njëjtës çështje, Stefano Sannino. Ai njoftoi të mërkurën dorëheqjen nga detyra e tij si Drejtor i Përgjithshëm për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin, në KE, pas përfshirjes në hetimin për përdorim të papërshtatshëm të fondeve të BE-së.
Mogherini dhe dy të tjerët që u ndaluan të martën si pjesë e një hetimi për mashtrim që përfshinte Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm dhe Kolegjin e Evropës, u liruan në orët e para të së mërkurës. Ata u morën në pyetje nën dyshimet për mashtrim dhe korrupsion në prokurim, konflikt interesi, shkelje të sekretit profesional dhe konkurrencë të pandershme. Gjykatësit vendosën nxjerrjen e tyre nga qelia dhe hetimin e tyre në gjendje të lirë.
"Pasi u morën në pyetje nga Policia Federale Gjyqësore Belge, të tre individët u informuan zyrtarisht për akuzat kundër tyre. Akuzat kanë të bëjnë me mashtrim dhe korrupsion në prokurim, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Ata janë liruar pasi nuk konsiderohen rrezik për arratisje", informuan gjyqtarët.
Federica Mogherini ishte drejtuese e tre kampuseve të Kolegjit të Evropës, atij të Bryzhit, Natolin në Poloni dhe të Tiranës në Shqipëri. Më poshtë teksti i emaili-t me të cilin Mogherini ka njoftuar dorëheqjen.
“ Në përputhje me rregullin dhe korrektësinë maksimale me të cilat kam ushtruar gjithmonë detyrat e mia, sot kam vendosur të jap dorëheqjen nga posti i Rektorit të Kolegjit të Europës dhe Drejtoreshës së Akademisë Diplomatike të Bashkimit Europian. Jam e sigurt, se komuniteti i Kolegjit në tre kampuset tona do të vazhdojë rrugën e inovacionit dhe ekselencës që kemi shtruar së bashku gjatë këtyre pesë viteve të mrekullueshme. Jam krenare për atë që kemi arritur së bashku dhe jam thellësisht mirënjohëse për besimin, vlerësimin dhe mbështetjen që studentët, pedagogët, stafi dhe ish-studentët e Kolegjit dhe të Akademisë më kanë treguar dhe vazhdojnë të më tregojnë. Ka qenë një nder dhe një kënaqësi për mua t’i shërbej komunitetit të Kolegjit dhe misionit të tij, së bashku me të gjithë ju.”
Email-i është publikuar edhe në faqen e Kolegjit të Europës.
Komente









Mos .... e beri dhe kete? dha doreheqjen? Do na mbeten gomeret e politikes pa mesuar ... problem eshte. Nje mase matese kane te gjithe keta, takemi i ketyre, ne EU e Albania.
PërgjigjuKy është standardi që duhet të ketë një titullar. Këtu merren të pandehur dhe e ankimojnë në Kushtetuese
Përgjigju