69 vite pas realizimit, “Fëmijët e saj”, filmi i parë artistik plotësisht shqiptar (i prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”), rikthehet në ekran i restauruar. Premiera u zhvillua në Kinema Drita, në ambientet e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
“Është shumë kënaqësi që ta nisim sezonin e restaurimeve me filmin e parë shqiptar, por edhe me një film që jo të gjithë e njohin si të tillë. ‘Fëmijët e saj’ ka një veçanti tjetër, për kushtet kohore, historike dhe sociale në të cilat është krijuar.”, tha drejtori i AQSHF-së, Eljan Tanini.
Filmi i Hysen Hakanit, i realizuar në vitin 1957 si punë diplome në Shkollën e Lartë të Arteve në Pragë, zgjat vetëm 14 minuta, por mbart një rëndësi të veçantë për historinë e filmit shqiptar.
“Ky është restaurimi i parë i realizuar tërësisht nga specialistët tanë, këtu në Arkivin e Filmit.”, vijoi Tanini.
Restaurimi u realizua nga Erand Meça dhe Hajrije Dedej dhe zgjati rreth një vit. Materiali origjinal ishte në gjendje të dëmtuar dhe puna kërkoi skanim digjital, stabilizim të imazhit, pastrim të dëmtimeve dhe korrigjim të parametrave vizualë.
“Filmi ishte goxha i dëmtuar. Ka qenë një sfidë edhe për ne, duke mësuar çdo ditë, por besoj që ia kemi arritur me sukses.”, tha Erand Meça, specialist audiovizual pranë AQSHF-së.
Në këtë proces, ekipit iu bashkua edhe Hajrije Dedej, për të cilën ky ishte një nga projektet e para të restaurimit.
“Ka qenë një punë e vështirë. Filmi ka pasur goxha probleme. Mbase nuk është perfeksion, por kemi bërë më të mirën tonë.”, tha Dedej.
“Fëmijët e saj” sjell historinë e një nëne që, pas kafshimit të të birit nga një qen i tërbuar, zgjedh mjekimin tradicional në vend të ndihmës mjekësore. Në role interpretojnë: Marie Logoreci, Marika Kallamata, Naim Frashëri, Xhemal Berisha, Loro Kovaçi, Vangjeli Pikuli, Esma Agolli, Pjetër Gjoka dhe Bejtulla Kurtheshi, ndërsa muzika e filmit është kompozuar nga Tish Daija.
“Pa kolegët nuk do të kishte qenë e mundur kjo punë. Secili specialist, secili person ka një punë specifike, pa të cilën është e pamundur që arkivi të ecë përpara.”, vijoi Meça.
Aktualisht specialistët e Arkivit po punojnë edhe për restaurimin e filmave “Dimri i fundit” dhe “Një gjeneral kapet rob”.











Komente
Komento