Ermali është një fëmijë 9 vjeç, por lufton çdo ditë për jetën e tij. Ai ka dëshirat e bukura të moshës se një fëmije të vogël, por sëmundja e leuçemisë nuk ia bën aspak të lehtë t’i plotësojë ato.
Ai ka kaluar dy operacione dhe ka luftuar për jetën e tij. Shumë menduan që nuk do t’ ia dilte mbanë, por ja që fatmirësisht Ermali ia ka dalë.
9-vjeçari merr trajtimin kemio, çdo 3 jave dhe ilaçet e tij nuk gjenden në Shqipëri, plus që mbartin një kosto financiare të papërballueshme nga familjarët e Ermalit.
Ermali bën pjesë në grupin e fëmijëve të prekur nga Leuçemia, të ndihmuar vitin e kaluar përmes aktivitetit “Run for the Children” (Vrapo për fëmijët).
“Run for the Children” është një aktivitet sensibilizues, që organizohet me nxënës të shkollave të mesme, përfaqësuese të shoqërisë civile dhe botës se biznesit përmes vrapimit.
Kompani dhe Institucione të rëndësishme të huaja apo shqiptare kanë qenë të pranishëm me mbështetjen e tyre.
Edhe këtë vit, në vitin e 7-të si aktivitet, organizata MRDC-International, që është dhe organizatori kryesor, ka nisur përgatitjet për zhvillimin e tij.
Përmes këtij aktiviteti synohet të ngrihen fonde, në mbështetje të fëmijëve të prekur, në luftën e tyre ndaj kësaj sëmundje. aktiviteti do të zhvillohet të shtunë, më 9 dhjetorë, tek kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë për Ermalin dhe shumë fëmijë të tjerë si ai, ndërsa janë të ftuar të gjithë të marrin pjesë.
Fondet e ngritura nga ky aktivitet ndër vitet e organizuara, kanë ndihmuar në zbutjen e kostos financiare për familjarët me fëmijë të prekur nga sëmundja e Leuçemisë, në dhënien e trajtimit psikologjik dhe emocional të familjarëve, si dhe për aktivitete argëtuese aq të nevojshme për lumturinë e një fëmije.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com











