Vetëm 36% e fëmijëve romë vizitohen deri në 10 herë ne një qëndër shëndetësore.
Ky është një nga përfundimet e studimit me të fundit "Qasja e fëmijëve rome në shërbimet e fëmijërisë së hershme në Shqipëri".
Gjatë vitit 2014, sipas të dhënave të bëra të ditura për ATSH nga themeluesi i Qendrës  për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA Shqipëri) , Altin Hazizaj , vetëm 36% e fëmijëve romë janë vizituar deri në 10 herë ne një qendër shëndetësore, ndërsa 6,5% e fëmijëve janë vizituar 11-20 herë në vit dhe vetëm 0.5% e fëmijëve jane vizituar një qendër shëndetësore 20 herë apo më shumë.
Nga ana e tyre, specialistet e shëndetit shprehen se nuk kanë të dhëna rreth moshës së fëmijës në 11% të rasteve.
Në lidhje me çështjen e vaksinimit, rreth 11% e fëmijëve romë nuk janë vaksinuar me të gjitha llojet e  vaksinave . Ndërsa 61.7% e fëmijëve romë kanë marrë të gjitha vaksinat e nevojshme dhe  10.5% e fëmijëve janë vaksinuar pjesërisht.
Djemtë romë janë ata që kanë një shkallë më të lartë të vaksinimit në krahasim me vajzat rome. Pothuajse 64% e djemeve romë kanë marrë të gjitha vaksinat që janë të nevojshme, në krahasim me 60% të vajzave rome.
Përfaqësuesi i CRCA , Altin Hazizaj u shpreh për ATSH-në se "si shoqëri civile po evidentojmë çdo rast të dhunimit apo çdo shkelje të të drejtave edhe të fëmijëve të komuniteteve rome dhe egjiptiane. Sigurisht, duhet të ndërgjegjësojmë fillimisht komunitetin rom për kulturën e shëndetit, që fëmijët e tyre të kënë akses në shëndetësi".