Shqipëria synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian brenda vitit 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë e unionit deri në vitin 2030. Këtë objektiv e konfirmoi tw mwrkurwn ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë Takimit Ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i mbajtur në Sofje, që përkoi edhe me 30-vjetorin e krijimit të këtij forumi rajonal.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi SEECP si forumin politik më të rëndësishëm të rajonit, duke vlerësuar rolin që ka luajtur ndër vite në forcimin e dialogut, ndërtimin e besimit dhe promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve të Evropës Juglindore.
Sipas tij, ajo që nisi tre dekada më parë si një aspiratë e përbashkët për bashkëpunim është kthyer sot në një mekanizëm me ndikim të rëndësishëm politik dhe rajonal, që ka kontribuar në stabilitetin, mirëqenien dhe integrimin e vendeve të rajonit.
“Rruga jonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka hyrë në fazën e saj më dinamike dhe më përcaktuese. Objektivi ynë mbetet ambicioz, por realist: përfundimi i negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi i plotë deri në vitin 2030. Një proces i suksesshëm zgjerimi, i bazuar në meritë, mund të funksionojë vetëm nëse është i besueshëm dhe i qëndrueshëm nga të dyja palët. Ky mirëkuptim u rikonfirmua javën e kaluar në Tivat, ku drejtuesit e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor ranë dakord për nevojën e një momenti të ri politik dhe një vizioni strategjik më të qartë në agjendën e zgjerimit. Ne mbetemi plotësisht të angazhuar për të përmbushur përgjegjësitë tona dhe për të çuar përpara reformat e nevojshme për arritjen e këtij objektivi ”, u shpreh Hoxha.
Ai theksoi se një proces i suksesshëm zgjerimi duhet të mbështetet te besueshmëria dhe angazhimi i ndërsjellë, si nga vendet aspirante ashtu edhe nga vetë Bashkimi Evropian. Në këtë kuadër, Hoxha iu referua edhe takimit të zhvilluar javën e kaluar në Tivat mes drejtuesve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku sipas tij u riafirmua nevoja për një moment të ri politik dhe një vizion më të qartë strategjik për zgjerimin.
Ministri nënvizoi se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të përmbushur detyrimet dhe për të çuar përpara reformat e nevojshme që lidhen me procesin e anëtarësimit.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij ai ia kushtoi edhe bashkëpunimit ekonomik dhe integrimit rajonal. Hoxha vlerësoi nismat si Procesi i Berlinit, Plani i Rritjes, Tregu i Përbashkët Rajonal dhe projektet e mëdha të ndërlidhjes, mes tyre edhe Korridori VIII, duke theksuar se ato krijojnë mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, rritje të konkurrueshmërisë dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.
"Shqipëria do të vazhdojë të investojë në bashkëpunimin #rajonal. Ndonëse progresi i arritur deri më tani është i pamohueshëm, sfida dhe dobësi të caktuara vazhdojnë të ekzistojnë. Nëse nuk adresohen, ato rrezikojnë të minojnë stabilitetin, të ngadalësojnë zhvillimin dhe të krijojnë hapësira për ndikime të jashtme që nuk përputhen me aspiratat tona të përbashkëta europiane.Për këtë arsye, bashkëpunimi më i thellë dhe ndërlidhja më e fortë mes vendeve tona nuk janë thjesht një domosdoshmëri rajonale; ato përbëjnë një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe begatinë e rajonit dhe Evropës në tërësi" tha Hoxha.
Në fund të mesazhit të tij, ministri shprehu mirënjohjen për Bullgarinë për drejtimin e suksesshëm të SEECP-së dhe i uroi sukses Rumanisë, e cila merr kryesimin e radhës të procesit.
Komente









