Ajo që ndodhte, ajo që jetohej e jetohet çdo ditë si një makth nga shumica e bizneseve në Shqipëri, trysnia e një sistemi dhe arrogance fiskale mbytëse, u tha së fundi edhe nga një zë autoritar, siç është Banka Botërore. Në raportin e saj, që u publikua edhe në mediat shqiptare para pak ditësh, Shqipëria përfshihet në grupin e vendeve me sistemin fiskal më të vështirë në botë. Banka ka marrë në konsideratë të dhëna të tilla si numrin e përgjithshëm taksave e tarifave që paguan mesatarisht biznesi shqiptar dhe numrin e orëve që harxhon ky biznes për të përgatitur dokumentacionin e qëruar hesapet me autoritetet e fiskut. Dyzet e katër është numri i pagesave. Gati dy herë më i lartë se në vendit Lindore dhe të Azisë Qendrore dhe katër herë më i lartë se në Evropë. Treqind e pesëdhjetë e shtatë orë është koha e letrave dhe shlyerjeve. Edhe kjo shumë e lartë më raport me vendet e Lindjes. Të perëndimit po se po. Numrat e Shqipërisë dëshmojnë në mënyrën e tyre mjedisin gjithnjë e më të rënduar ku vepron sipërmarrja e lirë shqiptare dhe sa të vështirë e kanë jetën në këtë vend nismat e lira.

Raporti i Bankës Botërore për një fushë nga më të ndjeshmet e më thelbësoret e qeverisjes ka merituar dhe meriton një alarm dhe një shkundje të vërtetë në të gjitha aulat e politikës dhe biznesit. Këtu nuk është thjesht fjala për të mbajtur shënim plasjen e tollumbaces së radhës për të ashtuquajturën parajsë fiskale shqiptare, një tollumbace e fryrë me propagandë të shfrenuar qeveritare si gjithë të tjerat, që e ka mbaruar kohën e saj si gjithë të tjerat, pasi askush nuk e besonte as para se të fliste Banka Botërore. Fjala është për të njohur pa dorashka dhe pa perde në sy realitetin e ashpër të fiskut dhe për të propozuar masa lehtësuese, zbutëse, çliruese, frymëzuese për sipërmarrjen. Ka rëndësi gjithashtu që ky reflektim për reformimin e sistemit të shoqërohet edhe me reflektimin e nevojshëm kulturor, që të vazhdojë qeveria me sa ka mundësi shkëputjen nga zakonet enveriste, ku ferri për popullin kishte shijen e parajsës për popullin. Nuk jemi më vend i mbyllur, djalli e mori. Mendësitë e izolimit bëjnë masë në shoqërinë e hapur.

Ndërkaq, nuk duhet të harrojmë se Banka Botërore është marrë vetëm me sistemin, pra mjaftuar të pohojë se kemi një sistem fiskal nga më të vështirët në botë. Po të kishte hyrë BB edhe në çështjen e zbatimit të këtij sistemi të keq, Shqipëria do të dilte sterrë. Problemet dhe vuajtjet më të mëdha sipërmarrësit shqiptarë i hasin në zbatimin e keq të sistemit të keq, ku arroganca dhe arbitrariteti janë fjalët kyçe të qeverisë. Një shembull i "vogël" në dukje, por jashtëzakonisht domethënës në brendi është ngjarja e mëposhtme. Ka ndodhur pasi ishte botuar raporti i Bankës Botërore. Në turin e tij të vizitave pranë biznesit të vogël, shefi i opozitës, Rama, dëgjon edhe ankesat e një gruaje, zotëruese e një biznesi të tillë. Ankesë rutinë që mund ta dëgjosh në çdo dyqan të vendit. Çfarë bëri Kryeministri Berisha? Në vend që të thellohet në njohjen e gjendjes, qoftë dhe duke u mbështetur në raportin e Bankës Botërore, bëri një gjë të padëgjuar as në Shqipëri, as në botë. Repikoi nga foltorja e kryeministrit me gruan. Vuri në punë sistemin e tij për të mbledhur informacion për biznesin e saj, e mori dhe e përdori këtë informacion kundër saj! Nuk mund ta dimë sa i vërtetë ishte informacioni që përdori kryeministri, në shumë raste ai ka zakonin të ekzagjerojë dhe trillojë, por edhe sikur të jetë plotësisht i vërtetë informacioni, a mendon ky kryeministër se mbarë biznesi ka hyrë në një zinxhir mospagesash e borxhesh për shkak të krizës dhe kjo nuk është përgjegjësi vetjake e biznesmenëve por e makromjedisit dhe e qeverisë së tij gjithashtu? Ku është parë të replikojë kryeministri i vendit nga foltorja e tij me një grua të thjeshtë, vetëm se kjo i qan hallin e saj të parit person politik që ka shkuar për ta takuar? Si mund të shkelet në ketë shkallë etika e respektit për njerëzit e thjeshtë? Si mund të abuzohet në këtë shkallë me funksionin? Pse nuk shkon vetë kryeministri ta dëgjojë gruan? Është detyra e tij. Është përgjegjësia e tij të dëgjojë të dyja palët para se të flasë, madje qytetarët kanë përparësi absolute në dëgjim në raport me zyrtarët. Por qytetarët për qeverinë e tij janë të parët vetëm në sloganet elektorale. Kushedi sa do të jetë habitur ajo grua kur ka parë kryeministrin t'i drejtohet si Big Bradher-i nga distanca e paarritshme: Zonjë, ti duhet të paguash detyrimet, e tjerë e tjerë.

Gjithkush ka diçka për të paguar, diçka të pakryer, diçka të debatueshme, të kritikueshme, të qortueshme apo edhe të turpshme në jetën e tij. Por këto nuk mund të jenë kriteri dhe lënda e komunikimit të kryeministrit me qytetarët e vendit të tij. Kryeminsitri Berisha është një një keqkuptim madhor kur mendon se mund t'u mbyllë gojën njerëzve me këto metoda, duke markuar axhendën e shefit të opozitës.

Reagimi i tij i pagjasë ndaj gruas flet me shumë se dhjetëra e qindra faqe të Bankës Botërore për arbitraritetin e qeverisë në raport me sipërmarrjen në Shqipëri. Nuk ka respekt, nuk ka vizion, nuk ka qarje hallesh, nuk ka kërkim rrugëzgjidhjesh, nuk ka korrektësi. Sot, sipas burimeve të besueshme nga organizatat e biznesit, qeveria u ka borxh firmave mbi 150 milionë euro punë të kryer të papaguar, plus tatimin mbi fitimin dhe interesat. Ky borxh vjen duke u rritur pasi mjaft firma janë duke fituar në gjykata, në letër sigurisht, dëmet që u kanë shkaktuar ministrat e kabinetit "Berisha", si Genc Pollo për shembull. Qeveria e ka marrë pjesën e vet në kohë nga këto kontrata. Nuk po flas për tangjente dhe bakshishe, po flas për taksën e vlerës së shtuar. Qeveria ka marrë nga firmat taksën e vlerës së shtuar, pa i likuiduar këto të fundit. Qeveria nuk ka asnjë përgjigje për shumë prej kredive të këqija që janë krijuar pikërisht në këtë rreth vicioz të mospagimit të detyrimeve apo ngaqë qeveria nuk zbaton as vendimet e formës së prerë të gjykatave. Firmat kanë në dorë pagesat e TVSH-së, kanë kontratat e pashlyera nga qeveria, kanë vendimet e formës së prerë të gjykatave, por bankat janë private, nuk duan t'ja dinë. Ky është kulmi i cinizmit, kur ti si qeveri ia merr biznesit sa herë të duash atë që të takon, derisa të mos ketë vdekur por biznesi nuk ta merr dot ty atë që i takon. Ky është ferri i vërtetë fiskal.

(Gre.M/Shqiptarja.com)