Vdekja është prej gjërave me fuqi të pazakontë që ndikon në mënyrë po kaq të pazakontë në të gjithë jetën dhe sjelljen e njeriut. Që prej kohësh që nuk kujtohen, filozofë, teologë, mjekë, politikanë etj., kanë shkruar apo kanë bërë vepra të rëndësishme për vdekjen. Për vdekjen flitet thellësisht te Homeri, te Shekspiri, te Dante, për vdekjen flet thellësisht edhe Sigmund Freud, Karl Jung, Kurt Abraham. Për vdekjen kanë bërë vepra madhore Beethoven apo Wagner, Picasso apo Dostojevsky.
Pavarësisht se, siç thoshte Ciceroni, “askush nuk mendon se është aq i vjetër sa të mos mendojë se do të jetojë edhe një vit”, vdekja do të vijë për gjithkënd. Ka një tipar, ka një veçori, ndodh diçka gjithnjë kur vdekja afrohet. Filozofi amerikan Carl Trueman thotë se më mirë se kushdo këtë gjë e ka përshkruar Leon Tolstoi në romanin “Vdekja e Ivan Iliçit”.
Teksa sëmundja e Ivan Iliçit ecën, bëhet më e thekshme, rëndohet, ai bëhet vazhdimisht e më i izoluar. Ditë pas dite, javë pas jave, ai nis e braktiset nga njerëzit njëri pas tjetrit. I vetmi që rri me të është Gerasimi, shërbëtori që i plotëson nevojat bazë biologjike. Trueman thotë se kjo ndodh gjithmonë dhe, ndonëse personi i sëmurë është gjallë, ai është gjithnjë e më shumë i izoluar dhe ndarja ka nisur. Kjo përkon edhe me atë që thoshte Wittgenstein mbi vdekjen, se ajo nuk është një ngjarje në jetë, por një ngjarje në kufi, është një kufi që ndan të gjallën nga e vdekura.
Të gjitha llojet e vdekjeve janë njëlloj. Edhe vdekjet e sportistit (jo si person, por si sportist), edhe vdekjet e muzikantëve apo këngëtarëve, edhe vdekjet e shoqërisë, edhe vdekjet e kombit, edhe vdekjet e komunitetit, vdekjet e partive etj. Edhe vdekja politike e një sistemi, e një individi apo një partie, është një kufi që nis të ndajë të gjallën nga e pajeta në kuptimin politik, që nis të izolojë personin ose partinë që është prekur nga sëmundja ose sëmundjet që do t’i marrin jetën politike. Ky proces vijon dhe bëhet më i dukshëm, më i fortë dhe izolimi i ngadaltë, i përditshëm nis dhe shoqërohet me braktisjen derisa më në fund mbesin vetëm njerëzit më të afërt, shërbyesit të cilët i plotësojnë nevojat më bazë politike.
Kjo gjë ka nisur të ndodhë në Shqipëri me Partinë Demokratike në mënyrë lemerisht të dukshme prej disa vitesh. PD dhe Berisha në kryesim të saj ka nisur të izolohet gradualisht prej kohësh, por askush nuk donte ta vinte re në kampin e tij sepse ai vetë luftoi që kjo të mos vihej re. PD dhe kryetari, kohë pas kohe, javë pas jave, vit pas viti, ka nisur të braktiset në një proces të ngadalshëm. Ai premtoi rigjallërim të jetës së tij politike, rigjallërim të jetës së opozitës, protesta të fuqishme kundër Ramës, rrëzim të Ramës, fitore në gjyqin e Parisit, heqje të non gratës, marrëdhënie të fuqishme ndërkombëtare, përkrahje ndërkombëtare për të, bashkim të opozitës, rritje të vazhdueshme të përkrahjes së tij nga populli, revolucion dhe pjesëmarrje madhështore etj.
Në të vërtetë, me gjithë përpjekjen titanike, ai nuk mundi të bëjë dot asgjë nga këto. Dhe nuk do të mund t’i bënte kurrë këto. Ishte e qartë që në fillim. Gjërat kanë një kohë të tyren, kanë një logjikë të tyren kundër të cilës nuk del askush. PD i humbi të gjitha këto, Berisha i humbi të gjitha këto. Pas të gjitha këtyre, PD zhvilloi zgjedhje për kryetarin. Nuk pati kandidatë, nuk u lejuan, u gjetën shpjegime dhe justifikime komplet jopolitike, madje antipolitike, si vetëpërjashtimi apo si mospasja e fuqisë elektorale për t’u përballur me Berishën. Zgjedhjet në kushte të tilla, pas vitesh izolim, dobësim, mosreagim, mosreflektim, sëmundje politike dhe humbjesh, janë katastrofë.
Braktisja, ndarja, izolimi sundojnë tashmë jetën politike të Foltores dhe Berishës. Tashmë me të është vetëm Gerasimi, dmth ata që kanë rolin e tij politik. Nuk ka më asgjë, asgjë nuk kthehet pas. Të gjithë e dinë se jeta politike e lëvizjes së Foltoresdhe e Berishës është në fund. Edhe jeta e njeriut si e tillë nuk mund ta mundë dot vdekjen kur ajo vjen. Ka vetëm një mënyrë se si njeriu e mund vdekjen.
Duke mos u kapur me gjithçka pas botës së këtushme, duke mos e parë botën e këtushme si gjithçka, duke u përgatitur për t’i humbur gjërat në mënyrë të ngadaltë, duke u përgatitur të largohesh nga pasuria, nga pushteti, nga politika dhe nga jeta ngadalë. Duke mos e parë politikën si diçka pas të cilës nuk duhet të ndahemi kurrë, duke mos e parë politikën si diçka që është fillimi dhe fundi, duke mos e parë politikën si e vërteta e vetme për të cilën ia vlen të jetosh. Vdekja mundet duke iu nënshtruar Zotit, duke kërkuar faljen dhe mëshirën e Tij dhe duke e parë botën e këtueshme si diçka kalimtare dhe sprovë për të fituar shpëtimin.
Komente









