Të gjithë myslimanët, në të gjithë botën, kanë festuar sot Fitër Bajrami. Me rastin e kësaj ditë shumë të rëndësishme në kalendarin fetar mysliman, mijëra besimtarë shqiptarë, mes reshjeve të shiut, mbushë mëngjesin e ditës së sotme sheshin “Skënderbej”, ku u zhvillua ceremonia e faljes së namazit. Ceremoni të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit.

Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fiter Bajramit pas 30 ditëve të agjërimit në muajin e shenjtë të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.

Në mesazhin e tij, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu uroi besimtarët pas muajit të agjërimit duke thënë se të gjithë kanë fituar dimensione të reja shpirtërore e morale. Kreu i KMSH u ndal edhe tek politika duke kërkuar që të mos preket pasuria publike dhe të mos çohen në shtëpi të ardhura të pa ligjshme. Ndërsa për luftën në Ukrainë, uroi paqe e prosperitet në botë pasi pasojat e konflikteve ndihen kudo dhe prekin njerëzit e pafajshëm.

Për dy vite me rradhë falja e namazit bëhet në shesh, ndërsa xhamia e Namazgjasè ende nuk është bërë gati për të pritur besimtarët. Megjithatë kreu I KMSH theksoi se edhe nëse do kishte përfunduar nuk do ka kapacitet për të gjithë.

Me rastin e Fiter Bajramit zyrtarët më të lartë të shtetit përcollën urime për mbarë besimtarët myslimanë, duke u lutur për paqe e harmoni mes tyre.Presidenti Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndërsa uroi të gjithë besimtarët për më shumë harmoni e solidaritet mes njëri-tjetrit. Fitër Bajramin, kryeministri Edi Rama e uroi me pamjet e xhamisë së re në Mullet. Kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se përkushtimi dhe rritja shpirtërore shpërblehen sot, në festën e harmonisë e të shpresës. Edhe kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj përcolli urime në këtë ditë të madhe për besimtarët.

Redaksia e Shqiptarja.com dhe e Report Tv urojnë të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë në të gjithë botën gëzuar Fitër Bajramin.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:23
Festa e Fitër Bajramit në të gjithë botën nëpërmjet fotografive 

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën kremtojnë të hënën e 2 majit Festën e Fitër Bajramit. Festa zgjat edhe gjatë dy ditëve të ardhshme. Në Kosovë, manifestimi kryesor i faljes së Bajramit u mbajt në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih” në Prishtinë.

Kjo festë pason Muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit. Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, i cili shënohet dy muaj e dhjetë ditë pas të parit, janë festat më të rëndësishme në besimin islam./ REL

Ora 13:06
Ambasadorja amerikane Yuri Kim uron Fitër Bajramin: U pranofshin sakrificat dhe lutjet e të gjithë besimtarëve

1651489794_FRp6r6NXIAALwCN.jpg

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

“Gëzuar Fitër Bajramin! U pranofshin sakrificat dhe lutjet e të gjithë besimtarëve. Paqe”, shkroi Kim.

Ndërsa në llogarinë zyrtare të Facebook shkruhet: “Në emër të Ambasadës së SHBA në Tiranë, ne u përcjellim urimet tona më të ngrohta të gjithë atyre që festojnë sot Fitër Bajramin.”

Ora 11:26
Meta takon Kryetarin e Komunitetit Mysliman, uron besimtarët për Fitër Bajramin: Festë që na fton të forcojmë ndjenjën e solidaritetit

 

Presidenti Meta ka takuar sot  Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu, ndërsa u ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë festën e Fitër Bajramit.

“Ishte kënaqësi të vizitoja sot Kreun Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe t’i uroja jo vetëm atij, por edhe të gjithë besimtarëve tanë që Zoti t’ua shpërblejë të gjithë ato sakrifica që kanë bërë gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Uroj paqe, shëndet, mbarësi në familjet e tyre, por edhe në mbarë shoqërinë tonë! Kjo është një festë e mrekullueshme, që gjithashtu na fton sot të forcojmë edhe ndjenjën e solidaritetit e të harmonisë me njëri-tjetrin, dhe sidomos të jemi më pranë vëllezërve tanë dhe gjithë atyre familjeve që janë në kushte më të vështira”, tha Meta.

Ora 11:25
Fitër Bajrami, Monika Kryemadhi uron besimtarët myslimanë: Të mësojmë nga gabimet e të shkuarës dhe të ecim përpara

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ishte sot në komunitetin Mysliman, ku dha edhe një urim për të gjithë besimtarët që festojnë sot Fitër Bajramin.

"Në radhë të parë, ju uroj të gjithëve ju që jeni këtu sot, edhe pse ditë me shi dhe ditë pushimi, Gëzuar Bajramin. Dhe nëpërmjet jush të gjithë qytetarët shqiptarë kudo që janë dhe që kanë festuar Bajramin mbarësi në familjet e tyre. Dhe të gjithë ata besimtarë që kanë agjëruar në muajin e Ramazanit, zoti ju pranoftë sakrificat. Si gjithmonë, festat fetare janë shumë të rëndësishme për solidaritetin të cilin ne e kemi të nevojshëm, që duhet të jemi më pranë njëri tjerit, t’i japim dorën njëri tjetrit.  Të harrojmë të shkuarën dhe të mësojmë nga gabimet e të shkuarës dhe të ecim përpara. Kjo ditë është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë  Komunitetin Mysliman po edhe për popullin shqiptar, sepse jemi i vetmi vend që kemi një harmoni fetare të jashtëzakonshme dhe është një nga vlerat më të mëdhaja që ne kemi, të cilën e stimulojmë dhe duhet ta stimulojmë më shumë sepse besimi zot është ai që fuqizon çdo ditë edhe më shumë atë që është institucioni më i rëndësishëm, institucionin e familjes. Unë ju uroj gëzuar, mbarësi juve dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë", tha Kryemadhi.

Ora 09:50
Kryeparlamentarja Nikolla: Ne, shqiptarët, pavarësisht besimit, jemi një familje e bukur dhe e madhe

1651392922_16313714421631296906Screenshot1.jpg

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përmes një mesazhi të shpërndarë për mediat ka uruar sot besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramin. Nikolla shprehet se përkushtimi dhe rritja shpirtërore shpërblehen sot, në festën e harmonisë e të shpresës.

 “Kaloi një muaj rrugëtimi, ditësh durimi e agjërimi dhe netësh mirënjohjeje, faljeje e reflektimi. Përkushtimi dhe rritja shpirtërore e besimtarëve myslimanë shpërblehen sot, në këtë ditë të harmonisë e të shpresës. U bashkohem me dashuri haresë së besimtarëve myslimanë, në kremtimin e Fiter Bajramit. Të gëzojmë e sfidojmë bashkarisht vështirësitë prej tërmetit, pandemisë dhe reve të luftës. Ne, shqiptarët, pavarësisht besimit, jemi një familje e bukur dhe e madhe. Mozaiku, diversiteti dhe respekti ndërfetar janë një vlerë e çmuar e qytetërimit shqiptar. Festat fetare i kemi pranë e pranë, si një simbolikë e afërsisë ndërfetare. Gëzuar Fitër Bajramin! Me lumturi, paqe e bekime, vëllezër besimtarë myslimanë!”, shkruan në mesazhin e saj të urimit Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

Ora 08:59
Dhjetëra besimtarë myslimanë në Durrës festojnë sot Fitër Bajramin, urojnë paqe dhe begati

Dhjetëra besimtarë kanë marrë pjesë në ceremoninë e faljes së namazit të Fitër Bajramit në qytetin e Durrësit, që këtë vit u shoqërua edhe nga reshjet e shiut. Pas një muaji agjërim, lutje, adhurime, besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin.

Kremtimi i kësaj dite, siç është bërë traditë në qytetin e Durrësit, ka nisur në 6:20 të mëngjesit. Me dhjetëra besimtarë myslimanë falën namazin, ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njërit-tjetrit, duke uruar mbarësi dhe begati për të gjithë besimtarët shqiptarë. Të gjithë besimtarët, së bashku me familjet mblidhen në drekën e madhe të Fitër Bajramit që simbolizon mbylljen e muajit të sakrificës.

Ora 08:25
Festohet Fitër Bajrami në Berat, besimtarët falën namazin në Xhaminë Mbret


Pas 30-ditësh agjërimi besimtarët myslimanë në Berat festojnë sot Fitër Bajramin, festën që mbyll Muajin e Shenjtë të Ramazanit. Ndryshe nga vitet e mëparshme ku falja e Fitër Bajramit është kryer nga besimtarët mysliman në Pedonalen e qytetit të Beratit, moti u keq bëri që këtë vit falja të kryhet në Xhaminë Mbret. Pas Ilahive dhe Ligjëratave, falja e Namazit të Bajramit filloi në orën 06:30 të mëngjesit dhe u krye paralelisht brenda dhe në oborrin e jashtëm të xhamisë Mbret. Ka qenë Imami Ferbent Durra,i shoqëruar nga ish Myftiu i Beratit Qeramudin Furdia, ai që, duke uruar besimtarët mysliman për më shumë mirësi, paqe e begati, ka kryer faljen namazit për besimtarët mysliman beratas.

"Sot është një ditë e bekuar, një ditë e madhe gëzimi. Allahu fuqiplotë na bëri të përjetojmë madhështinë e Ramazanit dhe të gjithë ne u bekuam në agjërim dhe lutje. Ramazani erdhi tek ne për të na treguar një tjetër model, sesi duhet të jetë besimtari në raport me Zotin, me veten e tij dhe me të tjerët. Le të fillojmë këtë Bajram të mendojmë për përmirësimin tonë, për kthimin tonë drejt rrugës së drejtë. Mbarimi i Ramazanin nuk nënkupton mbarimin e veprave të mira, pasi bujaria e besimtarit mysliman nuk duhet të shterojë asnjëherë", është shprehur Imami Ferbent Durra.

Besimtarët mysliman beratas kanë uruar çdo besimtar mysliman për më shumë begati në këtë ditë të bekuar feste, pas një agjërimi 30-ditor.Festimi i Bajramit vijon me pritjet në Myftininë e qytetit deri në mesditë, ndërkohë që çdo familje bashkohet në festime në vaktin e drekës, me tryezat e mbushura plot.

Ora 08:24
Kreu i KMSH: Xhamia e Namazgjasë akoma nuk ka mbaruar! Falja e namazit bëhet në sheshe prej numrit të lartë të besimtarëve, asnjë xhami nuk i merr të gjithë

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka sqaruar se Xhamia e "Namazgjasë” nuk është ende gati për të pritur besimtarët për shkak se nuk kanë përfunduar punimet. Megjithatë ai theksoi se falja e namazit bëhet në shesh prej numrit të lartë të besimtarëve, për të cilët nuk do të kishte kapacitet asnjë xhami.

"Uroj që ky Ramazan na ka motivuar më shumë, na ka bërë më të fortë që të paraqesim vlerat tona njerëzore, të gjithë popujt kanë nevojë për këtë. Xhamia e Namazgjasë akoma nuk ka mbaruar. Në momentin që ajo mbaron dhe dorëzohet, do të falen ritet e namazeve. Por as Xhamia e Namazgjasë nuk i merr të gjithë besimtarët, ndaj falja bëhet në sheshe. E rëndësishme është që Bajrami është gëzim e hare dhe i bëj thirrje njerëzve që të jemi pranë atyre në nevojë, pranë familjes sonë që të jemi një shoqëri sa më solide", tha ai.

Ora 08:21
Kryeministri Edi Rama uron Fitër Bajramin me pamjet e xhamisë së re në Mullet

1651472555_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka uruar Fitër Bajramin me pamjet e xhamisë së re në Mullet.

“Me pamjet e bukura të Xhamisë së re në Mullet, uroj të gjithë besimtarët myslimanë gëzuar festën e Fitër Bajramit”, shkroi kryeministri në Facebook.

Pamjet e xhamisë së re në Mullet
 
Ora 08:16
Fitër Bajrami në Kukës, besimtarët falin namazin në xhaminë e qytetit

 

Pas një muaji agjërimi dhe sakrifice, besimtarët myslimanë kanë kremtuar Fitër Bajramin, njërën prej ngjarjeve dhe festës më të rëndësishme të kalendarit islam. Qindra besimtarë falën namazin e Fitër Bajramit në xhaminë kryesore të qytetit.

Janë lutur dhe shpresojnë në shpërblimin me mirësi e paqe. Kryemyftiu i Kukësit Islam Hoxha, tha se në këtë ditë të madhe të mirësisë e paqes, kërkohet më tepër vullnet e besim për të marrë atë për të cilën lutemi.

Fitër Bajrami, u fal edhe në xhamitë e tjera të Kukësit me pjesëmarrjen e qindra besimtarëve myslimanë.

Ora 08:08
Besimtarët mysliman festojnë Fitër Bajramin në Sarandë, falin namazin në xhaminë e qytetit

 

 

Besimtarët myslimanë të Sarandës festojnë sot Fitër Bajramin.

Falja e namazit u bë në xhaminë e qytetit dhe është drejtuar nga myftiu Bledar Mullai. Gjatë ceremonisë u përcollën mesazhet për paqe dhe harmoni.

Ora 07:58
Besimtarët në Vlorë festojnë Fitër Bajramin, falen në ambientet e pallatit të sportit

Pas agjërimit të muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë në Vlorë  kanë kremtuar sot festën e Fitër Bajramit. Që në orët e para të mëngjesit besimtarët kanë falur Namazin në ambientet e pallatit të sportit dhe jo në xhaminë e Plumbit. Kjo për shkak të motit me shi dhe numrit të lartë të besimtarëve. Kreu e Myftinisë Vlorë Armand Asllani  ka drejtuar faljen. Namazi u fal në orën 06:20 minuta, ndërsa këtë vit është vënë re prani e madhe e besimtarëve, kjo edhe për shkak të heqjes së masave anti-COVID.

Ora 07:56
Besimtarët myslimanë në Fier festojnë Fitër Bajramin, përcillen mesazhe për paqe e harmoni

Që në orët e para të mëngjesit, besimtarët kanë falur Namazin në xhaminë e qytetit, ndërsa krerët myslimane të myftinisë kanë përcjellë urimet për paqe dhe harmoni mes njerëzve. Namazi u fal në orën 07:00. Myftiu i Fierit, Mikel Hazizolli ka uruar dhe përshëndetur të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit. Ai ka përcjellë mesazhin për më shumë paqe dhe respekt ndaj njëri-tjetrit  e sidomos për me shumë besim, duke konsideruar njeriun si pasurinë më të madhe të  krijuar nga Zoti.

Ora 07:45
Festa e Fitër Bajramit, besimtarët myslimanë në Lushnjë falin namazin

Besimtaret myslimane të Lushnjës i janë drejtuar palestrës së shkollë 9 vjeçare "Skënder Libohova" për të falur namazin pas mbylljes së muajit të shenjtë të Ramazanit. Falja e namazit është drejtuar nga myftiu Gramos Bliku. Ishte parashikuar që falja e namazit të bëhej në sheshin kryesor të qytetit, por për shkak të reshje të shiut u spostua ne palestër dhe jo në xhaminë e qytetit pasi kjo e fundit është tepër e vogël për besimtarët e shumte, burra e gra që falën namazin.

Ora 07:38
Fitër Bajrami/ Kreu i KMSH uron besimtarët, mesazh për politikën e luftën në Ukrainë: Të punojmë me ndershmëri, mos prekim pasurinë publike! Lutje për paqe në botë

 

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka uruar të gjithë besimtarët në ceremoninë e faljes së Fiter Bajramit në Sheshin Skënderbej. Në mesazhin e tij, u ndal edhe tek politika duke kërkuar që të mos preket pasuria publike dhe të mos çohen në shtëpi të ardhura të pa ligjshme. Ndërsa për luftën në Ukrainë, uroi paqe e prosperitet në botë pasi pasojat e konflikteve ndihen kudo dhe prekin njerëzit e pafajshëm.

Fjala e plotë

Të nderuar besimtarë dhe ju teleshikues, nga kudo që po na ndiqni – Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju! Sot, posa zbardhi agimi i mëngjesit, në të gjithë vendin po mbretëron gëzimi i festës së namazit të Fitër Bajramit. Besimtarët myslimanë i drejtohen sot Zotit me falenderime dhe lutje për falje, mëshirë e begati.  Përgjatë një muaji ne agjëruam, u lutëm e u falëm si shenjë e dorëzimit ndaj madhështisë së Zotit të gjithësisë. Sot secili prej nesh i lutet Zotit të na pranojë agjërimin, sadakanë e fitrit dhe zekatin.

Të dashur besimtarë!

Muaji Ramazan është muaji ku për secilin nga ne u krijuan rrethanat për shpëtim dhe udhëzim në rrugën e vërtetë. Lutemi të kemi dalë nga muaji i Ramazanit me një pastërti dhe ndriçim shpirtëror. Ashtu siç thotë i dërguari i Zotit: Nëse kemi agjëruar me besim dhe bindje te Zoti i gjithëpushtetshëm, Ai na i ka fal mëkatet. Agjërimi, përmendja e Zotit, leximi i Kuranit dhe shumë vepra të tjera të mira; kanë ndriçuar zemrat e tona, kanë pastruar ndryshkun e tyre dhe na mundësojnë të hapim një kapitull të ri të jetës.

Kushdo që ka agjëruar ka fituar dimensione të reja shpirtërore e morale. Njerëzit duke pranuar me zemër begatitë e Zotit, pas namazit festojnë dhe gëzohen.  Vizitojnë të afërmit dhe japin lëmoshë dhe në realitet hapin një faqe të re të kënaqësisë së Zotit. Agjërimi është një obligim, një mundësi dhe një favor që na ka bërë Zoti për të pastruar të vjetrën dhe për t’i hapur rrugë të resë.

Të dashur motra dhe vëllezër

Koha në të cilën jetojmë na ka vënë përballë sfidave e vështirësive me të cilat, më së shumti, përballen kategoritë më vulnerabël të shoqërisë si të moshuarit, fëmijët, të varfërit, jetimët, njerëzit me nevoja të veçanta.

Të dashur motra dhe vëllezër

Zoti na ka pajisur me të gjithë kapacitetin e nevojshëm për t’i përballuar këto sfida të natyrave të ndryshme. Secili nga ne duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim, secili duhet të rizbulojë dhe nxjerrë prej vetes vlerat më të larta njerëzore. Dhe Ramazani ishte një mundësi për të nxjerrë këto vlera. Të përkushtohemi më shumë ndaj prindërve, të moshuarve, të gjendemi pranë jetimëve. T’i japim dorën njerëzve me nevoja të veçanta, të përkujdesemi dhe tregojmë mëshirë ndaj tyre. Nuk mund të mendohet që të ketë gëzim dhe kënaqësi Bajrami për ata, që u kthejnë shpinën miqve, të afërmeve, fukarenjve dhe vëllait të mbetur mënjanë.

Në një hadith, Profeti (a.s.) thotë: “Veprimi më i dashur për Zotin pas kryerjes së obligimeve, është kur një besimtar e gëzon vëllain/motrën e tij”. Parë në këtë drejtim, profeti Muhamed (a.s.) i porosiste shokët e tij që në këto ditë të mos i harronin të varfrit dhe nevojtarët. Kështu, besimtarët përpiqen që me veprimtari dhe bamirësi të ndryshme të plotësojnë nevojat e të varfërve dhe jetimëve që edhe ata të gëzojnë. Bajrami është ditë gëzimi e hareje, ditë ku manifestohet uniteti, toleranca, forca e paqes dhe vëllazërimi.

Të dashur besimtarë!

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është në prag të përkujtimit të 100-vjetorit të themelimit dhe pavarësisë së tij. Nuk ka qenë i lehtë rrugëtimi i këtij institucioni. Sfidat dhe peripecitë që kanë kaluar kolosët e islamit në Shqipëri, ndër ta paraardhës të mitë si Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Sabri Koçi, nuk kanë qenë të lehta. Por ata ia dolën të ruajnë pavarësinë dhe integritetin e këtij institucioni duke u lidhur fort pas burimeve të pastra, Kuranit dhe Sunnetit të profetit (a.s.).

Ne kemi trashëguar nga paraardhësit tanë një frymë tolerance, harmonie dhe vetëvendosje. Ky është një amanet! Ne do ta ruajmë fort atë! Do t’u qëndrojmë këtyre parimeve me lejen e Zotit! Bajramet tona kanë qenë përherë gëzim i përbashkët për mbarë qytetarët, qofshin myslimanë apo jo, po ashtu edhe e anasjellta. Pas namazit të Bajramit, kudo, në qytete e fshatra, në lagje e në rrugë, të njohur dhe të panjohur takohen dhe i urojnë Bajramin me gjithë zemër njëri-tjetrit. Gëzoni fëmijët me dhurata këto ditë! Ndihmoni nevojtarët, lehtësojuni mundimet të sëmurëve, vizitojini ata! Tregoni mëshirë e përkujdes ndaj prindërve ashtu siç ata kanë treguar ndaj jush teksa ju rritën! Punoni me ndershmëri ndaj vendit, mos prekni pasurinë publike, mos çoni në shtëpitë tuaja të ardhura të pa ligjshme! Mos prekni dinjitetin, nderin dhe shtëpinë e tjetrit, këto janë parime fetare, parime universale! Këto janë veprime që hidhërojnë Zotin!  Motra dhe vëllezër!

Luftëra dhe konfliket janë shfaqur sërish në vende të ndryshme të botës. Nga Lindja në Perëndim, pasojat e këtyre konflikteve ndihen kudo dhe ato i ndiejnë drejtpërdrejt njerëzit e pa fajshëm, fëmijët, të moshuarit, gratë. T’i lutemi Zotit për paqe e prosperitet në botë. Të dashur shqiptar, ju uroj përzemërsisht gëzuar Fitër Bajramin, paçi gëzime e hare e begatinë e Zotit në familjet tuaja. Zoti e begatoftë vendin tonë dhe botën mbarë!

Ora 07:37
Besimtarët myslimanë në Lezhë festojnë Fitër Bajramin, urojnë njëri-tjetrin për më shumë begati

Besimtaret Mysliman në Lezhë kanë kremtuar Fitër Bajramin. Falja e namazit u bë në xhaminë e qytetit dhe riti fetar u drejtua nga myftiu Emirjon Vathaj, ndërsa u përcollën mesazhe paqeje e harmonie.