Festa e muzikës, spektakël më 21 qershor në ‘Bunk’Art 1’/ Marsela Çibukaj: Jam e emocionuar

Marsela Çibukaj ka dhjetëra arsye që të emocionohet, kur hyn në korridoret e ftohta të BunKArt 1. Kur ka vizituar për herë të parë këtë muze të diktaturës, ajo ka kujtuar fatin e familjes së saj të persekutuar. Dhe pas shumë kohësh mendon se ky është vendi i duhur, ku ajo do të sfidojë kujtimet e së kaluarës me muzikë.   

Bunk’Art 1, do të kthehet në një arenë të madhe të muzikës më 21 qershor. Janë katër grupe muzikore dhe zërat e rrallë solistikë: Marsela Çibukaj, All in Band, Jericcho dhe Vitmar Basha, që do të performojnë live në Ditën Botërore të Muzikës.   

Këngëtarja Marsela Çibukaj, e intervistuar nga Report TV, shpreh e para entuziazmin për perfomancën në Bunk’Art 1. Në këtë intervistë, Çibukaj rrëfen, ndër të tjera, sesi ka ecur në rrugën e pakthyeshme të muzikës nga Italia, ku kaloi fëmijërinë, e më vonë me sukseset e saj në Shqipëri.

E lumtur që do të performojë në koncertin që do të nis në orën 19.00, në Bunk’Art 1, ajo premton se do të jap më të mirën për publikun.

Bunk’Art 1 do të përfshihet në një atmosferë muzikore për të festuar Ditën botërore të Muzikës. Pas performacave muzikore live, në orën 20.00 publiku do të përfshihet në një nga ngjarjet më argëtuese; do të ndjek projeksionin live të ndeshjes së botërorit Kroaci-Argjentinë, shoqëruar me barbecue dhe “Birra Tirana Party”. 

Dhe muzika do të vijë sërish në orën 21.45 në parkun e BunkArt 1, ku do të shpërthejnë me performancat live djemtë e rock-ut, Jericho dhe Vitman Basha. Ndërsa hyrja është falas, Marsela Çibukaj e fton me gjithë zemër publikun të shkoj drejt Bunk’Art 1 në këtë festë të madhe të Muzikës...

Marsela, ç’do të thotë për ty të performosh në një muze të mbushur me ngjarjet dhe kujtimet e diktaturës si Bunk’Art1?
-Është shumë domethënëse për mua, unë pata një ftesë të kësaj date, që është 21 qershori Dita Ndërkombëtare e Muzikës. Unë kam kënduar shpesh në festën e muzikës, sidomos në Itali për dhe atje bëhen festa të mëdha. Kam kënduar në Romë për Ditën Botërore të Muzikës, e atje këndohet deri natën vonë. Dhe ne këndojmë shpesh me shumë bende të shpërndara në rrugicat e Romës. Fakti është që unë do të këndoj brenda Bunk’Art 1, është shumë domethënëse, që muzika universale realizohet brenda një vendi që simbolizon një periudhë të errët për Shqipërinë, ku liria ishte e vështirë dhe nuk i përkiste fjala shumë njerëzve, popullit nuk i përkiste liria. Akoma më e vështirë duket ajo kohë për mua, kur e lidh me historinë  e familjes sime. Akoma më shumë domethënës ky koncert për mua. Sidomos nga familja e mamit kemi pasur një histori të trishtë persekutimi. Është një vend që pasqyron mungesën e lirisë.  

BunkArt1 është një muze që përfaqëson një epokë të errët, në të cilën është persekutuar i gjithë ky popull. Mami im ishte me origjinë nga Vlora, nga një familje e persekutuar, dhe ngelën të mbyllur, në errësirë në atë kohë. U persekutuan për shkak të gjyshërve. Pra të këndoj brenda Bunk’Art është shumë simbolizuese, sepse unë mund të shprehë atë liri që gjyshërit e mi, nëna ime, nuk kanë mundur për shumë vite ta shprehin. Kështu që kjo është një ftesë që unë nuk kisha si të  mos ta merrja në konsideratë.

Kur e ke vizituar për herë të parë Bunk’Art1, cili ka qenë përjetimi apo reagimi juaj?
-Unë Bunk’Art, s’e kam menduar, por mund të them atë çfarë kam ndjerë. Mua më kanë ardhur dy lloj ndjenjash në lëkurë, në shpirt:  e para është me siguri frika, një lloj terrori që ato korridore, ajo ftohtësia, ajo lagështia e shprehin, dhe e ka shprehur me fakte edhe në historinë e Shqipërisë. Dhe e dyta është dëshirë për të rifituar diçka sipër kësaj periudhe të errët, pra për t’i lënë të rinjtë që të shprehen dhe me tingujt e muzikës; për t’i mbushur korridoret dhe për t’i dhënë një tjetër kuptim një epoke që na ka pezmatuar kaq shumë dhe nuk na ka lejuar, qoftë edhe si artistë që të shpreheshim, siç është ajo ndjenja për të rifituar përmes muzikës atë bukuri, atë lezet, që ka muzika. Ishin këto pra, dy ndjenjat që unë pata kur vizitova Bunk’Art1.

Jemi kurioz të dimë për risitë që do të sjellësh në koncertin e 21 qershorit?
-Në këtë koncert kam dëshirë që të shprehem muzikalisht në gjithçka që mua më ka bërë që të jem ajo që jam sot. Pra unë do prek pak nga ajo muzikë që ka qenë pjesë e rritjes time artistike, ato lloj influencash, ata lloj artistësh që kanë ndikuar shumë, si këngët e Janis Joplin, këngët e Rei Chard. Dhe më pas do të arrijë te krijimtaria, që sidomos në 10 vitet e fundit është shprehur drejtpërdrejt nga unë, me këngët që kam prezantuar në disa festivale në Shqipëri. Dhe do të këndoj edhe dy këngë të albumit, që shpresoj ta realizoj vitin që vjen, do të këndojë edhe këngët dashurie, se edhe dashuria ka qenë e ndaluar në atë periudhë dhe kështu, të flasësh për dashurinë brenda Bunk’Art1 është një arritje shumë e bukur. Dhe me këtë mendoj se do sjell diçka origjinale nga ato që kam bërë deri më sot në koncerte.

Si i keni arritur në këto kulme të karrierës, si nisi rrugëtimi juaj me muzikën?
-Mund ta filloj nga rrënjët. Në familjen time, askush nuk është muzikant, unë vij nga një familje me njerëz të thjeshtë dhe ata donin të kisha një shkollë e një karrierë të mirë dhe ëndrra për të qenë avokate. Ndoqa studimet për juridik në Itali, atje ku kam jetuar, atje ku kam ende familjen time. Mirëpo muzika ishte pasion që e vogël. Mësuesit vunë re një timbrikë zëri të veçantë dhe melodik, kështu që më orientuan të merrja leksione kantoje. Punova më mësuesit më të mirë në Itali, që më kanë dhënë atë ABC-në që më shërben sot në këndim.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë