Një festival që synon të krijojë hapësira dhe ura, që bashkojnë njerëzit përmes historive. I tillë është Festivali i Letërsisë Europiane në Tiranë, i cili çeli siparin mbrëmjen e së martës.
Eventi bën bashkë shkrimtarë të njohur nga Irlanda, Austria, Gjermania, Sllovenia, Spanja, Holanda, Kroacia, Republika Çeke, Bullgaria, Greqia, Franca, Italia dhe Polonia, të cilët do të lidhen me lexuesit shqiptarë dhe do të vizitojnë shkolla të mesme dhe universitete, ndërsa vjen i organizuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri, në partneritet me Institutin Italian të Kulturës dhe në bashkëpunim me ambasadat e shteteve anëtare të BE-së.
Me qëllim nxjerrjen në pah të diversitetit të zërave evropianë, promovimin e letërsisë bashkëkohore dhe angazhimin e publikut shqiptar me autorë dhe krijues nga e gjithë Evropa, festivali ofron një platformë për dialog, mirëkuptim dhe rrëfim historish përmes formateve dinamike.
“Ne duam që ky festival të jetë një mundësi për biseda, eksplorim dhe lidhje, ku autorët, përkthyesit e tyre dhe lexuesit të takohen për të eksploruar botën e sotme dhe sfidat e saj përmes fuqisë së letërsisë. Do të këqyrim këtë panoramë letrare, do të kemi mundësi të shkëmbejmë të diskutojmë çështje tematike, të nxisim po kështu edhe mirëkuptimin e ndërsjellë të kulturave të ndryshme dhe të vazhdojmë në njëfarë më mënyre të pasqyrojmë atë punë që bëjmë çdo ditë, punën që bëj unë dhe të gjithë përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së në shoqërimin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.”, tha Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato.
Ndërsa drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera shprehet i kënaqur “që bashkëpunon përsëri në një nismë që sjell në Tiranë zërat e shkrimtarëve evropianë që mishërojnë vlerat më të mira si diversiteti kulturor, shumëgjuhësia, pasuria krijuese e kulturës evropiane dhe i ndan ato me publikun shqiptar”.
Maja Haderlap, një shkrimtare austriake dygjuhëshe slloveno-gjermane, e njohur më së shumti për romanin e saj me të cilin ka fituar shumë çmime "Engjëlli i Harresës" foli mbi shkrimin shumëgjuhësh dhe përkatësinë.
“Nevoja për të shpjeguar më ka shoqëruar përgjatë gjithë jetës. Me kalimin e viteve kam reflektuar për historinë e veçantë të sllovenëve në këtë zonë të Austrisë dhe për historinë e veçantë të familjes time. Kështu mori formë, u formësua dëshira për ta shkruar këtë tekst nga një nevojë e brendshme e imja. Këtë roman unë e kam shkruar në gjermanisht. Të gjitha shënimet e mia ishin në gjermanisht dhe për mua ishte vërtetë një habi. Ishte një qëndrim i brendshëm, që unë doja që këtë histori ta tregoja për hapësirën gjermanisht folëse.”, tha Haderlap.
Festivali i Letërsisë Evropiane do të zhvillohet që nga Shtëpia e Evropës deri te Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansambli Popullor në Tiranë, Vila 31 x Art Explora, Biblioteka Kombëtare “Sotir Kolea”, Qendra e Kulturës “Tulla”, Biblioteka “Babel” dhe Teatri Kombëtar i Kukullave.
Përmes tij, ofrohen mundësi për të eksploruar ide, zhanre, histori dhe koncepte, duke shërbyer si një forum për dialog kuptimplotë, si dhe duke i ftuar pjesëmarrësit të njihen me traditat e pasura letrare dhe të fitojnë njohuri më të thella mbi shoqëritë bashkëkohore.
Ndërsa letërsia ushqen arkitekturën e mendimit, duke zhvilluar imagjinatën tonë dhe duke ndërtuar ndërgjegjen, shkrimtarët evropianë që i bashkohen FELT-it përmes veprave të tyre letrare dhe dialogëve, eksplorojnë një gamë të larmishme temash. Ndër to janë shkrimi dhe përkatësia shumëgjuhëshe, shkrimi në një gjuhë minoritare, identiteti, migrimi në letërsinë bashkëkohore dhe kujtesa kulturore evropiane, problemet me shëndetin mendor, roli i familjes në jetën dhe karrierën e shkrimtarëve, sfidat me të cilat përballen shkrimtarët e rinj, sfidat shoqërore si inteligjenca artificiale, lufta dhe konflikti, letërsia në tranzicion, temat e zhvendosjes, rritja dhe qëndrueshmëria.
Sesionet e leximit nga veprat e Maja Haderlap-it, Begoña Oro-s, Michał Rusinek-ut, Barbara Stock-ut (Libri i Vinsentit), Přemysl Vinš-it mbi veprën e KarelČapek-ut, Djamel White - Fighting Words, Milena Selimit, Ena Katarina Haler-it, Christos Kythreotis-it, Nadia Terranova-s, Dario Voltolini-it dhe Philippe Collin-it zbulojnë peizazhet letrare shumëngjyrëshe të autorëve evropianë.
Programi përfshin angazhime ditore në shkolla dhe biseda mbrëmësore të hapura për publikun, si dhe shfaqje artistike bashkëkohore, takime pune mbi shkrimin krijues dhe bashkëpunime eksperimentale që kombinojnë fjalën e folur dhe muzikën mbi temën e kujtesës letrare. Festivali pasqyron diversitetin gjuhësor, kulturor dhe tematik të letërsisë evropiane. FELT i fton pjesëmarrësit të eksplorojnë ndikimin transformues të leximit dhe rrëfimit të historive në formësimin e një Evrope më të ndërlidhur dhe më empatike.
Komente












