TIRANË - Dje në Krushevë të Vogël të Klinës, u zhvillua një manifestim kulkturor, në kuadër të Javës së Trashëgimisë dhe Traditës Etnografike. e cilesuar si "Dita e Plisit", nën kujdesin e Qendrës Muzeore "Agimi i Gjytetnisë" të Gjon Gjergjajt e të krijuesve e veprimtarëve të kulturës së Komunës së Klinës. Merrnin pjesë intelektualë e krijues nga Klina, Peja, Gjakova, Hasi, Rugova, Medvegja, Prishtina, Mitrovica dhe shumë qytetare të këtyre trevave etj.
Por ç'është "Plisi i Bardhë" që malësorët e vendosin në kokë dhe çfare përfaqëson ai? Ka një legjendë për të që shqiptarët e atyre trevave e njohin shumë mirë. Legjenda thotë se, Plisi simbolizon gjysmën e vezëz hyjnore, nga e cila doli Perëndia -Shqiponjë- apo Skifteri duke fluturuar. Me krahët e tij krijoi çdo gjë, pra krijoj vet jetën. Pikërisht ky symbol u trashëgua që nga paganizmi, kaloi nëpër legjenda e gojëdhëna të herëshme deri në ditët tona. Është mjaft interesante të vëzhgosh ritet në disa zonë të malësisë. Riti i martesës është shumë domethënës, ku futet dhe simbolika e plisit. Nusja kur hyn për herë të parë në shtëpine e dhëndrrit, asaj veç disa zakoneve të tjera, i duhet të ulet në një Plis të kthyer mbrapsht dhe ta vendos nje Plis tjetër në kokë. Në këtë traditë zakonore shqiptare, me ritin e nuses kujtohet skena  e gjenezës, pra siç perëndia doli nga veza hyjnore, apo veza e botrave dhe solli jetën, ashtu edhe nusja "del nga veza" dhe sjell jetën në atë shtëpi ku martohet.

Përveç kësaj, nusja bën dhe një "Temena" që  na bën të kujtojmë prejardhjen tonë të lashtë mijravjeçare. Kur nusja fillon Temenanë, bën disa lëvizje me duar si kujtim të Shqiponjës kur  Zoti krijoi Botën dhe në fund të Temenasë, nusja bën me dy duart shenjën e Shqiponjës.
Plisi i Bardhë perfaqëson pastërtinë e krijimit, mençurinë, urtinë, burrërine, përzgjedhjen hyjnore.
Dje në Klinë, secili pjesëmarrës mbante një plis në kokë, si shenjë e nderimit të thellë për këtë  relike të shënjtë shqiptare. Manifestimi mori formën e një ceremoniali ku respektohej dhe  vlerësohej plisi si pjesë e autoktonisë sonë. Fillimisht, u paraqitën kumtesa nga studiues të folklorit dhe të etnografisë si, Prend Buzhala e Ismet Krasniqi, pastaj folën për kultin e plisit intelektualët Fadil Hysaj regjisor dhe  dramaturg, Sejdi Berisha, Tahir Bezhani, intelektual gjakovar, Rasim Beqaj  dhe disa të tjerë nga treva të ndryshme të Kosovës. Ata paraqitën aspekte historike, trashëgimore, etnike, mitologjike të Plisit ndërshqiptar. "Ngjyra e bardhë është simbol i pastërtisë, dritës, prosperitetit, është arketipi  shqiptar i identifikimit, vetënjohjes, që nga mitet antike e kosmogonike e deri në thellësinë e kohëve historike. Shqiptarin ndryshe as nuk mund ta përfytytojmë, përpos me Plisin në krye."Qeleshebardhë ishin luftëtarët shqiptarë që nga kohët e mugëta ilirike e deri në kohët moderne..." tha Prend Buzhala. "Plisi është relikt i shenjtë, ndaj të cilit shqiptari përkulej dhe e mbante me nderim të thellë. Bardhësia e tij është simbol drite, dritë që qëndron në kokë, prej nga ky simbol haset edhe tek mitet antike, edhe tek krishterimi, si aureola rreth kokës së shenjtorëve. Pra, ka dhe elementin e shenjtlrisë..." përmendi Fadil Hysaj, kurse Ismet Krasniqi paraqiti rrënjët historike e ato tradicionale të Plisit Shqiptar, përdorimin e tij në dasma, gazmende, manifestime, ritin enderimit të tij etj.
Me pas, gjate një ore letrare poetë e krijues të ndryshëm lexuan vargje kushtuar plisit. Të ardhur me veshje kombëtare, enkas për këtë manifestim ishin hasjanët, që vallëzuan e kënduan disa këngë të vjetra folklorike. Impresive ishin edhe çastet e kaluara në drekën me ushqime tradicionale shqiptare.

Pas këtij manifestimi, të pranishmit vizituan studion e ekspozuar me vepra arti të piktorit Idriz Berisha, në Dobërdol të Klinës. Manifestime të tilla me simbolikën e pasur kombëtare janë një burim njohje dhe përcjelljeje të historisë dhe kulturës sonë. Gjithashtu, janë stacione për vizitorët dhe turistët e huaj që vizitojnë vendin  dhe dëshirojnë të njohin ritet dhe zakonet e tij të trashëguara në shekuj. /ATSH/