Fevziu: Shkullaku u shkarkua
për një pazar të prishur me PD
Fevziu dekonspiron Frangajn për Shkullakun
Analiza/Mero Baze: ABC e çdo krimi!

Fevziu: Shkullaku u shkarkua<br />për një pazar të prishur me PD<br />Fevziu dekonspiron Frangajn për Shkullakun<br />Analiza/Mero Baze: ABC e çdo krimi!
Kriza mes drejtorit të ABC News, Armand Shkullaku dhe pronarit të televizionit, Aleksandër Frangaj, që vendosi largimin e Shkullakut nga posti i tij, lidhet me një pazar të prishur mes Frangajt dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në qendër të këtij pazari ndërmjet liderit të opozitës dhe ish-botuesit më pranë PD-së është dhënia ABC News-it e licensës televizive kombëtare: një licensë kjo, që mund të ketë vlerën e miliona eurove.

Këtë prapaskenë skandaloze e zbulon Blendi Fevziu, bashkëpunëtor i ngushtë i Frangajt dhe mik personal i Armand Shkullakut. Në një intervistë për një media të PD-së, Fevziu tregon:

“Ka një moment të tensionuar në raportin mes Aleksandër Frangajt dhe Lulzim Bashës. Të paktën me aq sa di unë. Ky tension solli edhe largimin e Shkullakut. Bëhet fjalë për një përplasje më të hershme, që ka kulmuar me debatin për licensën e ABC News, që PD nuk e votoi”.

Shqiptarja.com është në gjendje të rindërtojë prapaskenat e kësaj afere, që nuk ka të bëjë aspak me lirinë e shtypit, siç janë përpjekur të na bëjnë të besojmë shumë protagonistë të saj.

Më 29 dhjetor 2016 Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) mblodhi Bordin për të vendosur dhënien e dy licensave televizive kombëtare. Në garë ishin Media Vizion, shoqëria ADTN, Tring TV, Ora News dhe pikërisht ABC News. AMA është e përbërë nga shtatë anëtarë, tre nga të cilët të zgjedhur nga PD.

Në mbledhje çuditërisht nuk mori pjesë anëtari i AMA-s pranë LSI-së: si për të thënë se Meta në këtë përplasje mbi mediat ka parapëlqyer të mos mbajë anë, duke lënë që “beteja” të zhvillohej mes PS dhe PD. LSI, prej kohësh në një luftë të ftohtë me Frangajn, nuk kishte ndërmend të mbështeste ABC News-in, por në të njejtën kohë (duke habitur shumë njerëz) parapëlqeu edhe të mos mbështetë as "Ora News", ndonëse flitet që marrëdhëniet e Ylli Ndroqi me Ilir Metën janë shumë të ngushta. Një mbështetje e munguar, çka e bëri të padobishme aleancën, që Ylli Ndroqi kishte arritur ta bënte me PD-në, e cila në fakt e deklaroi mbështetjen e saj për Ora News.   

Kur erdhi puna tek votimi, Media Vizion (që thuhet se është pranë PS) mori përkrahjen edhe të 3 anëtarëve të PD e kështu mori licensën e parë. Licensa e dytë nuk u dha, pasi në Bordin e AMA-s vendosi të mos ja japin ADTN-së, ndërkohë që tre pjesëtarë të tjerë u skualifikuan: Tring, Ora News (që, siç thamë, u ndodh pa mbështetjen e LSI) dhe ABC News.

Ta kthente licensën e ABC News-it nga vendore, në kombëtare, ky të do ishte një biznes i madh për Frangajn. Kur, në vitin 2006, duke përdorur një vajzë në emër të tij, hapi (duke shkelur ligjet e kohës) Ora News-in, Frangaj investoi rreth 50.000 euro: pas pak muajsh ia shiti atë licensë Ylli Ndroqit për rreth 700.000 euro. Dmth fitoi nga një licensë e marrë me kosto zero 650.000 euro në pak muaj.

Katër vjet më pas, duke përdorur një tjetër person në emër të tij, mori kontrollin e Telenorbës shqiptare, që më pas u quajt ABC News. Duke e transformuar licensën vendore në kombëtare, Frangaj shpresonte të bënte një tjetër “bingo”, dmth t’ia shiste ndonjë operatori tjetër që kërkonte licensë, këtë herë duke fituar miliona euro.

Flasim për ABC News dhe Frangajn, edhe pse me letra pronari i televizionit është një farë Redi Sata, i padëgjuar më parë në botën e mediave, edhe pse prej shumë vitesh tashmë zyrtarisht është pronar i 80% të aksioneve të ABC News-it. Në të vërtetë, Redi Sata është bashkëshorti i motrës së gruas së Aleksandër Frangajt, me një fjalë prona mbetet brenda familjes. Pjesa tjetër, prej 20 përqindësh, deri në qershor 2016 ishte e ndarë mes dy aksionerësh italianë: Giovanni D’Alessandro (12.5%) dhe Eligio Romanazzi (7.5%), që kishin mbetur prej kohësh ortakë të Telenorbës shqiptare.

Më pas, më 14 qershor 2016 Redi Sata blen edhe aksionet e dy italianëve, duke i paguar ato vetëm 40.000 euro, duke u bërë kështu pronar në masën 100% i aksioneve të ABC News-it. Kjo, deri më 21 nëntor 2016, kur ABC News vendosi të aplikojë për të kërkuar licensën kombëtare. Redi Sata i “shet” njëkohësisht 20% të aksioneve të ABC News-it Frangajt dhe 20% të tjera gruas së Frangajt. Për këto aksione kishte paguar 40.000 euro. Dhe për sa i shet? Për 20.000 euro. Dmth, gjatë kalimit të aksioneve, humb 20.000 euro. Mister.

Në këtë pikë, fillon tratativa mes Frangajt dhe PD-së për të marrë tre votat e këshilltarëve të AMA-s, vendimtarë për të fituar licensën kombëtare. Por arriti vendimi i papritur i 29 dhjetorit 2016: Përfaqësuesit e PD brenda AMA-s deklarojnë hapur se votojnë për t’i dhënë licensën Media Vizionit dhe Ora News-it. Frangaj (që në këtë rast nuk merr as mbështetjen e PS) mbetet jashtë loje, humb licensën kombëtare dhe ca miliona euro.

Disa ditë më pas, Armand Shkullaku (duket që ai ishte pika e kontaktit me PD-në brenda ABC News-it) hiqet nga puna. Sipas Blendi Fevziut, që i njeh mirë të fshehtat e Klanit, “ka një moment të tensionuar në raportin mes Aleksandër Frangajt dhe Lulzim Bashës. Ky tension solli edhe largimin e Shkullakut. Bëhet fjalë për një përplasje më të hershme, që ka kulmuar me debatin për licensën e ABC News, që PD nuk e votoi”.

Se ç’hyn në këtë mes cënimi i lirisë së shtypit, ndoshta dikush do të mund të na i shpjegojë.

faksimile abc news
faksimile abc news


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë