FIER- Në shtator të 2020-ës u deshën 5 orë negociata me policinë, që 31-vjeçari Elton Meta të lëshojë nga duart kallashnikovin që i kishte vënë vetes duke kërcënuar se do të vetëvritej, në oborrin e shtëpisë së ish-bashkëshortes së tij, pasi i kishte terrorizuar familjarët. Por mbrëmjen e këtij 10 shtatori, nga arma automatike dolën plumba që i morën jetën nënës së vajzës së tij, Sabrina Bengaj, 23-vjeç.

Ishte ora 22:50 kur Elton Meta i shkoi sërish në shtëpi në fshatin Zhupan. Xhelozia, apo fakti që nuk e linte të takonte të bijën, e çuan sërish të nervozuar Elton Metajn në derën e shtëpisë së vjehrrit të tij. Veçse këtë herë, me vete mbante dhe mllefin që më shtator të 2020-ës, u fut në burg për hir të këtij konflikti. Pas 3 orësh ndjekje, policia mundi ta vë në pranga 31-vjeçarin në një zonë të pyllësuzar në fshatin e tij, Peshtan, me armën e krimit në duar, ndërsa u sekuestua dhe motorin me të cilin u largua nga banesa e ish-vjehrrit.

Sipas autoririteteve, Elton Metaj, ka qenë arrestuar edhe më herët për dhunë në familje, armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të policisë. Por e ndjera, për hir të vajzës së vogë, kishte duruar dhunën psikologjike e fizike të bashkëshortit të saj. Vëllai i viktimës, Armando Bengaj thotë se Eltoni kishte kërcënuar edhe vetë atë për ta vrarë, ndërsa gishtin e fajit ia drejton gjykatësve dhe prokurorëve që nxorrën nga burgu njerëz të tillë.  

"Fajin e kanë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që nxjerrin njerëz kriminelë. Ai më kishte kërkuar dhe mua për të më vrarë, më tha gruaja që e kam shtatzënë, ai ishte një frikacak që të vriste pas krahëve. Motra nuk ishte vetëm, ishte dhe mamaja, i tha “të dalë motra”, mami i kishte thënë “ik”. Motra sa erdhi nga puna, hëngri bukë dhe e vrau, plumbi e kishte kapur në mushkri", tha i vëllai. 

Ndërkohë në një bisedë telefonike për Report Tv, avokati i Elton Metës, Kutjim Cakrani, tha se 3 ditë më parë ai ishte kërcënuar nga ish-vjehrri dhe se këtë shqetësim e kish shprehur përballë avokatit.

“Pasi na kërkoi ndihmë, i sugjeruam të shkojë në polici të bëjë kallëzim pasi u shpreh  se  vjehrrit e kërcënoi duke i kërkuar t’i rrijë larg vajzës së tij tashmë që janë ndarë, ndërsa vetë Meta pretendonte se flite me Sabrinën dhe duheshin ende” tha më tej avokati.

1631337954_autoky11631310095.jpg

Autori Elton Metaj

1631341755_page.jpg

Viktima Sabrina  Bengaj
 

VIDEO/ Vëllai i viktimës

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:15
U vra nga ish-burri në Fier/ 23-vjeçarja kishte urdhër mbrojtjeje, i përfundonte pas një muaji

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja të resë Sabrina Bengaj nga ish-burri i saj, Elton Metaj. Report Tv mëson se 23-vjeçarja ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje nga 14.10.2020, deri ne datën 14.10.2021. Pra pas një muaji, Sabrinës i përfundonte urdhri i mbrojtjes, mirëpo ndonëse e kishte një urdhër të tillë, nuk arriti që ta mbronte nga marrja e jetës. Vendimin për t’u pajisur me urdhrin e mbrojtjes e ka dhënë gjyqtari Alfred Konomi.

Ora 11:16
Sot vrau ish-gruan, një vit më parë e mbajti peng! Si i shpëtoi burgut autori në Fier, manovra e prokurorit! 3 ditë më parë u 'kërcënua' nga vjehrri

Në janar, prokurori i çështjes, Çlirim Sina pa pasur pretendim nga familjarët apo i pandehuri, ka kërkuar në gjykatë që Elton Metaj të mos qëndrojë në qelinë e paraburgimit të Fierit, por të shkojë në spitalin e burgut të Zaharisë, për ata që janë me probleme të shëndetit mendor, bazuar mbi një ekspertizë nga mjekë të Institutit Ligjor.

Mbi provat e paraqitur, gjykata e ka pranuar kërkesën dhe Elton Metaj është shtruar në spitalin e burgut të Zaharisë.

Avokati Kujtim Cakrani ka apeluar vendimin në Gjykatën e Apelit të Vlorës, duke thënë se Elton Metaj nuk është sëmurë dhe duhet të dënohet sipas ligjit, por Gjykata e Apelit e la në fuqi vendimin  e shkallës së parë.

Kështu, Elton Metaj qëndroi 6 muaj në spitalin e burgut në Zaharisë, që do të thotë se u shua përgjegjësia penale për veprat e kryera mbi argumentin se ka probleme të shëndetit mendor, pra nuk dënohej më me burg.   

 Por pasi gjendja e tij ishte e mirë – mbrojtja e Elton Metajt i kërkoi gjykatës që të linte spitalin e burgut dhe të merrte shërbim ambulator në shtëpi.

Gjykata caktoi ekspertë të mjekësisë të Institutit Ligjor dhe vendosi që Metaj të marrë shërbim ambulator në shtëpi, që do të thotë se shkon në qendër shëndetësore për të marrë ilaçe depresive të momentit, por që nuk përbën kërcënim për shoqërinë apo rrethin familjar.  Çdo 1 muaj, Metaj shkonte në qendër shëndetësore të fshatit që kryente veprimet.

Ndërsa gjatë kohës së qëndrimit në burgun e Zaharisë, avokatët e tij kanë bërë edhe procesin e divorcit pasi Sabrina Bengaj, kishte kërkuar të ndahej prej tij, dhe ajo mbajti dhe vajzën.

Sipas avokatit Kujtim Cakrani, Elton Metaj fliste në telefon kur ishte në spital me vjehrrin dhe me nusen dhe me vajzën. Dhe tani që doli, takohej me gruan.

Avokati Kujtim Cakrani për Report Tv thotë se Metaj e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se e ka kërcënuar vjehrri ku i kishte thënë se duhet të qëndronte larg vajzës së tij sepse ishte i ndarë.

Ora 10:00
Del videoja/ Momenti i arrestimit të 31-vjeçarit që vrau ish-gruan e tij në Fier

 

Policia ka sjellë pamje nga momenti i arrestimit të 31-vjeçarit në Fier, pasi vrau ish-gruan e tij, Sabrina Bengaj. Ai fshihej në pyll në fshatin e tij e ndërsa mbante me vete edhe kallashnikovin me të cilin i mori jetën nënës së fëmijës së tij.

Ora 09:47
Vrasja e 23-vjeçares nga ish- burri në Fier/ Nëna e autori: Ata duheshin, vajzën e rrita vetë! Frikë nga hakmarrja? Edhe kanë të drejtë

 

Nëna e Elton Metajt është shprehur se nuk ka pasur dijeni për aktin që mund të kryente djali i saj, madje është shprehur e habitur duke thënë se ata duheshin. Ajo thotë se dhimbja për të është madhe, pasi e ka rritur vetë Sabrinën. Ajo thotë se i druhet një hakmarrjeje.

“E donte me kohë. Ai fliste në telefon me atë, e donte, nuk e di se çfarë e ka shtyrë që ta vriste, po ta dija nuk do e ndodhte. Nuk e ka takuar në burg. Nuk ka pasur armë në shtëpi, kush ia ka dhënë që të përgjigjet, armët sheshit janë se ku e ka marrë, ku e bleu. S’ka ardhur në shtëpi pas ngjarjes, policia po. Ata duheshin, nuk e prisja të ndodhte kjo, më vjen keq se e rrita vet, se mua më ka ikur dhe im bir bashkë me të. Frikë për një hakmarrje? Po edhe kanë të drejtë. Është e njëjtë dhimbja, si për ata si për mua, se e mora 13 vjeçe”, tha nëna.

Ora 08:41
Vrau ish-gruan në Zhupan të Fierit, arrestohet pas 3 orëve ndjekjeje nga Policia autori

Arrestohet autori që ekzekutoi ish-gruan e tij 23-vjeçare në Fier. 

"Kapet në kohë rekord dhe arrestohet nga Policia autori i vrasjes së ish-bashkëshortes në fshatin Zhupan mbrëmjen e djeshme.

Pas 3 orë ndjekjesh në kushte të vështira për shkak të errësirës dhe rrezikshmërisë që kishte ky person pasi ishte i armatosur, u kap nga Policia në një zonë të pyllëzuar në fshatin Peshtan autori bashkë me armën e krimit.

Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zhupan, në banesën e ish-vjehrrit, shtetasi Elton Metaj ka vrarë me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij, shtetasen S. B., menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe organizuan punën për kapjen e autorit i cili ishte larguar nga vendngjarja me një motomjet.

Pas 3 orësh ndjekje, nga strukturat e DVP Fier, Forca Operacionale, Forca e Posacme "Shqiponja", shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim dhe me 2 grupe të FNSH Fier, falë veprimeve të shpejta, të mirëorganizuara dhe profesionale, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e autorit në një zonë të pyllëzuar të fshatit Peshtan, bashkë me armën e krimit automatik dhe motomjetin me të cilin u largua nga vendngjarja të cilat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, specialistët për  Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë për veprën penale "Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare" shtetasin Elton Metaj, 31 vjeç, banues në Peshtan( i dënuar më parë për veprat penale "Armëmbajtja pa leje" , "Kundërshtim i punonjësit të policisë" dhe "Dhunë në familje" ).

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme", njofton Policia.