FIER - Policia e Fierit gjatë operacionit të koduar "Errësira" ka arrestuar ditën e sotme 2 persona dhe ka shpallur në kërkim një person të tretë, pasi akuzohen për vrasjen e 49-vjeçares Aksinje Krytha (Kokëvelaj). Nëna e dy fëmijëve u qëllua për vdekje 9 herë më thikë më 12 dhjetorit 2012 rreth orës 17:30 në lagjen “Kryengritja e Fierit".

Sipas të dhënave të policisë së Fierit të arrestuar janë Mondi Arapi 30 vjeç nga Fieri dhe personi me iniciale S.Xh. 17 vjeç, ndërkohë që është shpallur në kërkim personi me iniciale G.Xh 19 vjeç.

“Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprën penale ‘’Vrasje e kryer në bashkëpunim” pasi në datën 12.12.2012 rreth orës 17.00, në vendin e quajtur lagja “Kryengritja e Fierit” në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë me armë të ftohtë për motive të dobëta shtetasen Aksinje Krytha. Në vijim të veprimeve hetimore u bë e mundur sekuestrimi i një arme të ftohtë (thikë), si dhe një aparat celular të cilat dyshohen të kenë shërbyer si mjete për kryerjen e krimit”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së Fierit.

Aksinje Krytha ose Kokevelaj u masakrua 9 herë me thikë pranë portës së një vile rreth orës 17:00 në lagjen “Kryengritja e Fierit". Autorët pasi e kanë lënë në një pellg me gjak janë larguar në drejtim të paditur.

E zonja e shtëpisë në portën e së cilës ndodhi vrasja ka lajmëruar policinë dhe ka bërë të mundur dërgimin e 49-vjeçares në spital por disa minuta më vonë gruaja humbi jetën në sallën e operaconit të spitalit të Fierit.

Gruaja 49-vjeçare ishte nënë e një djali dhe një vajze adoleshente. Krytha (Kokevelaj) ka qenë e martuar në Shkodër por ka jetuar në Fier pranë të afërmve të saj prej 12 vjetësh pasi martesa e saj mori fund. Kohët e fundit 49-vjeçarja kishte ndërruar gjeneralitet e saj në gjendjen civile dhe punonte në lokalin e të vëllait të saj.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)