Arrestohet prokurori Petrit Vukaj në Fier nën akuzën e korrupsionit pasi në premtim të lirisë i mori 300 mijë lekë familjarëve të një të dënuari. Ndërkohë sipas burimeve nga Task-Forca pranë Krimeve të Rënda, Vukaj është një nga 24 prokurorët nën procedim penal për korrupsion, hetimet ndaj të cilëve pritet të finalizohen shumë shpejt.

...
Arrestimi i prokurorit është bërë pas hetimeve 4 mujore të prokurorisë së Krimeve të Rënda ku ka rezultuar se Vukaj ka marrë 300 mijë lekë duke lehtësuar dënimin e Elton Xhemalit të akuzuar për aksident me pasojë vdekjen e Përparim Bizhgës, Shef i Rendit në Policinë e Delvinës.

Marrja e këtij ryshfeti ka rezultuar me pasoja për prokurorin pasi nëpërmjet të afërmeve Elton Xhemali i kërkonte atij kthimin e parave me pretendimin se nuk ishte liruar nga burgu por vetëm i ishte ulur dënimi.

Burime për Shqiptarja.com nga Prokuroria e Përgjithshme bënë me dije se prangosja e Vukajt është një nga 23 raste e korrupsionit ku janë përfshirë prokurorë nga e gjithë Shqipëria dhe shumë shpejt pritet që të finalizohen.

Si u përfshi prokurori në këtë korrupsion?
Në mars të 2013-ës Elton Xhemali shkeli rregullat e qarkullimit në aksin Levan-Tepelenë ku si pasojë humbi jetën pasagjeri i tij oficeri policisë Përparim Bizhga.

Nga përgjimet rezulton se nëpërmjet të vëllait të tij Arjan Xhemali, Eltoni fillimisht ka korruptuar oficerin e policisë Gazmir Nelollari. Më pas dosja me ndikimin e Nelollarit i është përcjell prokurorit Vukaj nga ku i është kërkuar Arjanit që për lirimin e të vëllait duhet të paguante 300 mijë lekë.

Me marrjen e parave në formë ryshfeti prokurori në seancë gjyqësore të datës 7 tetor 2015 kërkoi dy vite burg dhe konvertimin e dënimit në shërbim prove, kërkesë që u pranua pjesërisht dhe Elton Xhemali mbeti në burg.

Aktualisht prokurori, oficeri i policisë dhe dy vëllezërit Xhemali  janë në pranga dhe nën akuzë për korrupsion ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe pritet që të shtunën të dalin para gjykatës për tu njohur me masat e sigurisë.

petrit vukaj
Petrit Vukaj, prokurori i arrestuar

Njoftimi zyrtar i Prokurorisë
Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë lejen e gjykatës për të urdhëruar arrestimin e shtetasit Petrit Vukaj, me funksion “Prokuror” pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, i dyshuar për konsumimin e veprës penale “Korrupsioni pasiv....i prokurorit...”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.

Vendimi i Gjykatës për Krime të Rënda është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, mëngjesin e së Premtes (dt. 27.11.2015).
Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se shtetasi Petrit Vukaj, në përmbushje të funksioneve të tij, nëpërmjet ndërhyrjes korruptive të disa personave, ka marrë përsipër zbutjen e kërkesës për dënim e shtetasit Elton Xhemali, i paraburgosur për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, ngjarje e ndodhur në datë 31.03.2015 në aksin rrugor Levan-Tepelenë, me pasojë vdekjen e qytetarit Përparim Bizhga, Shef i Rendit në Policinë e Delvinës, pasagjer në mjetin e drejtuar nga i arrestuari Xhemali.

Në bazë të veprimeve hetimore është konstatuar se shtetasi Elton Xhemali, nëpërmjet vëllait të tij, Arjan Xhemali dhe oficerit të Policisë së Shtetit, Gazmir Nelollari, synon që të shmangë dënimin me burgim për veprën që i atribuohet.
Për të arritur qëllimin e tyre, shtetasit Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kontaktojnë me prokurorin e çështjes, Petrit Vukaj, i cili, në bazë të veprimeve të tij proceduriale, dukshëm ka marrë përsipër zbutjen e pozitës proceduriale të të paraburgosurit Elton Xhemali, në këmbim të parave, e cila, sipas të personave të përfshirë është 300 mijë lekë të reja.

Pas ndërhyrjes së dyshuar korruptive, prokurori Vukaj, në seancën e datës 07.10.2015 në gjykatën e Fierit, kërkon “dënimin me 2 vjet burgim për të pandehurin Elton Xhemali dhe pezullimin e dënimit e kalimin e tij në shërbim prove”. Kërkesa e prokurorit është pranuar pjesërisht nga ana e gjykatës, e cila vendos “dënimin me 18 muaj burgim”, por duke mos pranuar kërkesën e prokurorit për pezullimin e dënimit.
Ky vendim i gjykatës rezulton se nuk ka kënaqur aspak të pandehurin Elton Xhemali, të cilit, i vëllai Arjan Xhemali dhe polici Gazmir Nelollari, i kishin dhënë garanci se kishin ndërhyrë të prokurori dhe ai do të dilte nga paraburgimi. I pandehuri Elton i kërkon dy personave të tjerë që t’i marrin paratë që i kanë dhënë prokurorit Petrit Vukaj, pasi ai (prokurori) nuk e kishte mbajtur premtimin e tij.

Shtetasit Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kanë tentuar të qetësojnë të pandehurin Elton Xhemali, duke i bërë të ditur Elton Xhemalit se prokurori e ka bërë punën e tij, pasi ka kërkuar pezullimin e dënimit të tij.

Në vijim të hetimit, nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, fillimisht është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit Elton Xhemali, Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari, për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit....”, vendime të cilat janë ekzekutuar nga ana e Policisë së Shtetit në datë 07.11.2015.

Ndërkohë, po me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, në datë 26.11.2015, gjykata vendos masën e sigurisë “arrest me burg” për prokurorin Petrit Vukaj, i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit, prokurorit....”.

Redaksia Online
Shqitparja.com