Në Roskovec, një 37-vjeçar u arrestua, pasi dyshohet se qëlloi me armë zjarri para banesës së ish-bashkëshortes, me të cilën ka një vajzë të mitur.

Të shtënat në fshatin Luar u degjuan rreth ores 1 pas mesnate, ndërsa 22-vjeçarja Aleksandra Elmazaj ndodhej në shtëpi me motrën dhe vajzën. Në mëngjes, tregon ajo, gjeti 4 gëzhoja pranë portës dhe njoftoi policinë.

Ish-bashkëshorti, Besmir Mustaj, e ka kërcënuar vazhdimisht pas divorcit ndaj ka bërë denoncim më herët dhe ështe pajisur me urdhër-mbrojtje. 

Sipas saj, ish-burri kërcënon dhe partnerin e saj të ri, pasi nuk e pranonte lidhjen.

Ndaj 37-vjeçarit rëndojnë tri akuza penale: armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:30
'Gjeta 4 gëzhoja', flet 22-vjeçarja: Jam ndarë me gjyq nga ish-bashkëshorti, kam pasur vazhdimisht kërcënime ! (VIDEO)

 

Aleksandra Elmazaj, ka treguar momentet e panikut që përjetoi gjatë natës, kur ish-bashkëjetuesi i saj Besmir Mustaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri para banesës së 22-vjeçares. E reja ka treguar për Report tv se në momentin e ngjarjes ndodhej në banesë me motrën dhe vajzën e saj të mitur, ndërsa në mëngjes ka gjetur katër gëzhoja para shtëpisë.

 “Rreth orës 01:00 pas mesnate kam qenë në banesë me motrën dhe vajzën time të mitur, kur kam dëgjuar të shtëna me armë. Në mëngjes, kur dola jashtë, gjeta katër gëzhoja para banesës.”-është shprehur ajo.

22-vjeçarja ka deklaruar se dyshimet e para i ka pasur ndaj ish-bashkëjetuesit, me të cilin është ndarë me gjyq, duke pretenduar se prej kohësh përballet me kërcënime. Ajo ka pohuar se ka kërkuar edhe urdhër mbrojtjeje, ndërsa konfliktet sipas saj lidhen edhe me faktin se ajo ka nisur një lidhje të re, të cilën ish-bashkëjetuesi nuk e pranon.

 “Kam pasur vazhdimisht kërcënime nga ish-bashkëshorti dhe për këtë arsye kam kërkuar urdhër mbrojtjeje. Tashmë jam në një lidhje të re, por ai nuk e pranon këtë fakt. Ndihem e frikësuar dhe kam frikë për jetën time.”-shtoi ajo.

E reja i ka bërë apel policisë që të marrë masa për garantimin e sigurisë së saj, duke pretenduar se kërcënimet janë drejtuar edhe ndaj personit me të cilin është aktualisht në një lidhje.