Banorët e fshatit Cakran i Ri në bashkinë Fier kanë ngritur paraditen e sotme problematikën e rrugës së pakalueshme të varrezave çka vështirëson përcjelljen e njerëzve të dashur në banesën e fundit.

Ata pohojnë se segmenti rrugor prej 700 metrash tërësisht i amortizuar në të gjithë gjatësinë e tij nuk ka njohur kurrë investime duke i detyruar banorët ta mbajnë në krah të ndjerin duke ecur në një terren të vështirë.

Ata pohojnë gjithashtu se shpeshherë kërkojnë ndihmën e të rinjve të fshatit pasi të moshuarit në këtë rrugë të pakalueshme nuk mund ta mbajnë arkëmortin në krahë.

“Të rinjtë kanë ikur të gjithë. Jam 74-vjeç dhe nuk pata mundësi të çoja nënën time lart (në varreza), por e ngritën 7-8 çuna. Kjo situatë është si në dimër dhe në verë. Në verë krijohet pluhur dhe makinat nuk ngjiten dot, në dimër s’ngjiten dot nga lagështia dhe rruga që është shkatërruar. I marrim të ndjerët në krah dhe i çojmë sipër”, tha një banor i fshatit.

Ata nënvizojnë gjithashtu se përballë kësaj situate janë ankuar shpeshherë por deri më sot situata mbetet e pandryshueshme. Të vetmen rrugëzgjidhje ata kanë parë solidarizimin për të investuar privatisht si fshat, për të mos e bërë përcjelljen e të ndjerit për në banesën e fundit një mision gati të pamundur.

“Ky segment kështu ka qenë, përveç disa rregullimeve që kemi bërë ne. Në dimër situata është më e keqe se në verë”, u shpreh një tjetër.

Njëzëri banorët kanë kërkuar zgjidhje për riparimin e rrugës. Ata theksojnë se nëse nuk do të ketë reagim nga institucionet përgjegjëse, do të përshkallëzojnë protestën e tyre.

“Kemi shumë probleme për rrugën e varrezave. Administratori i zonës dhe kryeplaku i fshatit nuk marrin pjesë në problemet e fshatit”, u shpreh një banor tjetër.