Prokuroria e Fierit ka zbardhur skemën e dyshuar me të cilën 44 mijë e 100 metra katrorë tokë shtetërore në Povelçë u regjistruan si pronë private dhe më pas u shitën për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Gjykata caktoi masën “arrest në burg” për drejtorin e Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, që në atë kohë drejtonte Kadastrën. Në skemën e tjetërsimit të tokës dyshohet se janë përfshirë edhe një ish-zyrtar vendor, dy punonjës të Kadastrës dhe një notere. Pas arrestimit të një dite më parë, Voja u dërgua me urgjencë rreth mesnatës në spitalin që drejtonte, pasi shfaqi probleme kardiake.

Skema e tjetërsimit të pronës

Arqile Peto, banor i fshatit Povelçë në Ndërmenas të Fierit kishte në pronësi 25, 800 metra katrorë tokë por krejt papritur u bë pronar i një sipërfaqeje tjetër prej 44, 100 metra katrorë.

Ishte vetë Peto ai që bëri denoncimin në polici, në shtator të këtij viti, çka u bë dhe shkas i hetimit që zbuloi një skemë të pastër mashtrimi dhe falsifikimesh, përmes së cilës toka që kishte pronësi shtetërore ishte tjetërsuar.

Nga hetimet rezulton se në vitin 2023 kur kadastrën e drejtonte Arben Vojo, është ndërhyrë në regjistrat kadastralë. Për të grabitur tokën e shtetit u përdor ‘Akt i Marrjes së Tokës në Pronësi’ që kishte Arqile Petro për 25 mijë e 800 metra katrorë.  Pikërisht të dhënat e një ngastre prej 4 mijë metrash katrorë, certifikata dhe referencat e regjistrit, u përdoren për të për të pasqyruar në regjistrat kadastralë pasurinë me sipërfaqe 44.100 m².

Në këtë skemë përveç Vojos janë përfshirë dhe dy punonjës të Katasdrës dhe noterja Anila Haxhiu. Për realizimin e të gjithë skemës janë përdorur, një certifikatë për vërtetim pronësie, e cila dyshohet se është e falsifikuar, një kartelë pasurie, mbi të cilën janë vërejtur ndërhyrje fizike, mbishkrime dhe fshirje, e po ashtu dhe dy prokura noteriale.

Në qendër të së gjithës është ish- Kryetari i njësisë Administrative të Ndërmenasit, Dilaver Shyti, i cili është hequr sikur kishte prokurë për të përfaqësuar familjen Peto. Sipas Prokurorisë, ai kishte gjetur blerësin, kishte caktuar çmimin dhe kishte firmosur kontratën me vlere 88 mijë e 200. Blerësi është një investor që do ndërtonte panele fotovoltaikë, emrin e te cilit prokuroria nuk e përmend por thotë se i është sekuestruar toka.

Shyti tentoi të korruptonte Arqile Peton, me 15 mijë euro, në momentin që kishte mësuar për denoncimin e tij, në mënyrë që ai të tërhiqej nga ky veprim.

Gjykata caktoi një ditë më parë masat arrest me burg për Arben Vojon, drejtorin e spitalit të Fierit që më heret ka qenë drejtor Kadastre, Shytin, juristen e kadastrës Fjorelo Bida dhe noteren Haxhiu.

Ata dyshohen,  për mashtrim, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Për Arbina Jaupajn, ish-specialiste hartografe u caktua detyrim paraqitje.

Në banesën e ish drejtorit të kadastrës u gjetën sasi të mëdha parash, për një total mbi 40 mijë euro, të ndara në 7 zarfe me emra dhe mbishkrime të ndryshme. Atij iu gjetën po ashtu edhe 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë për armë gjahu. Vojo ra në pranga mesditën e së enjtes, por disa orë më pas, shfaqi probleme kardiake dhe përfundoi në urgjencën e spitalit  të Fierit ku është ende drejtor.

Masat e sigurisë
Arben Voja, Drejtor i Spitalit të Fierit, ish-drejtor i Kadastrës së Fierit  -----Arrest në burg
Dilaver Shyti, Ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas-----Arrest në burg
Fjorelo Bida, Punonjëse e Kadastrës së Fierit----Arrest në burg
Anila Haxhiu, Notere---Arrest në burg
Arbina Jaupaj, specialiste hartografe në Kadastrën e Fierit---Detyrim paraqitjeje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit

 

Çfarë u sekuestrua?
Ara prej 44.100 m²
31.720 euro
608.000 lekë
5.000 kurora norvegjeze
1.400 dollarë kanadezë, të gjetura në 7 zarfe
46 fishekë të kalibrit 7,62 mm dhe 55 fishekë arme gjahu

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

kliko këtu për të lexuar njoftimin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:05
U arrestua për tjetërsimin e 44 mijë m² tokë shtetërore, drejtori i Spitalit të Fierit shtrohet me urgjencë pas problemeve kardiake (VIDEO)

Drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja është dërguar me urgjencë në spitalin që drejtonte, rreth mesnatës, pas u arrestua për tjetërsimin e 44 mijë m² tokë. Burime bëjnë me dije se Voja ka shfaqur probleme kardiake dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Voja u arrestua një ditë më parë në kuadër të hetimit të Prokurorisë së Fierit për tjetërsimin e dyshuar të 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në Povelçë. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe dyshohet për falsifikim dokumentesh gjatë kohës kur drejtonte Kadastrën e Fierit.

Sipas hetimeve, toka dyshohet se ka kaluar në pronësi private përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas i është shitur investitorit Halil Gashi për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Prokuroria e ka sekuestruar sipërfaqen, e cila figuron në pronësi të Gashit. 

 

Kliko ketu per te lexuar urdherarrestet...