Tregtarët e licencuar të fruta-perimeve në Bashkinë e Fierit ankohen për rënie të shitjeve për shkak të konkurrencës së pandershme.
 
Ata kërkojnë që bashkia të ndërhyje për të larguar shitësit ambulantë, të cilët tregtojnë në rrugë pa paguar taksa. Tregtarët thonë se nëse nuk merren masa, do dalin edha ata në rrugë dhe nuk do paguajnë taksat.

Banorët shprehen:
“Problemi jonë është ata që punojnë poshtë, ne nuk punojmë dot lart. Problemi janë tregtarët e tjerë ata nuk paguajnë as taksa e as asgjë. Edhe po ta japin mallin çikë më lirë nuk diskutohet që do marrin atje. Tjetri thotë kur ka këtu pse të ngjis shkallët dhe të shkoj atje. Po të kërkojmë që ata të hiqen nga rruga ose të gjejnë një vend tjetër dhe të punojnë.”
 
“Ata që shesin para markatës të gjithë, policët e bashkisë rrinë aty edhe u thonë që shkoni te trotuari matanë. Duam të pastrohen rrugët, ne jemi të ligjshëm, paguajmë ambientin e të gjitha.”
 
“Ne paguajmë 120 mijë lekë atje e jemi të mbyllur në kafaz, rrugët janë plot ata punojnë aty dhe ne nuk kemi nga t’ia mbajmë.”

 
Tregtarët e licencuar paralajmërojnë protesta nëse bashkia nuk ndërhyn për të larguar ambulantët nga trotuaret.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com