Fier - Banorët e fshatit Varibop në njësinë administrative Cakran kanë protestuar paraditen e sotme për mungesën e ujit të pijshëm. Ata pohojnë se duke filluar nga muaji maj dhe gjatë gjithë muajt e verës, prej një dekade, 40 familje të lagjes Dautaj, nuk furnizohen me ujë të pijshëm.

Sipas tyre uji vjen vetëm më pak se gjysmë ore në ditë, jo në një orar fiks dhe përballë kësaj situate ata detyrohen t’i drejtohen burimeve të fshatit rreth 3 kilometra larg banesave të tyre.

Banorët thonë se përballë mungesës së ujit janë detyruar të hapin puse, por përpjekjet e deritanishme kanë qenë të dështuara, pasi thatësira ka bërë që deri në 100 metra thellësi të mos ketë ujë.

“ Uji vjen 10 minuta as gjysmë ore nuk vjen. Një bidon nuk e mbushim dot. Jemi ankuar në çdo vend. Vit këtë vit këtë problem, vjen maji nuk kemi ujë”, tha një banore.

Teksa pohojnë se çdo verë thahen për ujë, banorët njëherazi theksojnë se dhe punimet për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit kanë qënë jocilësore.

Përballë kësaj problematike, banorët bëjnë apel për reagim nga institucionet përgjegjëse, ndërkohë që Shoqëria Rajonale e ujësjellës- kanalizimeve Fier, ka bërë të ditur se do të marrë masa të menjëhershme për furnizimin 8 orë në ditë me ujë të fshatit Varibop, ndërsa u ka bërë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm për të mos shpërdoruar ujin pasi kërkesa gjatë muajve të verës është e lartë.