Edhe pas uljes së temperaturave dhe reshjeve të shiut në disa zona, duket se vendi ynë nuk po gjen qetësi nga zjarret. Sonte një zjarr masiv ka rënë në Gjirin e Lalëzit. Sipas informacioneve paraprake flakët i janë afruar edhe një hoteli, por fatmirësisht zjarri është vënë nën kontroll.

Për të shmangur rrezikun janë evakuuar pushuesit që ndodheshin në një kompleks turistik, si edhe personat që ndodheshin në një banesë private aty pranë. Në zonë ndodhen shërbimet zjarrfikëse dhe po punojnë për izolimin e flakëve.

Forcat zjarrfikëse do të qëndrojnë në terren gjatë gjithë natës, për të bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe për të siguruar që vatra e zjarrit të mos zgjerohet.

Ndërkohë pas disa orësh në luftë me flakët zjarri që ra pasditen e sotme kodrat e Pojanit, në afërsi të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Fier është vendosur nën kontroll.

Për neutralizimin e flakëve përveç shërbimit zjarrfikës pati edhe ndërhyrje nga ajri. Zjarri i favoroizuar edhe nga era u përhap në disa zona përreth parkut teksa u dogj edhe një sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte dhe shkurre.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja pas zjarrit shkoi zonë dhe në një prononcim për mediat tha se asnjë monument i parkut nuk është dëmtuar. Ndërkohë Gonxhja tha se policia ka nisur hetimet, pasi dyshohet se zjarri është vënë nga dora e njeriut.

Ndërkohë disa vatra zjarri u regjistruan në Vlorë edhe Gjirokastër. Fatmirësisht u vunë nën kontroll pas ndërhyrjes së zjarrfikësve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:30
Zjarri masiv në Gjirin e Lalzit, administratori i njësisë së Ishmit për Report Tv: Situata nën kontroll! Dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme (VIDEO)

Emirjan Bafti administrator i njësisë administrative të Ishmit, ka folur në një lidhje live për Report Tv, lidhur me situatën e zjarrit në Gjirin e Lalzit.

Bafti tha gjatë fjalës së tij se flakët janë vënë nën kontroll, ndërkohë që forcat zjarrfikëse do të qëndrojnë gjithë natën në terren, me qëllim mos-lejimin e përhapjes së flakëve.

Ai tha gjithashtu se dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme dhe flakët sipas Baftit kanë nisur në disa hambarë bujqësorë.

“Kemi edhe një vatër aktive, të tjerat janë shuar. Besoj që zjarrvënia është e qëllimshme. Për momentin nuk rrezikohet resorti turistik. Janë evakuuar njerëzit. Banesat janë larg resorteve. Kemi pasur 4 vatra aktive... Fillimi i zjarrvënies ka qenë te hambarët bujqësore. Një shtëpi që rrezikohej, i evakuam banorët. Situata është nën kontroll dhe zjarrfikëset do të qëndrojnë në gatishmëri gjithë natën”, tha mes të tjerash Bafti.

Ora 22:54
Zjarri masiv në Gjirin e Lalëzit, kryebashkiakja Sako: U evakuuan të gjithë personat që ndodheshin në një kompleks turistik dhe në një banesë private (VIDEO)

 

Kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako, ka reaguar për zjarrin e rënë mbrëmjen e sotme në zonën e Shën Pjetrit në Gjirin e Lalzit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Sako ka shkruar se për arsye sigurie dhe për të garantuar jetën e qytetarëve, është kryer menjëherë evakuimi i plotë i të gjithë personave që ndodheshin në një kompleks turistik dhe në një banesë private pranë zonës së rrezikut.

Po ashtu, Sako u ka bërë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve në zonë të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme drejt zonës së prekur nga zjarri.

Reagimi i Sakos:

Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë zonën e Shën Pjetrit në Gjirin e Lalzit. Përhapja e shpejtë e flakëve është favorizuar edhe nga era e fortë.

Strukturat zjarrfikëse të Bashkisë Durrës dhe ato të emergjencave kanë ndërhyrë menjëherë në terren dhe prej disa orësh po vijojnë operacionin intensiv për vënien nën kontroll të situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.

Për arsye sigurie dhe për të garantuar jetën e qytetarëve, është kryer menjëherë evakuimi i plotë i të gjithë personave që ndodheshin në një kompleks turistik dhe në një banesë private pranë zonës së rrezikut.

Në këtë operacion masiv janë angazhuar kapacitete të shumta njerëzore dhe logjistike në nivel rajonal e kombëtar. Forcat operative në terren përbëhen nga:

• Bashkia Durrës (MZSH): 4 mjete zjarrfikëse dhe 1 autobot.

• Ndërmarrjet e Bashkisë Durrës: 3 autobote mbështetëse.

• Bashkia Tiranë (MZSH): 2 mjete zjarrfikëse dhe 1 autobot.

• Bashkia Shijak (MZSH): 1 mjet zjarrfikës.

• Bashkia Kavajë (MZSH): 1 mjet zjarrfikës.

• Bashkia Kamëz (MZSH): 1 mjet zjarrfikës.

• Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC):

3 mjete zjarrfikëse dhe 40 forca të nisura në mbështetje.

Operacioni mbetet i vështirë për shkak të shtrirjes së gjerë të flakëve, por ekipet operacionale po punojnë pa ndërprerje për izolimin e plotë të vatrave. Bashkia Durrës, në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme, Mbrojtjen Civile dhe të gjitha shërbimet e emergjencës, po ndjek hap pas hapi situatën dhe mban në gatishmëri të plotë të gjitha kapacitetet e saj deri në normalizimin e plotë të situatës.

Ju bëjmë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve në zonë të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme drejt zonës së prekur.

Ora 22:08
Zjarr masiv në Gjirin e Lalëzit, flakët i afrohen një hoteli (VIDEO)

Një zjarr masiv ka rënë sonte në Gjirin e Lalëzit.

Flakët iu janë afruar edhe një hoteli, paraprakisht nuk paraqet rrezik.

Specialistët që ndodhen në vendgjarje shprehen se për fikjen e zjarrit duhet ndërhyrje nga ajri.

Ora 21:08
Gjirokastër/ Zjarr në Lazarat, flakët përhapen me shpejtësi! Forcat zjarrfikëse në terren për izolimin e vatrës

 

Një zjarr ka rënë ditën e sotme në fshatin Lazarat të Gjirokastrës. Ka qenë ora 20:00 ku u konstatua zjarri në fshatin Lazarat, ndërkohë që forcat zjarrfikëse me të mbërritur në vendngjarje, u ndeshën me një zjarr me përmasa të konsiderueshme, i cili rrezikonte edhe banesat përreth.

Forcat zjarrfikëse ndërhynë menjëherë për izolimin e flakëve, duke bërë të mundur ndalimin e përhapjes së tij në drejtim të banesave.

Aktualisht, zjarri është nën kontroll dhe forcat zjarrfikëse po vijojnë punën për shuarjen e plotë të tij dhe eliminimin e çdo vatre të mbetur.

Ora 18:52
Flakët pranë parkut të Apolonisë, Gonxhja: Zjarri i shkaktuar nga njeriu, policia po heton

 

Pas zjarrit pranë parkut të Apolonisë ministri Blendi Gonxhja në një prononcim për mediat tha se zjarri mund të jetë i vendosur nga njeriu dhe jo i shkaktuar nga temperaturat.

“Aksioni për fikjen e zjarrit po vijon. Kemi forca të shtuara nga toka dhe ajri. Me temperarua kaq të ulëta nuk mund të kemi një zjarr të tillë. Shkak është gabimi njerëzor, policia po heton. Nuk është dëmtuar asnjë monument brenda parkut”, tha Gonxhja.

Ora 18:11
Zjarr në fshatin Jorgucat të Gjirokastrës, flakët u përhapën pas rënies së rrufesë në majë të malit

 

Një zjarr ka rënë ditën e sotme në fshatin Jorgucat të Bashkisë Dropull të Gjirokastrës.

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se flakët nisën pas rënies së një rrufeje në majën e malit dhe u përhapën me shpejtësi.

Menjëherë në terren u angazhuan zjarrfikësit, të cilët po luftojnë me flakët, që po favorizohen edhe nga era e fortë.

Ora 17:16
Zjarr i përmasave të mëdha në fshatin Delisuf të Vlorës, flakët djegin sipërfaqe të mëdha me pemëtari dhe një stallë bagëtish

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë edhe fshatin Delisuf, në Njësinë Administrative Novoselë, në Vlorë.

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se flakët, të favorizuara edhe nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi në zonë, ndërsa zjarrfikësit vijojnë përpjekjet për shuarjen e tyre.

Nga zjarri janë përfshirë kryesisht sipërfaqe me pemëtari, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe një stallë bagëtish.

Fatmirësisht, në momentin e rënies së zjarrit nuk ka pasur bagëti brenda, por balla bari për bagetinë.

Pamjet tregojnë sipërfaqe të mëdha të djegura, ndërkohë në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar edhe banorë të zonës, të cilët po punojnë krah zjarrfikësve për të vënë nën kontroll flakët.

Xh.K/R.Xh/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 22 Shtator, 16:08

    Arrestimet e fundit nga SPAK, a janë provë e pavarësisë nga politika?