Fierza del nga pika kritike, rritet niveli i ujit me 3 metra! Lumenjtë sjellin mbetje të shumta në liqen

Me të paktën 3 metra është rritur niveli i ujit në liqenin e Fierzës këtë fundjavë. Kjo për shkak të reshjeve të dendura të shiut që mbizotëruan në verilindje të vendit, duke rritur ndjeshëm edhe sasinë e prurjeve në lumenjtë kryesorë që furnizojnë basenin më të madh ujëmbledhës në vend.

Për shkak të këtyre prurjeve masive që i kalojnë 300 metër kub ujë në sekondë, sipërfaqja e liqenit u mbush edhe me mbetje të shumta, kryesisht lëndë drusore, por edhe mbetje plastike. Paraditen e sotme, reshjet ishin me intensitet më të ulët, ndërsa temperaturat u rritën lehtë me të paktën 2 apo 3 gradë krahasuar me një ditë më parë.

Në lartësitë 700 metra mbi nivelin e detit pati reshje dëbore, duke krijuar një shtresë nga 5 apo 15 cm në zonën e Shishtavecit deri në 25 apo 30 cm në Luginën e Valbonës.

Në komunikatën për media, Komisioni i Emergjencave Civile pranë Prefektit të Qarkut Kukës tha se reshjet e shiut dhe të dëborës sollën problematika të evitueshme në disa akse rrugore, me prani gurësh e inerte, por edhe shtresë dëbore. Kompanitë kontraktore që mirëmbajnë këto akse ishin në terren për të normalizuar situatën, kryesisht në akset rrugore që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë apo edhe me Qafë Malin, Bajram Currin me Valbonën, Lekbibajn dhe Tropojën e Vjetër, si dhe rrugët rurale që lidhin qendrat e njësive administrative me fshatrat e zonave të thella në Kukës, Has dhe Tropojë.

Të njëjtat burime thanë se në tre bashkitë e qarkut të Kukësit nuk është raportuar për situata emergjente. Energjia elektrike është ndërprerë disa herë në zona të caktuara problematike, për të cilat është punuar dhe po punohet nga grupet e punës të OSHEE.

Edhe përgjatë Rrugës së Kombit nuk ka pasur probleme. Segmenti rrugor nga Kolshi deri në Reps është monitoruar vazhdimisht dhe mbajtur nën kontroll nga kompania koncesionare, duke patrulluar me mjetet borëpastruese dhe hedhur kripë në pikat që përbëjnë rrezik për prani ngricash.

Komisioni i Emergjencave Civile njoftoi se aktualisht të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme dhe pa probleme. Sipas tij, është rritur kërkesa ndaj kompanive që mirëmbajnë rrugët nacionale, por edhe bashkive respektive, për vigjilencë të shtuar dhe gatishmëri në prag të festave të fundvitit, për të mbajtur nën monitorim të plotë dhe ndërhyrje në kohë në rast nevoje, duke krijuar kushte optimale qarkullimi për mjetet dhe qytetarët.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Samiti/ Rama: Një ditë afrimi i mëtejshëm me Europën, u mbështet fuqimisht plani ynë me KE për mbylljen e negociatave në fund të vitit 2027!

Samiti/ Rama: Një ditë afrimi i mëtejshëm me Europën, u mbështet fuqimisht plani ynë me KE për mbylljen e negociatave në fund të vitit 2027!