Fillon punën Agjencia e Trajtimit
 të Pronës, si do të procedohet

Fillon punën Agjencia e Trajtimit<br /> të Pronës, si do të procedohet
TIRANË - Qeveria ka mbyllur dje ciklin e akteve shoqëruese të ligjit 133/2015, që synojnë të nisin procesin final të kthimit e kompensimit të pronave ne Shqipëri. Me tre vendime të Këshillit të Ministrave janë përcaktuar detyrat e institucionit të ri – Agjencisë së Trajtimit të Pronës, njëkohësisht me procedurat e reja që do të ndjekin ish-pronarët deri në rimarrjen fizike apo kompensimin e pronës së sekuestruar dekada më parë.

Sikurse është thënë edhe më parë, me këtë nismë ligjore, mazhoranca aktuale synon t’i japë fund një problem që, jo vetëm ka 25 vjet që nuk po gjen zgjidhje, duke penguar integrimin e mëtejshëm të vendit dhe ardhjen e investimeve serioze, por ka krijuar edhe terren të favorshëm për abuzime e korrupsion të theksuar. Problemi më i madh gjithnjë ka qenë edhe fatura shumë e rëndë për kompensimin, por pikërisht këtu qendron edhe risia e nismës aktuale. E cila ende duhet të kalojë provimin e Gjykatës Kushtetuese, megjithatë qeveria ka vendosur të djegë etapat.
 
Procedurat
Agjencia e Trajtimit të Pronës praktikisht do të jetë vazhdimi i Agjencisë së deritanishme të Kthimit dhe kompensimit të Pronave. Por do të jetë ajo që do të pranojë, refuzojë dhe, sidomos, llogaritë, faturat përkatëse.

Ata që tashmë e kanë depozituar kërkesën për kthim, që kanë marrë vendimin përkatës nga autoritetet shtetërorë, por nuk po marrin as pronë dhe as para, çështja do të kalojë direkt në llogaritjen e vlerës. Kjo, pasi me ligjin e ri klauzola më e rëndësishme është ajo, që vlerën e kompensimit e lidh me statusin e pronës në momentin kur është kryer shpronësimi dhe jo me kategorinë, të cilës ajo i përket aktualisht.

Pikërisht për këtë, një nga VKM-të e miratuara dje thekson që “prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit”. Kështu, një tokë që ka qenë kullotë, por tani është brenda vijës ss verdhë të një qyteti, do të paguhej me 100-200 lekë për metër katror dhe jo me 10-50 mijë lekë.

Sa u përket kërkesave të reja, subjekti i shpronësuar, trashëgimtarët e tij ligjorë ose përfaqësuesi i tyre me prokurë, do të mund të depozitojnë në Agjencinë e Trajtimit të Pronës kërkesën për njohjen dhe kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin, me të cilin provon pretendimet e tij. Kur ATP konstaton mungesë në dokumentacion, subjektit i kërkohet plotësimi i dosjes brenda 30 ditëve nga çasti i marrjes së njoftimit për plotësim dokumentacioni.

Në rastet kur evidentohen mbivendosje të pronave të pretenduara për njohje dhe kompensim, palët mund të zgjidhin rastin me mbivendosje me marrëveshje me njëri-tjetrin ose në rrugë gjyqësore. ATP-ja vijon procedurat për njohjen dhe kompensimin e pronës për pjesën që nuk ka mbivendosje.
 
Dokumentet
Dokumentacioni ligjor që kërkohet, e që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar, përbëhet nga vendimet e mëparshme të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Komisionit/ Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-ZRKKP-së, AKKP-së, dokumenti që vërteton heqjen ose marrjen e së drejtës së pronësisë nga shteti subjektit të shpronësuar, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944 apo dokumenti për pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë, të krijuara përpara datës 7 prill 1939, të sekuestruara.
--------------


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)