Kompeticioni më i rëndësishëm për klube në Evropë, Champions League nis sot me fazën çerekfinale. Këtë të martë do zhvillohen dy ndeshjet e aktit të parë, ndërsa nesër janë në program dy sfidat e tjera. Mesjavën që vjen do luhen ndeshjet e kthimit mes këtyre çifteve, aty ku do mësohen edhe katër skuadrat që do kalojnë në gjysmëfinale.

Sot me fillim nga ora 21:00 luhen Real Madrid - Bayern Munich dhe Sporting Lisbone - Arsenal.

Në 'Bernabeu' sfida është e denjë për një finale të parakohshme pasi përballë janë dy nga klubet më në formë të sezonit. Megjithatë, te madrilenët situata nuk është e qetë. Humbja 2-1 ndaj Mallorcas, ku protagonist ishte Vedat Muriqi, ka komplikuar garën për titull në La Liga.

'Los Blancos' do të përballen me një Bayern Munich në formë të shkëlqyer, që vjen pas një serie rezultatesh pozitive në Bundesligë. Sfida pritet të dominohet nga duelet mes yjeve si Kylian Mbappe dhe Harry Kane.

Alvaro Arbeloa te 'Galaktikët' do duhet të bëjë pa portierin Thibaut Courtois, mbrojtësin Mendy dhe sulmuesin Rodrygo. Nga ana tjetër Kompany nuk do ketë të gatshëm Ulreich, Ndiaye, Mike dhe Kiala.

Në stadiumin 'Jose Alvalade' të Lisbonës, vendasit e Sporting presin kryesuesit e Premier League, Arsenalin.

Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta po kalon një moment delikat. Pas humbjes në finalen e Kupës së Ligës kundër Manchester City dhe eliminimit surprizë nga Southampton në FA Cup, 'Topçinjtë' rrezikojnë edhe në kampionat. Tashmë fokusi i tyre është përballja me Sporting, teksa portugezët vijnë me moral të lartë pas një përmbysje mbresëlënëse në turin e kaluar.

Champions League, faza çerekfinale:

E martë, 07 prill 2026 - 21:00

Real Madrid - Bayern Munich

Sporting Lisbone - Arsenal

E mërkurë, 08 prill 2026 - 21:00

Barcelona - Atletico Madrid

PSG - Liverpool

*Ndeshjet e kthimit do luhen më 14 dhe 15 prill

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:06
Sot Real Madrid - Bayern, Kompany optimist për Kane: S'e ka humbur ritmin

1775563684_vincentkompany.JPG

Në prag të supersfidës çerekfinale të Champions League mes Real Madridit dhe Bayern Munich (sot 21:00), trajneri i bavarezëve, Vincent Kompany ka dhënë lajme pozitive për gjendjen e sulmuesit kryesor Harry Kane.

Kapiteni i Anglisë është rikthyer në stërvitje pas një dëmtimi në kyçin e këmbës dhe sipas Kompany, ai është në dispozicion për ndeshjen e parë, megjithëse vendimi për aktivizimin nga minuta e parë do të merret vetëm në momentet e fundit.

“Ishte e rëndësishme që ai u stërvit. Nuk mendoj se e ka humbur ritmin. Do të presim deri dhe më pas do të vendosim nëse do jetë gati për ta hedhur në fushë nga minuta e parë”, u shpreh tekniku belg në konferencën për shtyp.

Kompany theksoi gjithashtu vështirësinë e përballjes ndaj 'Galaktikëve', duke e cilësuar si një nga transfertat më të vështira.

“Kjo është hera ime e parë këtu si trajner, por kemi përvojë në ndeshje të tilla. Rezultati do të varet nga taktikat, por mbi të gjitha nga detajet dhe cilësia individuale", tha ai.

Trajneri i Bayern Munich konfirmoi se skuadra është përgatitur në detaje për kundërshtarin, duke analizuar edhe paraqitjet e Real Madridit ndaj Manchester Cityt në raundet e mëparshme.

Ora 12:56
Mikel Arteta para sfidës në Lisbonë: Ndeshje e vështirë, ata janë shumë të fortë në shtëpi

1775559461_mikelarteta.JPG

Arsenali përgatitet për sfidën e parë çerekfinale të Champions League, ku do të përballet sot me Sportingun e Lisbonës në stadiumin 'Jose Alvalade' në orën 21:00. Në prag të këtij dueli të rëndësishëm, trajneri Mikel Arteta ka dalë në konferencën për shtyp, duke theksuar vështirësinë e përballjes.

Tekniku spanjoll konfirmoi mungesat e rëndësishme në skuadër, ato të Bukayo Saka dhe Jurrien Timber, të cilët nuk kanë udhëtuar me ekipin dhe mbeten në dyshim, me shpresën për t’u rikthyer në fundjavë.

Duke folur për kundërshtarin, Arteta vlerësoi formën e Sportingut.

“Kur shikon se çfarë kanë bërë, sidomos në shtëpi dhe në këtë sezon të Champions League, e kupton sa e vështirë është kjo ndeshje. Kjo na motivon edhe më shumë", tha ai.

Një element interesant i kësaj përballjeje është lidhja e Viktor Gyokeres me ish-klubin e tij. Arteta u shpreh se sulmuesi është shumë i lidhur emocionalisht me Sportingun, duke theksuar respektin dhe mirënjohjen e tij për periudhën në Portugali.

Trajneri i Arsenalit zbuloi gjithashtu se ka marrë informacione nga vetë Gyokeres për kundërshtarin.

“Sigurisht që i kërkova ndihmë për të kuptuar më mirë dinamikën dhe kulturën e klubit. Ata kanë shumë cilësi dhe ajo që po bëjnë është e jashtëzakonshme. Rekordi i tyre në shtëpi është i pabesueshëm”.