/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Policia e Korçës ka arretuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme një 23-vjeçar, që dyshohet si prodhues dhe shitës të lëndëve narkotike.
Siç bëhet me dije nga Policia e Qytetit Juglindor, arrestimi i 23-vjeçarit, Avdyl Meko, banues në fshatin Drithas të Korçës është bërë nga Sektori kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në kuadër të operacionit "Doza e Fundit".
Arrestimi i Mekos u bë në kushtet e flagrancës dhe pas kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale,  një sasi prej  32 gr, lëndë narkotike e dyshuar si "Cannabis Sativa" dhe 1 aparat  telefonik  celular. Policia e Korçës njofton se po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Pak orë pas arrestimit të 23-vjeçarit, Policia e Korçës në të zbardhur të ditës së sotme ka ndaluar dhe ka nisur proçedimi penal në gjëndje të lirë  shtetasin  O.L, 29 vjeç  banues në Korçë.
Procedimi ndaj tij filloi pasi, mbrëmjen e djeshme,  në lagjen 15, iu gjet e iu bllokua në cilësinë e provës materiale 0.6 gr. lëndë narkotike dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë,për veprën  penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".