Financat publike/ Qeveria: Kemi 50 milionë euro detyrime të reja! FMN: Janë 200 mln!

Financat publike/ Qeveria: Kemi 50 milionë euro detyrime të reja! FMN: Janë 200 mln!

Sasia e detyrimeve financiare të shtetit ndaj privatëve në fund të vitit 2018 ishte 6 miliardë e 176 milionë lekë të reja, sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Shifra është e barabartë me 50 milionë euro. Kjo shifër është shumë më e ulët se niveli i vlerësuar i këtyre detyrimeve nga ana e ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët llogaritën që, në fund të shtatorit 2018, sasia edetyrimeve ishte rreth 200 milionë euro. Ndërkohë, ministria këtë shifër e raporton vetëm 6.9 miliardë lekë, ose 55 milionë euro, duke krijuar dyshimin se qeveria shqiptare përdor një tjetër metodologji për të llogaritur borxhin e keq të saj.

Institucionet
Që pas ardhjes së qeverisë Rama, është miratuar më 5 shkurt 2014 strategjia për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e plani i veprimit. Që nga ajo kohë, çdo tremujor publikohen shifrat e këtyre detyrimëve. Por, për vitin 2018 këto shifra humbën krejt, që nga marsi dhe ministria vetëm 12 muaj më pas është kujtuar të japë statistika lidhur me ecurinë e tyre. Në përputhje me kërkesat e ligjit, është paraqitur raporti i detyrimeve të prapambetura të krijuara rishtazi për periudhën 1.10.2018 – 31.12.2018 dhe i atyre të akumuluara deri më 31.12.2018

Sa më poshtë jepet në mënyrë më të detajuar për çdo ministri, vlera e këtyre detyrimeve bazuar në informacionet zyrtare të ardhura.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë raporton se detyrimet e krijuara për periudhën Tetor – Dhjetor 2018 janë në vlerën 648.3 milionë lekë si 3-mujor, ose 3.24 miliardë lekë progresiv deri në Dhjetor 2018, kryesisht referuar detyrimeve të ARRSH-së dhe AKUK-së për: Mirëmbajtje rrugore – 67.2 milionë lekë (732.7 milionë lekë progresiv); Ndërtim dhe sistemim rruge – 45.3 milionë lekë (718.3 milionë progresiv); Vendime Gjyqësore – 701.8 milionë lekë progresiv; Detyrime të ndërmarrjeve Ujësjellës-Kanalizime – 455.3 milionë lekë (948.9 milionë lekë progresiv).

MIE mban rekordin në këto detyrime, me më shumë se trefish nga pasuesja e saj në vend të dytë. Nga stoku i Shtatorit 2018 ajo ka trashëguar rreth 2.59 miliardë lekë detyrime.

Ministria e Mbrojtjes raporton 988.9 milionë lekë detyrime të akumuluara, ku pjesa më e madhe i përket programit të Emergjencave Civile. Për tremujorin Tetor - Dhjetor 2018, ky institucion ka krijuar detyrime të reja në vlerën 101.5 milionë lekë, ndërkohë që stoku i mbartur është rreth 887.4 milionë lekë.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë raporton që detyrimet e krijuara për periudhën Tetor – Dhjetor 2018 janë në vlerën 2 milionë lekë. Në total MASR ka 57.8 milionë lekë detyrime të akumuluara.

Ministria e Drejtësisë – Totali i detyrimeve të prapambetura deri në Dhjetor 2018 (progresiv) raportohet në vlerën 77 milionë lekë. Ndërkohë për periudhën Tetor – Dhjetor 2018, kjo ministri nuk ka krijuar detyrime të reja. Pjesa më e madhe e detyrimeve i referohet kryesisht zërit të investimeve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Ka një stok detyrimesh të prapambetura prej 377 milionë lekësh, progresiv deri në Dhjetor 2018. Për tremujorin Tetor - Dhjetor 2018, ky institucion ka krijuar detyrime të reja në vlerën 68.9 milionë lekë, kurse ato të mbartura nga vlerësimi më i fundit i muajit Shtator 2018 janë rreth 308.1 milionë lekë.

Ministria e Brendshme – Stoku i detyrimeve deri në Dhjetor 2018 është në vlerën 735.7 milionë lekë. Detyrimet e reja të krijuara në periudhën Tetor – Djetor 2018 janë në vlerën 41.1 milionë lekë,ndërkohë që stoku i mbartur është 694.5 milionë lekë, dhe konkretisht: 284.6 milionë lekë detyrime për vendime gjyqësore të mbartura për ish-punonjës të larguar, IKMT; 260 milionë lekë detyrime të reja të “Gjendjes civile” për shpërblimin e munguar të lindjeve; 150 milionë lekë detyrime për mbikohë pune, uniforma dhe shpenzime udhëtimi dhe shpenzime parkimi.

Ministria e Bujqësisë dh Zhvillimit Rural – nuk ka krijuar detyrime për periudhën Tetor - Dhjetor 2018 por në total ka të akumuluara 38.9 milionë lekë, ku 17.4 milionë u dedikohen detyrimeve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – nuk ka detyrime të prapambetura të krijuara rishtazi, por deri në Dhjetor 2018 ka një stok detyrimesh në masën 11.3 milionë lekë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë – për tremujorin Tetor – Dhjetor 2018 nuk ka krijuar detyrime të reja të prapambetura. Në total stoku i detyrimeve të akumuluara deri në Dhjetor 2018 është 340.4 milionë lekë, ku 273.2 milionë u dedikohen detyrimeve për vendime gjyqësore.

Ministria e Kulturës – raporton që detyrimet për periudhën Tetor – Dhjetor 2018 janë në vlerën 0.6 milionë lekë, ndërsa stoku i detyrimeve deri në Dhjetor 2018 është 3.8 milionë lekë.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit – Stoku i detyrimeve deri në Dhjetor 2018 raportohet në vlerën 203.2 milionë lekë. Për tremujorin Tetor - Dhjetor 2018, kjo ministri ka krijuar detyrime të reja në vlerën 8 milionë lekë, të cilat u referohen vendimeve gjyqësore të formës së prerë në favor të ish-punonjësve, ashtu si edhe detyrimet e mbartura të cilat janë në masën 195.2 milionë lekë.

Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve – Në total deri në Dhjetor 2018, DPT ka akumuluar 105.2 milionë lekë detyrime të prapambetura për vendime gjyqësore lidhur me rimburësimin e TVSH-së. Gjatë 3-mujorit Tetor - Dhjetor 2018 DPT nuk ka krijuar detyrime të reja.

FMN
Në raportin e tij të fundit, të publikuar në janar 2019, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë thirrje për konsolidim më të shpejtë të financave publike dhe reduktim më të madh të borxhit publik të Shqipërisë, duke theksuar se gjatë vitit të kaluar, qeveria shqiptare nuk ka llogaritur si borxh rreth 200 milionë euro detyrime të prapambetura. Pavarësisht se një nga argumentet kryesore të qeverisë aktuale gjatë viteve të fundit kanë qenë detyrimet e prapambetura të lëna nga qeveria paraardhëse kur socialistët morën pushtetin më 2013, në vitin 2017, sipas vlerësimeve të FMN-së, qeveria ka akumuluar sërish rreth 1.8% të PBB-së, ose mbi 200 milionë euro detyrime të pashlyera.

Nga këto, vetëm gjatë vitit 2017 ishin akumuluar mbi 100 milionë euro. Ndërkohë, lidhur me detyrimet që shteti ka ndaj privatëve deri në fund të muajit shtator 2018, ato, sipas misionit të FMN-së, kishin arritur në 200 milionë euro dhe jo 55 milionë, siç deklaron sot ministria e Financave dhe Ekonomisë. Nga këto detyrime, 140 milionë euro, sipas FMN-së, i ka qeveria dhe pjesa tjetër janë detyrime të trashëguara të bashkive.

Tabelat e publikuara nga FMN-ja tregonin se pjesa më e madhe e këtyre borxheve, rreth 90 milionë euro, janë TVSH e pakthyer për biznesin. Ekspertët e Fondit nënvizojnë se këto borxhe vënë në vështirësi financiare biznesin dhe dëmtojnë të gjithë aktivitetin ekonomik.

Por Ministria e Financave thotë se detyrimet e prapambetura janë nën kontroll. Sipas saj, pjesa dërrmuese e këtyre detyrimeve u përkasin 3 kompanive që kryejnë investime të mëdha në Shqipëri dhe janë riskeduluar në marrëveshje me kompanitë, për t’u shlyer sipas një programi të rënë dakord.

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan