Pas një muaji sakrifice, nëpërmjet agjërimit, besimtarët myslimanë beratas janë mbledhur mëngjesin e sotëm në pedonalen "Republika" të qytetit, ku kanë kryer ritet e faljes së Fitër Bajramit. Ata u falën për mirësi, shëndet, paqe e dashuri në familjet e tyre.
Falja dhe ritet e festës janë kryer nga Myftiu i Beratit, Bilbil Tallai, i cili ka theksuar se sakrifica e çdo besimtari në 30 ditët e agjërimit është një sakrificë sublime që do të shpërblehet nga Zoti me më shumë begati e shëndet. Ai bëri thirrje për më shumë dashuri, solidaritet dhe mirëkuptim mes njerëzve, ndërsa mesazhet erdhën edhe nga besimtarët.
Pas përfundimit të ceremonisë, ata iu drejtuan panairit të ëmbëlsirave, të përgatitura prej tyre, ku të ardhurat do të shkojnë për qëllime bamirësie.
Festa vijon pas faljes në çdo familje beratase me drekat familjare, si shpërblim për sakrificën e besimtarëve nëpërmjet agjërimit gjatë 30 ditëve të Ramazanit, ndërkohë që deri në mesditë vijojnë vizitat e urimit në ambientet e Myftinisë së Beratit.
Lajmi kryesor:
Pamjet me dron/ Mijëra besimtarë myslimanë falin namazin e Fitër Bajramit, kreu i KMSH: Lutjet tona shkojnë për ata që vuajnë









