Vdekja është hak dhe do të vijë për të gjithë. E ka krijuar Zoti i madh me madhështinë e vet dhe lum ai që ikën nga kjo botë duke bërë gjëra të mira dhe duke fituar kënaqësinë e Zotit. Askush nuk ka nevojë që ta ngushëllojnë partitë apo politikanët.
Ngushëllimi i partive dhe i politikanëve është diçka formale që bëhet nga vetë partitë dhe politikanët për të treguar se çfarë vlerash mbrojnë, çfarë janë ato në thelb. PD ka humbur prej kohësh drejtimin, ka vite, nuk dihet sa kohë ka. PD nuk di të vlerësojë as jetën dhe as vdekjen më. PD është kthyer në një parti që jeton vetëm në rrafshin dy dimensional.
Ikja nga bota e përkohshme e Namir Lapardhasë, e një njeriu të rrallë, e një embleme të butësisë dhe virtytit, e një embleme të qartësisë intelektuale dhe politike, e një njeriu që ka qenë familjarisht në PD që nga themelimi, e një njeriu që ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar dhe sekretar i degës së PD në Berat, e një figure shembullore publike e PD-së, duhet ta prekte sadopak lidershipin e PD-së, duhet ta bënte të shprehte një vlerësim dhe respekt për të. Mendimet e tij ndryshe nga lidershipi i PD-së bënë që PD dhe lidershipi të udhëhiqen nga zemërimi dhe gati urrejtja.
PD dhe lidershipi i saj reagojnë dhe flasin për gjithçka, ngushëllojnë edhe amerikanët për humbjet e jetëve në një shkollë në Kolorado (dhe mirë bëjnë) dhe mbyten nga mllefi duke heshtur për Namirin. Sigurisht që as Namiri dhe askush në faqen e dheut nuk ka nevojë për çfarë thonë partitë, sidomos kur shkojnë në jetën e amshuar. Partitë kanë nevojë.
Nëse PD ndonjë ditë do të dojë të fitojë dhe të mundë PS, duhet të kuptojë që për të djathtën, për konservatorët, të shenjtat nuk janë partia dhe pushteti politik. E shenjta lidhet me mësimet e Zotit, me vlerat morale dhe ligjësitë që burojnë prej saj.
Për të djathtën politika është diçka që duhet zhvilluar brenda këtyre kufizimeve dhe duhet të ndjekë domosdoshmërisht rregulla dhe moral që vijnë nga këto mësime. Për të djathtën e vërteta e vetme nuk është politika apo partia, madje politika dhe partia janë shumë të gabueshme. Për të djathtën udhëheqja nga zemërimi, sharja, fyerja, akuzat, linçimet, janë mëkate të dënueshme. Për të djathtët i vdekuri, komshiu, miku, babai, nëna, familja, nderi, respekti janë gjëra që kanë shenjtëri shumë më të lartë se sa politika dhe partia.
Këto nuk janë mësime morale kot që nuk kanë lidhje me politikën. Kjo është politika. Në qendër të veprimit të së djathtës konservatore gjendet civiliteti, nga aty buron gjithçka. Për të djathtën civiliteti, mirësjellja, maturia sjellin tre pasoja themelore në politikën e mirë, në atë që bëhet për njerëzit dhe shoqërinë. Civiliteti bën të mundur kohezionin civil, kohezionin shoqëror dhe ky kohezion i mbledh, i bën bashkë njerëzit rreth vlerave morale të cilat mundësojnë paqen sociale dhe vlerat morale me të cilat jetohet dhe rriten fëmijët. Kur civiliteti zhduket, atëherë jeta kthehet në një fushë beteje, konflikti merr dhenë, familjet dhe komuniteti nisin të përjetojnë thyerje të mëdha dhe çarje të rënda.
Së dyti, civiliteti, sjellja e matur, gjuha e kujdesshme, komunikimi me etikë dhe fisnikëri është shprehje e respektit për qeniet e tjera njerëzore. Kur ne sillemi në këtë mënyrë, ne tregojmë se jemi krijesa të Zotit i cili kërkon respekt për dinjitetin e çdo krijese të Tij. Respekti për çdo krijesë të Tij dhe për dinjitetin e tyre është detyrë. Mosrespekti është mosrespekt ndaj Zotit dhe njëherazi tregon se ne nuk pranojmë as të respektohemi vetë.
Dhe së treti, civiliteti, sjellja e mirë dhe gjuha e matur na ndihmojnë të zbulojmë të vërteta që mund të jenë tek dikush tjetër, që mund të jenë tek ana tjetër apo tek ata që kanë një mendim ndryshe nga ne. Kurrë e vërteta nuk mund të jetë diçka që e zotëron një njeri i vetëm.
Komente











