Një konferencë shtypi në Ministrinë e Hiperbolës
Në fizikë ekzistojnë ligje që përshkruajnë sjelljen e objekteve. Një gur nuk bëhet mal sepse e quajmë mal. Një pikë uji nuk bëhet oqean sepse e përshkruajmë me pasion. Objektet ruajnë përmasën e tyre.
Hiperbola, përkundrazi, është një figurë retorike. Në letërsi ajo zgjeron imagjinatën. Në poezi rrit emocionin. Në politikë, jo rrallë, përpiqet të zëvendësojë provën. Kur përdoret me masë, i jep forcë fjalës. Kur bëhet mënyrë e të menduarit, fillon të shtrembërojë raportin midis faktit dhe perceptimit. Faktet mbeten po ato.Por fjalët fryhen. Dhe kur fryhen mjaftueshëm...lind ajo që mund ta quanim Fizika e Hiperbolës.
Salla ishte plot. Mikrofonët prisnin në rresht. Kamerat transmetonin drejtpërdrejt. Në podium doli Zëdhënësi i Revolucionit të Përhershëm. Në rreshtin e parë, një gazetar hapi bllokun. Nuk kishte ardhur të debatonte. Kishte ardhur vetëm të kuptonte.
Gazetari: Çfarë ka ndodhur sot?
Zëdhënësi: Shqipëria është në revoltë, revolucion!
Gazetari: Si arritët në këtë përfundim?
Zëdhënësi: Revolucionet nuk maten me statistika.
Gazetari: Populli është ngritur në këmbë?
Zëdhënësi: I gjithë.
Gazetari: Edhe muratori që po hedh beton?
Zëdhënësi: Edhe ai, vetëm se nuk e di ende.
Gazetari: Edhe infermierja që sapo hyri në turn?
Zëdhënësi: Revolucioni nuk pyet për turne.
Gazetari: Edhe fermeri që po ujit arën?
Zëdhënësi: Ai po ujit farat e ndryshimit.
Gazetari: Edhe emigranti që sapo zbriti në Rinas?
Zëdhënësi: Ka ardhur t'i bashkohet zemrës së popullit.
Gazetari: Atëherë mos ndoshta nuk është populli, por një pjesë e tij?
Zëdhënësi: Mos ma zvogëlo revolucionin me aritmetikë.
Gazetari: Tirana po zien?
Zëdhënësi: Po.
Gazetari: Apo është thjesht korrik?
Zëdhënësi: Edhe korriku është me ne.
Gazetari: Diaspora qan për Shqipërinë?
Zëdhënësi: Çdo shqiptar qan.
Gazetari: Ndoshta nuk po ju ndjek. Aeroporti është plot me shqiptarë që kanë ardhur për pushime.
Zëdhënësi: Pushimet janë vetëm mbulesa. Zemra e tyre është në revolucion.
Gazetari: Kryeministrinë duhet ta pushtoni paqësisht?
Zëdhënësi: Pikërisht.
Gazetari: Më ndihmoni ta kuptoj. Pushtim... paqësor? Zjarr i lagësht?
Zëdhënësi: Revolucionet moderne kanë edhe fjalor modern.
Gazetari: Kjo nuk është protestë?
Zëdhënësi: Jo.
Gazetari: Çfarë është?
Zëdhënësi: Një tektonikë sociale.
Gazetari: Herën e kaluar ishte një llavë vullkanike sociologjike. Më humbi filli.
Zëdhënësi: Pak rëndësi ka nëse qeveria do të mbulohet nga llava apo nga tërmeti.
Gazetari: Brukseli po dridhet?
Zëdhënësi: Pa diskutim.
Gazetari: Kush e konfirmoi?
Zëdhënësi: Këto gjëra nuk maten. Ndihen.
Gazetari: Berlini është në alarm?
Zëdhënësi: Absolutisht.
Gazetari: Uashingtoni po mban frymën?
Zëdhënësi: Edhe oqeani po pret.
Gazetari: Dje ishit në Stalingrad. Sot në Kostandinopojë. Më humbi zinxhiri i arsyetimit.
Zëdhënësi: Nuk është faji im që historia ecën kaq shpejt.
Gazetari: Kryeministri po jeton orët e fundit të Çausheskut?
Zëdhënësi: Pa asnjë dyshim.
Gazetari: Ndërkohë është në një forum ekonomik.
Zëdhënësi: Edhe?
Gazetari: I ftuar?
Zëdhënësi: Kjo nuk ndryshon fatin historik.
Gazetari: Parlamenti i vërtetë është kjo foltore?
Zëdhënësi: Pikërisht.
Gazetari: Kush e votoi?
Zëdhënësi: Populli.
Gazetari: E pyetët?
Zëdhënësi: Nuk kishte nevojë. E ndiejmë.
Gazetari: Ju kërkoni që Europa ta detyrojë qeverinë të japë dorëheqjen. Po zgjedhjet?
Zëdhënësi: Zgjedhjet janë shumë të ngadalta. Në raste historike nuk hyn logjika. Mjafton dëshira.
Gazetari: Ju pretendoni se po rishkruani historinë?
Zëdhënësi: Nuk pretendojmë. Po e shkruajmë.
Gazetari: Ku?
Zëdhënësi: Në këtë shesh.
Gazetari: Mendova se historia shkruhej pak më gjatë.
Zëdhënësi: Nuk na pret koha. Revolucionarët kanë rezervuar pushimet.
Gazetari: Revolucioni është i pandalshëm.Deri kur?
Zëdhënësi: Deri në mbrëmje.
Gazetari: Pastaj?
Zëdhënësi: Kemi rezervuar darkë
Gazetari: Ku lidhen këto dy gjëra?
Zëdhënësi: Edhe revolucioni harxhon kalori.
Gazetari: Çfarë ju bind se qeveria duhet të bjerë?
Protestuesja: Jam ndarë nga burri.
Gazetari: Më vjen keq.
Protestuesja: Për gjëra koti.
Gazetari: Ndoshta nuk po ju ndjek. Çfarë lidhjeje ka kjo me buxhetin e shtetit?
Protestuesja: Për mua të dyja janë probleme.
Gazetari: Atëherë problemi është politik apo familjar?
Gazetari: Shqipëria po digjet?
Zëdhënësi: Nuk e ndjeni erën e shkrumbit?
Gazetari: Javën e kaluar po mbytej.
Zëdhënësi: Një javë digjet.
Një javë përmbytet.
Rëndësi ka të jetë katastrofë.
Gazetari: Po ura midis këtyre dy pohimeve?
Zëdhënësi: Për ne ka pak rëndësi nëse qeveria digjet apo mbytet.
Gazetari: Kjo është beteja finale?
Zëdhënësi: Po!
Gazetari: E sata finale është kjo?
Gazetari: Edhe një pyetje të fundit. Për një muaj keni folur për tradhti. Kam shtrydhur mendjen, por ende nuk po e kuptoj.
Zëdhënësi: Pikërisht këtu ndryshojmë. Ju mendoni shumë. Ne besojmë shumë. Për revolucionin nuk duhen prova. Mjafton bindja.
Gazetari perpara se të mbyllte bllokun shkruajti shënim për redaksinë:
të kontrollohen faktet.. Fiku regjistruesin. U ngrit.Dhe doli. Jashtë nuk kishte tektonikë sociale. Mungonte beteja e Stalingrad.Nuk dukej flaka e Kostandinopojës. Nuk shikonte llavën e Vezuvit. Nuk kishte revolucion.Ndjente vetëm Shqipërinë. Një murator që vazhdonte punën. Një infermiere që hynte në turn. Një fermer që priste të freskohej moti. Një emigrant që përqafonte nënën. Një kamarier që çonte kafen në tavolinën numër shtatë. Një autobus që nisej drejt jugut. Një fëmijë që vraponte pas një topi. Asnjëri nuk mbante megafon.Por secili mbante mbi shpinë një copëz të Shqipërisë.
Në ekonomi ndodh inflacioni monetar.Në politikë ekziston inflacioni retorik. Kur fjalët përdoren pa masë, ato zhvlerësohen.Metaforat nuk e shpjegojnë më realitetin. Ato fillojnë ta shtrembërojnë atë. Çdo protestë bëhet revolucion. Çdo marshim bëhet çlirim. Çdo podium bëhet parlament. Çdo kundërshtar bëhet diktator. Çdo ditë shpallet historike. Dhe kur çdo gjë quhet historike...në fund asgjë nuk mbetet si e tillë.
Nuk kam frikë nga protesta. Nuk kam frikë nga kritika. Demokracia jeton prej tyre. Kam frikë vetëm nga një moment. Kur një grup njerëzish fillon të besojë se zëri i tyre është zëri i popullit. Sepse aty mbaron përfaqësimi. Dhe fillon uzurpimi.
Hiperbola është droga e retorikës.Në doza të vogla zgjon vëmendjen. Në doza të mëdha vret besueshmërinë. Hipërbola nuk e zmadhon të vërtetën. Ajo shtrembëron përmasën e saj.
Historia ka treguar se rruga më e shkurtër nga hiperbola tek propaganda fillon në çastin kur dikush bind veten se zëri i tij është zëri i popullit. Propaganda nuk nisë gjithmonë me një gënjeshtër. Ajo ndodh kur hiperbola përsëritet aq shpesh, sa fillon të duket si e vërtetë.
Kur një megafon bind veten se është populli, nuk kemi më demokraci të zërit. Kemi monologun e egos. Populli nuk ka nevojë për zëdhënës të vetëshpallur. Ai nuk flet me megafon. Ai flet me punë. Dhe kur vendos të flasë politikisht...nuk ka nevojë të ulërijë.
Mjafton të votojë.
Komente










