Fjala e KM Edi Rama në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëta

Mirëdita të gjithëve!

Godina ku jemi mbledhur përbën një vlerë të shtuar, me rëndësi të madhe për Tiranën, nga të gjitha pikëpamjet, arkitektonike dhe urbanistike. Nuk është e rastit që godina ka hyrë në rrugën e publikimeve ndërkombëtare të arkitekturës dhe urbanistikës, përpara sesa të çelej, por jo pak e rëndësishme nga pikëpamja ekonomike dhe sociale, pasi është një godinë që rrit cilësinë e shërbimeve në qytet dhe diversifikon mundësitë për hapësira si kjo, duke krijuar kushte, me sa shoh, të shkëlqyera për të zhvilluar konferenca apo takime.

Një përgëzim shumë i sinqertë edhe për një fakt tjetër, jo të parëndësishëm. Kjo është ndër të paktat, për të mos thënë e vetmja godinë e ndërtuar në Tiranën e pas ‘90-ës, që ka respektuar në frymë dhe në germë, të gjitha kushtet e përshkruara në projektin e zbatimit dhe në lejen e ndërtimit.

Natyrisht e kam shumë të qartë se jo për të gjithë, kjo është një ditë e gëzuar dhe që fjala ime do të përdoret si alibi në “vendin e krimit”, se ky është nga “krimet” që unë kam bërë si kryetar bashkie, një “krim” urbanistik, arkitektonik, ekonomik. Padyshim, edhe një “shpërdorim” i plotë i detyrës, sepse në fakt godina është e “imja”, nuk është e këtyre.

Por këto fjalë do t’i marrë era, siç ka marrë edhe shumë të tjera. Ajo që mbetet është vepra e jashtëzakonshme e këtyre investitorëve dhe sipërmarrësve, që do t’i mbetet qytetit, përgjithmonë, si një nga ikonat më të rëndësishme të ambicies për të ndërtuar një Tiranë europiane, një Shqipëri europiane.

Nuk pres që pas gjithë këtyre komplimenteve të na japin kafe, duke njohur përbërjen e grupit dhe praninë në grup të një miku të shtrenjtë grek, cili sa i pasur, aq edhe “cingun” është në famën që ka kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Imagjinoni, këta s’të japin kafe, jo më të më kenë dhënë mua, ndonjë gjë më shumë.

Përtej humorit;

E rëndësishme është se vlerat janë këtu dhe mbeten.

Ishte zgjedhja e ministrit më të rëndësishëm të qeverisë, për ta organizuar këtu, këtë sesion të Këshillit Ekonomik Kombëtar, pasi jo vetëm e ndjejmë për detyrë dhe unë personalisht e shoh detyrë, promovimin e gjithçkaje të mirë qw ndodh në botën e sipërmarrjes, por edhe sepse duam të promovojmë një hap shumë të rëndësishëm në rrugën e lehtësimit të sipërmarrjes, duke lehtësuar procedurat, duke rritur efektshmërinë e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes sipërmarrjes dhe administratës dhe duke krijuar një bazë të re, më të gjerë dhe më solide, për vitin e ardhshëm ekonomik dhe financiar.

Dua të falenderoj në mënyrë të posaçme, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë për praninë e tij në këtë sesion. Jo sepse është hera e parë që Guvernatori është i pranishëm, - në fakt, prania e Guvernatorit është traditë e Këshillit Ekonomik Kombëtar, - por sepse roli i tij në këtë proces ka qenë kyç. Profesionalizmi dhe vendosmëria e Guvernatorit për të çuar përpara, me masa konkrete, por edhe me një punë të admirueshme marrëdhëniesh publike, një proces ku kemi nevojë për shumë më tepër investime dhe kreditim, përbën një kontribut me shumë rëndësi, çka unë personalisht dhe qeveria jonë e vlerëson shumë lart.

Dua të përmend atë që Banka e Shqipërisë me kompetencë ka nënvizuar; ndryshimin e strukturës së ekonomisë. Një ndryshim që ka qenë qëllimi ynë madhor qysh ditën e parë kur kemi ardhur në detyrë, me bindjen që modeli ekonomik mbi të cilin u ndërtua zhvillimi i viteve që pararendën krizën financiare dhe më pas, ardhjen tonë në qeveri, në një periudhë kur kriza nuk mund të quhej e kapërcyer, ishte një model që kishte shteruar.

Dy burimet kryesore të rritjes ekonomike dhe dy shtyllat kryesore mbi të cilat ngrihej ky model, ndërtimtaria dhe remitancat, nuk mund të konsiderohen më si burime të qëndrueshme, mbi të cilat mund të vazhdonte përpjekja për ta zhvilluar Shqipërinë nga pikëpamja ekonomike. Prandaj, ne identifikuam domosdoshmërinë për të shkuar drejt një modeli ekonomik që bazohet tek investimet prodhuese e eksportet dhe që merr në konsideratë burimet e qëndrueshme të rritjes që ka Shqipëria, nga nafta dhe pasuritë nëntokësore, tek energjia, bujqësia, turizmi dhe manifaktura.

Ky model i ri ekonomik nuk është lehtësisht i ndërtueshëm. Nuk mund të fillonte të ndërtohej pa zbatuar disa reforma themelore, nga reforma prioritare në energji, reforma administrativo-territoriale, reformimi i pensioneve, reformimi i sistemit fiskal, reformimi i ndihmës ekonomike dhe i gjithë skemës së asistencës sociale. E fundit, por jo për nga rëndësia, duke reformuar të gjithë mekanizmin e funksionimit, në raport me territorin ku zhvillohet ekonomia, përmes luftës kundër informalitetit.

Të gjitha këto reforma, të cilat kanë ecur suksesshëm, pavarësisht se asnjëra prej tyre nuk mund të konsiderohet e përfunduar, -dhe në fakt nuk mund të përfundonte në një hark kohor prej 32 muajsh,- nuk do ta japin impaktin  tyre të plotë pa reformën e reformave, që është Reforma në Drejtësi.

Jam mirënjohës, sepse edhe organizatat e biznesit, edhe Guvernatori e kanë ngritur zërin e tyre dhe padyshim kanë qenë zëra me rëndësi të madhe, jashtë kufijve të arenës së betejës politike, për të ndarë me shqiptarët një të vërtetë të thjeshtë, por jo thjeshtësisht të lexueshme në pamje të parë, që drejtësia nuk na duhet të jetë e drejtw vetëm për problemet e drejtpërdrejta që njerëzit, institucionet, apo sipërmarrjet kanë me gjykatat, por na duhet të jetë e drejtë, për të shërbyer si një sfond i palëvizshëm i gjithë rrugës së zhvillimit normal të ekonomisë në frymën e ligjit.

Edhe vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka përcaktuar Reformën në sistemin e Drejtësisë si një reformë që mund ta përmirësojë klimën e biznesit në Shqipëri deri në 35% dhe mund të ndikojë kështu, në një përshpejtim të rritjes ekonomike.

Unë i kam dëgjuar me shumë vëmendje dhe respekt, pavarësisht se jo gjithmonë kam qenë dakord, reagimet e biznesit apo të disa dhomave të huaja tregtisë, që kanë nënvizuar një problematikë të konsiderueshme në klimën e të bërit biznes. Padyshim që në këto reagime ka një të vërtetë shumë të madhe, se çfarë kemi bërë, nuk mjafton absolutisht, nëse nuk vazhdojmë ta kompletojmë, duke bërë atë që duhet.

Më lejoni të them se ka edhe një të vërtetë tjetër; Shumë pak janë mësuar bizneset të respektojnë ligjin, shumë pak janë mësuar sipërmarrjet, edhe ato më të mëdhatë, edhe ato më të rëndësishmet, që të veprojnë në çdo hap dhe në çdo detaj brenda kornizës së ligjit. Informaliteti nuk është vepër e disave, por është vepër e të gjithëve sëbashku. Vepër e qeverive që nuk e kanë reformuar sistemin e funksionimit të shtetit shqiptar, nuk  kanë reformuar administratën dhe posaçërisht atë fiskale, nuk kanë reformuar drejtësinë, por dhe vepër e aktorëve në treg, që kanë përfituar sa kanë mundur nga mundësitë që ka ofruar një hapësirë ku ligjet, në të shumtën e herës kanë mbetur në letër.

Vetëm në një vend si ky mund të ndodhë që një kompani e huaj të thotë se nuk kam mundësi t’i paguaj taksat dhe ju nuk mund të më impononi pagesën e taksave, sepse unë do t‘ju diskreditoj ndërkombëtarisht.

Vetëm në këtë vend dhe vetëm në këtë atmosferë, një kompani e huaj, duke tundur flamurin amerikan apo flamuj të tjerë, shumë të respektuar, mund të kërcënojë qeverinë shqiptare, një qeveri sovrane. Sigurisht që ne nuk kemi hapur rrugë, por kemi marrë parasysh edhe pasojat e kërcënimit.

Është e lehtë të shfrytëzosh stereotipet e krijuara dhe në këtë rast, stereotipin e Shqipërisë si një vend i korruptuar, për të bërë të pafajshmin, për të bërë viktimën, për të bërë palën e goditur nga qeveria e këtij vendi. Është shumë e lehtë të bindësh ambasadorë, që fajin e ka qeveria. Solla një shembull, por nuk është i vetmi shembull, për fat të keq.

E kam bërë shumë të qartë për të gjitha kompanitë dhe për të gjithë përfaqësitë në Shqipëri, që për çdo problem që biznesi ka me administratën, dera ime është e hapur, padiskutim dera e ministrit të Ekonomisë apo e ministrit të Financave është e hapur. Më kanë dëgjuar veshët, çudira që do ta bënin shumë më komercial “Kurbanin 2”, nëse do ta shkruaja.

Duke vazhduar me pjesën që ka brenda të vërtetwn, klima e biznesit në Shqipëri ka vend për përmirësime të mëtejshme, shumë të rëndësishme; që funksionimi i administratës tatimore dhe doganore në Shqipëri ka vend për përmirësime të mëtejshme, shumë të rëndësishme; që vetë funksionimi ynë si qeveri, në raport me biznesin, ka vend për përmirësime të mëtejshme dhe shumë të rëndësishme.

Me po të njëjtin sinqeritet dhe ndershmëri që jam gati të ballafaqohem me këdo, kur drejtoj gishtin ndaj atyre që bëjnë engjëllin, ndërkohë që në fakt janë në pozicionin e djallit, në raste të caktuara. Me po këtë sinqeritet dhe ndershmëri pranoj që ajo që kemi bërë, është e pamjaftueshme dhe nuk ka sesi të jetë e mjaftueshme. Po të ishte e mjaftueshme, nuk do ishim këtu sot, as unë, as ministri i Financave dhe ish ministri i Ekonomisë, por duhet të pretendonim të merrnim role globale, për të zgjidhur probleme globale si magjistarë.

Konteksti nuk duhet harruar asnjëherë.

Unë e kuptoj shumë mirë reagimin e biznesit, por të thoni që klima e biznesit sot është përkeqësuar, ndërkohë që 32 muaj më parë, ju nuk merrni dot një TVSH mbrapsht, pa paguar 50%, të paktën, të asaj që ju takonte, kjo më duket pak e tepruar.

Thoni që klima e biznesit është përkeqësuar, ndërkohë që 32 muaj më parë, ju nuk guxonit të hapnit gojën, kur me paratë tuaja kishit shtruar kilometra të tërë asfalt dhe ishit zhytur në probleme me bankat, ku kishit çuar në banka, si garanci, kontratën që kishit me qeverinë dhe ishit të gjithë në prag të falimentimit, përsa i përket punëve publike të papaguara. Kjo qeveri, pikërisht sepse do një marrëdhënie të re me biznesin dhe një kontekst komplet të ri në marrëdhënie me vetveten si qeveria e Republikës së Shqipërisë, jua dha një më një lekët, në dorë, - kjo është pak si e vështirë për t’u kapërcyer.

Të thoni që administrata tatimore përbën një problem të atillë që mund të lexohet si përkeqësim i klimës së biznesit, kur ju e dini shumë mirë se çfarë keni hequr në administratën tatimore 32 muaj më parë, - sa herë ju është dashur të nxirrni para nga arka e kompanisë tuaj, nga xhepi i familjes tuaj, për të bërë planet e të ardhurave, minimalisht, apo sa herë të tjera ju është dashur të nxirrni paratë mbi atë taksën 10% për të mbyllur punët, apo sa herë ju është dashur të prisni e përcillni gjithfarëlloj kontrollorësh që bënin gangsterin dhe ju trajtonin si të ishit jo sipërmarrës, por shërbëtorë të marrë peng, - duket pak e tepruar.

Ajo që unë e shoh të domosdoshme dhe që nuk është aspak e tepruar, është kërkesa juaj dhe kërkesa ime, qysh në ditën e parë, për qeverinë e ministrat që lidhen me ekonominë dhe sipërmarrjen, për të lehtësuar procedurat, për të lehtësuar e thjeshtuar paketën fiskale, për të bërë një kuadër që të jetë i thjeshtë, mundësisht më i thjeshti që mund të gjendet në rajon dhe Europë.

Nëse raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon se lehtësimi fiskal në Irlandë prodhoi në 10 vjet, një rritje 4%, në Poloni një rritje 3%, apo edhe në Gjermani, në vendin e perfeksionit tokësor, për aq sa mund të jetë perfekte toka jonë, një rritje 1%, unë jam shumë i bindur që lehtësimi dhe thjeshtimi do të na sjellë një vlerë shumë të rëndësishme të shtuar, edhe në funksion të rritjes së ekonomisë.

Nuk po listoj çka kemi bërë për t’ju nxjerrë nga gropa financiare ku ju gjetëm, – në mos në gropë, të lidhur në pemë, - por po ndalem tek sfidat.

Ne duam të rishikojmë legjislacionin dhe procedurat tatimore, me qëllim që burokracia të reduktohet deri na maksimumin e mundshëm, që do të identifikojmë sëbashku.

Ministri i Financave ju ka nisur të gjithëve ju këtu, që vini nga sipërmarrja, por edhe të gjithë atyre që merren me biznes në Shqipëri, prej disa kohësh, një kërkesë konkrete, me një formular konkret, për të bërë propozime konkrete për këtë qëllim.

Po ashtu duam të shkojmë më tutje me liberalizimin e mëtejshëm të tregut, me standardizimin e sektorit të turizmit, por jo një standardizim që të shtojw burokracinë, por një standardizim që të thjeshtojë maksimalisht rrugën e kujtdo që investon nw turizëm, apo që ka bërë një investim në turizëm.

Duam të reduktojmë të gjitha barrierat e mundshme jo tarifore për biznesin.

Duam të rrisim kapacitete institucionale dhe të lehtësojmë maksimalisht tregtinë, nëpërmjet një strukture të re të bashkëpunimin ndërinstitucional.

E para, kemi kohë që kemi nisur dhe po punojmë intensivisht për një model të ri të sistemit të trajtimit të ankesave të çdo investitori. Ajo që ne synuam dhe shpresuam në fillim nuk ka funksionuar, që Sekretariati i Këshillit Ekonomik Kombëtar të ishte pika e referimit për të gjithë ata që kanë ankesa. Kultura e krijuar në vite ka qënë kundër nesh dhe të gjithë preferojnë më mirë t’i bien rrugëve të tjera, sesa të bëjnë një ankesë konkrete në Sekretariat dhe t’ia lënë këtij Këshilli vendimmarrjen, në rast se Sekretariati nuk e zgjidh dot, pavarësisht se ai drejtohet nga një avokat i shquar i këtij vendi dhe ka një strukturë dhe mundësi që mund t’i trajtojë ankesat dhe mund t’i bëjw sugjerime ligjore ministrive apo Kryeministrit, në kohë shumë të shpejtë. Këtë model të ri, ne po e punojmë me Bankën Botërore, duke parë modele të ngjashme, por duke shkuar edhe përtej këtyre modeleve të ngjashme.

E dyta, me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim po bashkëpunojmë për të ngritur institucionin e Avokatit të Biznesit. Ai do të ketë një forcë institucionale dhe ligjore, të atillë që jetë mbrojtësi i çdo biznesi përpara se biznesi të vendosi të shkojë në gjyq dhe në një proces, ku “gjyqi” do të zhvillohet mes biznesit dhe institucionit apo institucioneve përkatëse, për të cilat biznesi ankohet, me praninë e Avokatit të Biznesit.

E treta, jemi përfshirë në një program të ri shumë të rëndësishëm, më mbështetjen e USAID-it dhe me një ekip shumë të specializuar të taksave të Bashkisë së New York-ut, për rritjen e kapaciteteve profesionale të administratës tatimore në të gjitha drejtimet.

E katërta, kualifikimi i forcës së punës. Unë i jam mirënjohës Luan Bregasit, të cilin dua ta veçoj këtu, edhe pse do të më akuzojnë për favorizim, por në fakt është ai që na ka favorizuar jashtëzakonisht shumë, duke koordinuar një përpjekje historikë të kësaj qeverie, por edhe të vetë biznesit për të rritur cilësinë e krahut të punës përmes arsimit profesional, që për ne është një prioritet. Reforma e Arsimit Profesional bazohet tek bashkëpunimi konkret me biznesin.

Sot, në bordet e shkollave të arsimit profesional nuk ka më militantë, por biznesmenë dhe drejtuesit të bordeve të këtyre shkollave janë sipërmarrës. Kjo ka sjellë një ndryshim të madh, sikundër edhe fakti që sipërmarrjet e lidhura me shkollën, qysh në ditën e parë të shkollës prenotojnë punonjësit e tyre të ardhshëm, të cilët e kalojnë një pjesë të javës në shkollë dhe pjesën tjetër në biznes.

Në Panairin e Arsimit Profesional, ishte një gjë spektakolare, që përqindja më e madhe e nxënësve që u paraqitën në panair ishin të gjithë të punësuar, domethënë, ata bënin shkollën, ishin edhe në një biznes dhe trajnoheshin për të qënë të aftë që në atë biznes të vazhdonin punën e tyre dhe të rriteshin në karrierë.

Nga ana tjetër, ne duam të nxisim më shumë eksportin dhe duam të lehtësojmë tregtinë dhe ndërveprimin. Shqipëria ka marrë nismën për t’i propozuar mbledhjes se ardhshme të kryeministrave të Ballkanit, një projekt të përbashkët të rrëzimit të të gjitha barrierave jo tarifore dhe të krijimit të një zone të lirë tregtare, në kuptimin e Bashkimit Europian. Vendet e rajonit të sillen me njëra-tjetrën njësoj siç sillen vendet e BE-së me njëra-tjetrën, në kuptimin e barrierave jo tarifore, të shkojmë përtej CEFTA-s.

Kemi marrë asistencën e zyrave të Bankës Botërore në të gjithë rajonin, që na kanë shërbyer me ekspertizën e tyre të shkëlqyer. Ka qenë projekti i ynë dhe Banka na ka ndihmuar.

Në Paris, ne do të kemi paketën gati, e cila është tanimë e miratuar nga pjesa më e madhe kryeministrave, jo sepse ka ndonjë problem me ndonjë kryeministër, por sepse ju e dini që jo të gjitha vendet e Ballkanit në këtë moment kanë qetësi të plotë politike.

Ajo që bëmë me Kosovën na ka treguar se sa shumë potencial ka për biznesin, thjesht e vetëm nga lehtësimi i rrugëve të tregtisë dhe ndërveprimit tregtar. Atë do ta çojmë më tutje.

Formalizimi i fermerëve dhe krediti i TVSH-së nëpërmjet autofaturimit, subvencionimi i grumbulluesve të produkteve, programet e posaçme të financuara kanë dhënë rezultat, por ne duam të shkojmë më tej.

Miqtë e mi,

Kemi 300 milionë euro në dispozicion për tre vitet e ardhshme nga programi inovativ i qeverisë shqiptare për bujqësisë, në bashkëpunim  me BERZH dhe bankat e nivelit të dytë. Kemi krijuar një fond garancie shtetërore, kemi gjetur mirëkuptim të plotë nga pjesa më e madhe e bankave të nivelit të dytë dhe kemi mbështetjen e BERZH-it.

Ne duam që kush ka paratë të mos i mbajë nëpër banka dhe kush deri më tani është marrë me ndërtime apo aktivitete që nuk kanë lidhje me bujqësinë të merren edhe me bujqësinë. Këtu ka disa shembuj që kanë filluar ta bëjnë këtë. 300 milionë euro në tre vjet për kredi me interesa të favorshme e të garantuara nga shteti shqiptar.

Është e rëndësishme që ju që jeni këtu dhe ata që janë sipërmarrës të suksesshëm, që tanimë janë të strukturuar, kanë institucione mbas tyre, nuk janë thjesht një pronarw që i ka vënë ndërmarrjes së vet një bashkim të emrave të familjes, por janë struktura serioze, të mund të diversifikojnë portofolin e tyre, duke përfituar nga kjo mundësi e jashtëzakonshme që do të sillte një bum të madh eksportesh dhe një rritje të konsiderueshme të ekonomisë në vitet e ardhshme.

Dua ta nënvizoj edhe një herë se kjo qeveri mund të kritikohet për gjithçka, por gjëja e fundit për të cilën mund të kritikohet, është qasja ndaj biznesit. Jemi qeveria më pro biznes që ka pasur Republika e Shqipërisë. Mjafton të hapni manualet që shkruajnë ata që i thonë vetes të majtë të vërtetë, për të kuptuar këtë.

Nga ana tjetër jemi qeveria më e interesuar për të hequr nga rruga juaj, çdo pengesë që krijon burokracia, korrupsioni dhe kultura e vjetër e marrëdhënieve në mëkat me biznesin. Por këtë nuk mund ta bëjmë dot vetëm. Nuk mundet që midis nesh dhe jush të bëjë ligjin, siç i themi në shqip, cilido qoftë që ka një autorizim politik apo administrativ. Kjo nuk duhet të ndodhë!

Ju duhet të investoni shumë më tepër besim dhe duhet të niseni nga shembujt e atyre që kur e ngrenë problemin, e zgjidhin problemin. Të preferosh ta zgjidhësh problemin me një taksidar, duke qenë një kompani e madhe dhe të mos e çosh taksidarin aty ku e ka vendin, duke bashkëpunuar me qeverinë, është e papranueshme nga të gjitha pikëpamjet. Është turp!

Të preferosh të vish vërdallë, për t’i gjetur anën një ‘x’ apo ‘y’ dhe të mos e trajtosh në rrugën e këtyre kanaleve që ne kemi krijuar, edhe të këtij Këshilli Kombëtar, një problem parimor që ka lidhje me biznesin tënd, kjo është realisht të pranosh një agoni në raport me një operacion që nuk do të të dhembë ty, por do t’i dhembë atij që ka përgjegjësinë dhe të ka penguar në emër të shtetit, administratës apo të kujtdo qoftë.

E kjo nuk është propagandë, por është kulturë e këtij shekulli dhe e këtij kontinenti ku jeton një familje e madhe europiane, që ne duam ta kemi tonën dhe ku ne duam të bëhemi anëtar me të drejta të barabarta.

Shumë faleminderit!​

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Krujë/ Riaktivizohet zjarri në lagjen Boje! Zjarrfikësit në vendngjarje, u gjetën 50 vatra të qëllimshme në zonë