I nderuar zoti President,                     
I nderuar zoti Kryeministër,
I nderuar zoti kryetar i Gjykatës Kushtetuese,
Të nderuar ambasadorë, miq e të ftuar,
 
Në fakt ka kaluar plot një dekadë e gjysmë nga dita kur populli shqiptar u thirr në referendum për të miratuar të parën Kushtetutë post-pluraliste. Deri në nëntorin e  vitit 1998, Shqipëria qeverisej në bazë të dispozitave kryesore kushtetuese.
 
Kam kënaqësinë të kujtoj kontributin e çmuar të dy bashkëkryetarëve të komisionit për hartimin e projektkushtetutës, të paharruarin Sabri Godo dhe Arben Imami, të gjithë anëtarët e atij komisioni dhe stafin e përkushtuar të ekspertëve, vendas dhe të huaj, Komisionin e Venecias dhe sidomos të kujtoj votën e çdo shqiptari që atë nëntor ushtroi të drejtën e tij sovrane për të zgjedhur modelin e qeverisjes së tij për të ardhmen.
 
15 vjet më parë, besuam  se nga ai çast fillonte e ardhmja. Një premtim i tillë ishte shkruar dhe në kopertinën kuq e zi dhe me shqiponjë të kontratës së re që politika po lidhte me qytetarët. Me votën e tyre “pro”, ata deklaruan solemnisht vullnetin popullor për ndërtimin e shtetit të së drejtës, për të garantuar liritë e të drejtat themelore të njeriut, tolerancën dhe bashkëjetesën fetare, këtë diamant të çmuar të trashëgimisë sonë të vjetër e të re: me votën “pro”, qytetarët shqiptarë nënvizuan aspiratën shekullore për identitet dhe bashkim kombëtar.
 
Këto ishin parimet themelore të asaj që do të duhej të bëhej libri i shenjtë i qeverisjes së këtij vendi.
 
Qytetarët kishin folur, politika tashmë kishte instrumentin kryesor për të realizuar premtimet e saj.
Sot, 15 vjet më pas, kemi shumë arsye për ta duartrokitur këtë Kushtetutë, ashtu siç kemi ndoshta po aq arsye për të qortuar veten për mënyrën sesi u sollëm me të.
Ne mund të krenohemi me ndërtimin, konsolidimin dhe ndarjen e institucioneve, me raportet e qarta të kontrollit dhe të balancës mes pushteteve, me mjetet dhe mekanizmat e parashikuara për të tejkaluar dhe zgjidhur krizat ciklike që shoqëronin e shoqërojnë politikëbërjen në Shqipëri.
 
Kushtetuta e re, duke pasur parasysh karakteristikat specifike të vendit, gati-gati e diktonte domosdoshmërinë e bashkëpunimit të forcave politike në gjithë peizazhin zemërak të tyre. Ashtu siç diktonte një qasje tërësisht evropiane dhe moderne ndaj të drejtave universale të njeriut.
 
Mund të kujtoj se dhe në të shkuarën tonë të afërt, politika ka pasur konfliktet e saj të brendshme me këtë dokument themelor të Republikës. Atëherë kur ajo i rrinte ngushtë për një interes të çastit edhe atëherë kur ky ishte një interes i sinqertë apo dëshmohej si i tillë.
 
Viti 2008, me ndryshimet rrufe të një pjese të konsiderueshme të Kushtetutës, edhe nëse u iniciuan me një frymë synim të mirë, prodhoi një frymë kundër frymës së përgjithshme të këtij dokumenti. Cënoi raportet mes pushteteve, dëmtoi parimin e kontrollit dhe balancës mes tyre dhe mbi të gjitha dha një mesazh të gabuar: në Kushtetutë mund të ndërhyhej edhe brenda një nate të vetme!
 
Është e vërtetë se Kushtetuta nuk është tabu. Është e vërtetë se si një trup i gjallë asaj i duhet që herë pas here të përshtatet me mjedisin e ri politik, ekonomik, social dhe kulturor të vendit, por një gjë e tillë duhej bërë dhe duhet bërë, nëse është e nevojshme, përmes një procesi të gjerë dhe të besueshëm, transparent e publik, me ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj.
 
Në jurisprudencë, shpesh procesi është po aq i rëndësishëm edhe sesa vetë produkti përfundimtar.
 
Si një detaj që konfirmon këtë që sapo thashë, është dhe zgjedhja e fundit e Kuvendit të Shqipërisë për kryetarin e ri të Gjykatës Kushtetuese. Një zgjedhje që u krye në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit politik të të gjitha forcave politike dhe institucioneve kryesore të vendit.
 
Dinamikat e vazhdueshme në qeverisje, moria e problematikave të mprehta të shtruara për zgjidhje, janë një kusht më tepër për respektimin e institucioneve, garantimin e pavarësisë së tyre, kontrollin dhe ekuilibrin mes tyre. Në këtë këndvështrim, Gjykata Kushtetuese, si një garantë e zbatimit të dokumentit themelor të shtetit, është e një rëndësie të posaçme.
 
Unë besoj sinqerisht se ne e kemi të gjithë  maturinë dhe pjekurinë e nevojshme për të pasur  qasjen e duhur ndaj Kushtetutës. Për një bashkëjetesë reciproke me njëra-tjetrën, me një debat politik, profesional dhe ekspertizë e posaçme që do të konsideronte ndërhyrje nëse do të gjykohet të domosdoshme në të mirë të vendit dhe të ardhmes europiane të tij.
 
Në jurisprudencë, shpesh procesi është po aq i rëndësishëm sa dhe produkti përfundimtar. Dhe procesi i qasjes ndaj kushtetutës duhet të jetë edhe politik, edhe gjithëpërfshirës, edhe transparent, edhe i matur. Duhet të reflektojë shkallën e pjekurisë së vetë shoqërisë shqiptare të sotme dhe të nesërme.
 
Ju faleminderit!


Redaksia Online